Letra e dytë drejtuar Timoteut 2:1-26
2 Ti, biri im,+ vazhdo të marrësh fuqi falë mirësisë së pamerituar që tregon Krishti Jezu.
2 Gjërat që dëgjove nga unë, të mbështetura nga shumë dëshmitarë,+ besojua burrave të besueshëm, të cilët pastaj do të jenë të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar edhe të tjerë.
3 Ji gati të vuash+ edhe ti si ushtar i shkëlqyer+ i Krishtit Jezu.
4 Kush është ushtar, nuk përfshihet* në çështjet tregtare* të jetës, sepse do që të fitojë miratimin e atij që e ka rekrutuar si ushtar.
5 Madje, edhe një atlet nuk kurorëzohet po të mos marrë pjesë në garë* sipas rregullave.+
6 Bujku që punon fort, duhet të jetë i pari që i shijon frytet e tokës së vet.
7 Mendoji vazhdimisht këto që po të them. Zotëria do të të japë aftësi për të kuptuar* gjithçka.
8 Mos harro se Jezu Krishti u ngrit nga të vdekurit+ dhe ishte pasardhës* i Davidit,+ e ky është lajmi i mirë që po predikoj,+
9 për të cilin po vuaj e jam burgosur si kriminel.+ Megjithatë, fjala e Perëndisë nuk është e lidhur me vargonj.+
10 Për këtë arsye vazhdoj të duroj gjithçka për hir të të zgjedhurve,+ që edhe ata të shpëtojnë nëpërmjet Krishtit Jezu, si edhe të fitojnë lavdi të përhershme.
11 E besueshme është kjo thënie: pa dyshim, nëse vdiqëm bashkë me të, edhe do të jetojmë bashkë me të;+
12 nëse vazhdojmë të qëndrojmë, edhe do të mbretërojmë bashkë me të;+ nëse e mohojmë, edhe ai do të na mohojë;+
13 nëse nuk jemi besnikë, ai mbetet besnik, sepse nuk e mohon dot veten.*
14 Vazhdo t’ua kujtosh këto gjëra, duke i udhëzuar* përpara Perëndisë të mos zihen për fjalë, sepse kjo s’ka asnjë dobi dhe i dëmton* ata që i dëgjojnë.
15 Bëj çmos të paraqitesh para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.+
16 Por hidhi poshtë fjalët boshe, që shpërfillin atë që është e shenjtë,+ sepse ato* do të nxisin gjithnjë e më shumë një qëndrim shpërfillës ndaj Perëndisë.
17 Fjalët e këtyre njerëzve do të përhapen si gangrenë; ndër ta janë Himeneu dhe Fileti.+
18 Këta njerëz janë larguar nga e vërteta dhe thonë se ringjallja ka ndodhur tashmë,+ e po minojnë besimin e disave.
19 Megjithatë, themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur dhe ka këtë vulë: «Jehovai* i njeh ata që i përkasin»,+ dhe: «Kushdo që mban emrin e Jehovait,*+ të heqë dorë nga padrejtësia.»
20 Tani, në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë ari e argjendi, por edhe druri e balte, dhe disa janë për përdorim të veçantë,* por të tjerat për përdorim të zakonshëm.*
21 Kështu, nëse dikush u rri larg këtyre të fundit, do të jetë enë* për përdorim të veçantë, e shenjtëruar,* e dobishme për të zotin dhe e përgatitur për çdo vepër të mirë.
22 Prandaj ik nga dëshirat rinore. Kërko me ngulm drejtësinë, besimin, dashurinë e paqen, bashkë me ata që me zemër të pastër tregojnë besim te Zotëria.
23 Gjithashtu, hidh poshtë debatet e marra prej injoranti,+ duke ditur se ato sjellin zënka.
24 Pasi skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël* me të gjithë,+ i kualifikuar për të mësuar, ta frenojë veten kur t’i bëjnë ndonjë padrejtësi+
25 dhe t’i mësojë me butësi ata që kanë prirjen të mos ia vënë veshin.+ Ndoshta Perëndia u jep këtyre mundësi të pendohen,* e kështu të rifitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën+
26 si edhe të vijnë në vete e të dalin nga laku i Djallit, ku ai i ka zënë të gjallë që të bëjnë vullnetin e tij.+
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «nuk ngatërrohet».
^ Një mundësi tjetër «në aktivitetet e përditshme».
^ Fjalë për fjalë «lojëra». Këtu përfshihen lloje të ndryshme sportesh.
^ Ose «aftësi dalluese për».
^ Fjalë për fjalë «farë».
^ Ose «nuk del dot jashtë natyrës së vet».
^ Ose «i shkatërron; i rrëzon».
^ Fjalë për fjalë «duke u dhënë dëshmi të plotë».
^ Një mundësi tjetër «ata».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Fjalë për fjalë «pa nder».
^ Fjalë për fjalë «të nderuar».
^ Ose «mjet».
^ Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».
^ Ose «duhet të ketë takt».
^ Ose «u jep mundësi të ndryshojnë mendje».