Eksodi 6:1-30
6 Prandaj Jehovai i tha Moisiut: «Tani do të shohësh ç’do t’i bëj faraonit!+ I detyruar nga një dorë e fortë, ai do t’i lërë izraelitët të shkojnë, i detyruar nga një dorë e fortë, do t’i dëbojë nga vendi i tij.»+
2 Perëndia i tha akoma Moisiut: «Unë jam Jehovai!
3 Abrahamit, Isakut dhe Jakobit i shfaqesha si Perëndi i Plotfuqishëm,+ ndonëse me emrin tim Jehova,+ nuk u bëra plotësisht i njohur për ta.+
4 Bëra edhe një besëlidhje me ta, që t’u jepja vendin e Kananit, vendin ku ata kishin jetuar si të huaj.+
5 Unë vetë e kam dëgjuar rënkimin e popullit të Izraelit, që është nën skllavërinë egjiptiane, dhe nuk e harroj besëlidhjen time.+
6 Prandaj thuaju izraelitëve: ‘Unë jam Jehovai! Unë do t’ju çliroj nga barra e egjiptianëve dhe nga skllavëria e tyre!+ Do t’ju shpengoj me krah të fuqishëm* e do t’i ndëshkoj* rëndë egjiptianët!+
7 Do t’ju mbledh nën krahët e mi si popullin tim e do të jem Perëndia juaj!+ E me siguri ju do ta merrni vesh se unë jam Jehovai, Perëndia juaj, që po ju çliron nga barra e egjiptianëve.
8 Do t’ju çoj në vendin për të cilin u betova* se do t’ia jepja Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, dhe do t’jua jap juve si zotërim.+ Unë jam Jehovai!’»+
9 Pastaj Moisiu ua tha këto fjalë izraelitëve, por ata nuk e dëgjuan sepse ishin të shkurajuar dhe nën skllavëri të rëndë.+
10 Atëherë Jehovai i tha Moisiut:
11 «Shko t’i thuash faraonit, mbretit të Egjiptit, se duhet t’i lërë izraelitët të ikin nga vendi i tij.»
12 Mirëpo Moisiu i tha Jehovait: «Përderisa nuk më dëgjuan izraelitët,+ si do të më dëgjojë vallë faraoni kur unë mezi flas?!»*+
13 Por Jehovai ua përsëriti Moisiut dhe Aronit urdhrat që duhej t’u jepnin izraelitëve dhe faraonit, mbretit të Egjiptit, që t’i nxirrnin izraelitët nga vendi i Egjiptit.
14 Këta janë krerët e shtëpive të tyre atërore: bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit,+ ishin Hanoku, Palui, Hezroni dhe Karmi;+ këto janë familjet e fisit të Rubenit.
15 Bijtë e Simeonit ishin: Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Zohari dhe Shauli, biri i një kananiteje;+ këto janë familjet e fisit të Simeonit.
16 Këta janë emrat e bijve të Levit,+ sipas familjeve të tyre: Gershoni, Kehathi dhe Merari;+ Levi jetoi 137 vjet.
17 Bijtë e Gershonit ishin Libni dhe Shimei, sipas familjeve të tyre.+
18 Bijtë e Kehathit ishin: Amrami, Izari, Hebroni dhe Uzieli;+ Kehathi jetoi 133 vjet.
19 Bijtë e Merarit ishin Mahli dhe Mushi.
Këto ishin familjet e levitëve, sipas prejardhjes së tyre.+
20 Amrami mori për grua Jokebedën, motrën e babait.+ Ajo i lindi Aronin dhe Moisiun;+ Amrami jetoi 137 vjet.
21 Bijtë e Izarit ishin Korahu,+ Nefegu dhe Zikri.
22 Bijtë e Uzielit ishin Mishaeli, Elzafani+ dhe Sitri.
23 Aroni mori për grua Elishebën, bijën e Aminadabit, motrën e Nahasonit.+ Ajo i lindi Nadabin, Abihun, Eleazarin dhe Ithamarin.+
24 Bijtë e Korahut ishin Asiri, Elkanahu dhe Abiasafi:+ këto ishin familjet e korahitëve.+
25 Eleazari,+ biri i Aronit, mori për grua një nga bijat e Putielit; ajo i lindi Finehasin.+
Këta janë krerët e shtëpive atërore të levitëve, sipas familjeve të tyre.+
26 Kjo është gjenealogjia e Aronit dhe e Moisiut, të cilëve Jehovai u tha: «Nxirreni popullin e Izraelit nga vendi i Egjiptit, njësi pas njësie.»*+
27 Ishin pikërisht këta, Moisiu dhe Aroni, që i thanë faraonit, mbretit të Egjiptit, ta nxirrte popullin e Izraelit nga Egjipti.+
28 Ditën që Jehovai i foli Moisiut në vendin e Egjiptit,
29 Jehovai i tha: «Unë jam Jehovai! Thuaji faraonit, mbretit të Egjiptit, çdo gjë që po të them.»
30 Atëherë Moisiu i tha Jehovait: «Unë mezi flas,* si do të më dëgjojë vallë faraoni?!»+
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «të shtrirë».
^ Fjalë për fjalë «do t’i gjykoj».
^ Fjalë për fjalë «ngrita dorën».
^ Fjalë për fjalë «jam i parrethprerë në buzë?!»
^ Fjalë për fjalë «sipas ushtrive të tyre».
^ Fjalë për fjalë «jam i parrethprerë në buzë».