Veprat e Apostujve 5:1-42

  • Anania dhe Safira (1-11)

  • Apostujt bëjnë shumë shenja (12-16)

  • I burgosin dhe i lirojnë (17-21a)

  • I sjellin përsëri para Sinedrit (21b-32)

    • ‘I bindemi Perëndisë, dhe jo njerëzve’ (29)

  • Këshilla e Gamalielit (33-40)

  • Predikojnë shtëpi më shtëpi (41, 42)

5  Megjithatë, një burrë që quhej Anania bashkë me Safirën, gruan e tij, shiti një pronë.  Me dijeninë e së shoqes, mbajti fshehurazi një pjesë të parave dhe pjesën tjetër ua dha* apostujve.+  Por Pjetri i tha: «Anania, pse të nxiti Satanai të gënjesh+ frymën e shenjtë+ dhe të mbash fshehurazi një pjesë të çmimit të arës?  A nuk ishte jotja para se ta shitje? E pasi e shite, a nuk mund të bëje ç’të doje me paratë? Pse të lindi në zemër një gjë e tillë? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por Perëndinë.»  Me të dëgjuar këto fjalë, Anania ra përtokë e vdiq, dhe të gjithë që e morën vesh këtë, i zuri një frikë e madhe.  Pastaj të rinjtë u ngritën, e mbështollën me pëlhurë, e nxorën jashtë dhe e varrosën.  Rreth tri orë më pas, hyri gruaja e tij, që nuk dinte ç’kishte ndodhur.  Pjetri i tha: «Pa më thuaj, për kaq e shitët arën?» Ajo i tha: «Po, për kaq.»  Pastaj Pjetri e pyeti: «Pse ratë dakord të vinit në provë frymën e Jehovait?!* Ja, në prag të derës janë ata që varrosën burrin tënd, dhe do të të marrin edhe ty.» 10  Në çast, ajo ra përtokë te këmbët e tij dhe vdiq. Kur të rinjtë hynë, e gjetën të vdekur, prandaj e nxorën jashtë dhe e varrosën pranë të shoqit. 11  Kështu një frikë e madhe pushtoi tërë kongregacionin* dhe të gjithë ata që i dëgjuan këto gjëra. 12  Përveç kësaj, apostujt bënin shumë shenja dhe mrekulli* mes popullit.+ Të gjithë së bashku takoheshin në Kolonadën e Solomonit.+ 13  Të tjerët nuk guxonin të bashkoheshin me ta, e megjithatë populli i ngrinte në qiell. 14  Për më tepër, një numër i madh burrash e grash u shtoheshin besimtarëve në Zotërinë.+ 15  Madje njerëzit i nxirrnin të sëmurët në rrugët kryesore dhe i vinin nëpër shtretër të vegjël e shtroja që, kur të kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të binte mbi disa prej tyre.+ 16  Edhe nga qytetet përreth Jerusalemit vinin njerëz që sillnin të sëmurë dhe ata që i mundonin frymërat e ndyra,* e që të gjithë shëroheshin. 17  Por, të mbushur me smirë,* kryeprifti dhe të gjithë ata që ishin me të, nga sekti i saducenjve, u ngritën, 18  i kapën* apostujt dhe i futën në burg.+ 19  Por gjatë natës, engjëlli i Jehovait* hapi dyert e burgut,+ i nxori jashtë dhe u tha: 20  «Shkoni në tempull dhe vazhdoni t’i thoni popullit të gjitha fjalët e jetës.» 21  Me të dëgjuar këtë, hynë në tempull sapo zbardhi dita dhe filluan të mësonin. Ndërkohë mbërritën kryeprifti dhe ata që ishin me të, mblodhën Sinedrin e të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit dhe dërguan që t’i merrnin apostujt nga burgu e t’i sillnin para tyre. 22  Megjithatë, kur rojat e tempullit arritën atje, nuk i gjetën. Kështu u kthyen dhe raportuan: 23  «Burgun e gjetëm të kyçur e të siguruar dhe rojat në këmbë te dyert, por, kur e hapëm, nuk gjetëm asnjeri brenda.» 24  Me të dëgjuar këto fjalë, kapiteni i rojave të tempullit dhe krerët e priftërinjve u hutuan, sepse nuk e dinin ç’do të ndodhte më tej. 25  Por dikush erdhi dhe i njoftoi: «Njerëzit që futët në burg janë në tempull dhe po mësojnë popullin.» 26  Atëherë kapiteni doli bashkë me rojat dhe i solli, por pa dhunë, sepse kishin frikë se mos populli i vriste me gurë.+ 27  Kështu i sollën dhe i çuan përpara Sinedrit. Atje kryeprifti i mori në pyetje 28  dhe u tha: «Ne ju urdhëruam prerazi të mos mësoni më në këtë emër.+ Mirëpo ju e mbushët Jerusalemin me mësimin tuaj dhe doni medoemos që gjaku i atij njeriu të bjerë mbi ne.»*+ 29  Pjetri dhe apostujt e tjerë u përgjigjën: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sovran,* dhe jo njerëzve.+ 30  Perëndia i paraardhësve tanë e ngriti Jezuin, atë që ju e vratë, duke e varur në një shtyllë.*+ 31  Perëndia e lartësoi në të djathtën e tij+ si Kryepërfaqësues*+ dhe Shpëtimtar,+ që Izraeli të pendohej dhe t’i faleshin mëkatet.+ 32  Ne jemi dëshmitarë të këtyre ngjarjeve,+ e po ashtu dhe fryma e shenjtë,+ të cilën Perëndia ua jep atyre që i binden si sovran.» 33  Kur e dëgjuan këtë, u tërbuan fare* dhe donin t’i vritnin apostujt. 34  Por një farise me emrin Gamaliel,+ mësues i Ligjit, i vlerësuar nga tërë populli, u ngrit në Sinedër dhe urdhëroi t’i nxirrnin jashtë apostujt për pak kohë. 35  Pastaj u tha: «Burra të Izraelit, mendohuni mirë para se t’u bëni ndonjë gjë këtyre njerëzve. 36  Kohë më parë, për shembull, u ngrit Teuda që thoshte se ishte dikush, dhe rreth 400 burra i shkuan pas. Por ai u vra, dhe të gjithë ata që e ndiqnin, u shpërndanë e përfunduan në hiç. 37  Pas tij, në ditët e regjistrimit të popullsisë, u ngrit Juda, galileasi, dhe tërhoqi pas vetes mjaft njerëz. Edhe ai mori fund, e tërë ata që e ndiqnin, u shpërndanë andej-këtej. 38  Prandaj edhe për këtë rast, po ju them: mos u përzieni me këta njerëz, por lërini rehat. Faktikisht, nëse ky plan ose kjo vepër është nga njerëzit, do të dështojë, 39  por, nëse është nga Perëndia, ju nuk do t’i jepni dot fund.+ Në të kundërt, mund të gjendeni duke luftuar kundër vetë Perëndisë.»+ 40  Ata ia vunë veshin këshillës së tij, prandaj i thirrën apostujt, i rrahën*+ dhe i urdhëruan të mos flitnin më në emër të Jezuit, pastaj i lanë të iknin. 41  Kështu, apostujt ikën nga Sinedri të gëzuar,+ sepse ishin quajtur të denjë të çnderoheshin për emrin e tij. 42  Çdo ditë, në tempull dhe shtëpi më shtëpi,+ ata mësonin e shpallnin pareshtur lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin.+

Shënimet

Ose «e vuri te këmbët e».
Ose «çudira».
Shih Fjalorthin, «Demonët».
Ose «xhelozi».
Ose «arrestuan».
Ose «që të jemi fajtorë për vdekjen e tij».
Ose «qeveritar».
Ose «dru».
Ose «këto fjalë i therën».
Ose «i fshikulluan».