Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pionierë në një mbledhje në Tbilis, 1992

GJEORGJIA | 1991-1997

«Perëndia vazhdon ta rritë.»​—1 Kor. 3:6.

«Perëndia vazhdon ta rritë.»​—1 Kor. 3:6.

Genadi Gudadzeja shërbeu si mbikëqyrës qarkor në fillim të viteve 90

Gjeorgjia fitoi pavarësinë më 1991-shin, vit në të cilin bashkimi Sovjetik u shpërbë. Por ndryshimet politike dhe trazirat shoqërore sollën përkeqësim të shpejtë të kushteve të jetesës. Genadi Gudadzeja, i cili shërbeu si mbikëqyrës udhëtues në ato vite, kujton se njerëzit zinin radhë pothuajse gjithë ditën për të blerë bukë.

Gjatë asaj kohe Dëshmitarët i shihje shpesh të flitnin për mesazhin e Biblës me grupe njerëzish që prisnin në radhë. Genadi thotë: «Në ato vite dukej sikur çdokush ishte i prirur për të vërtetën. Merrnim me qindra adresa të njerëzve që donin një studim biblik.»

Në fund të çdo mbledhjeje, vëllezër me përgjegjësi lexonin një listë me emra dhe adresa të individëve që kërkonin t’i vizitonim. Më pas lajmëtarët tregoheshin të gatshëm t’i kontaktonin.

U predikojnë njerëzve në radhën e bukës në vitet 90

Vëlla Levan Sabashvili, i cili shërbente si plak në Tbilis, sjell ndër mend një çift që kërkuan t’i kontaktonin. Ai thotë: «Lajmëtarë të ndryshëm i morën të gjitha adresat, por askush nuk doli vullnetar të shkonte te ky çift. Ata jetonin larg dhe mjaft prej nesh tashmë kishim disa studime biblike.»

Disa muaj më vonë, po ky çift na dërgoi një kërkesë tjetër që t’i vizitonim. Madje dërguan edhe një kërkesë të tretë, por këtë herë me një shënim ku iu përgjëroheshin Dëshmitarëve të ngeleshin të pastër nga gjaku. (Veprat 20:26, 27) Levani shprehet: «Ishte periudha e Vitit të Ri dhe nuk para shkonim te njerëzit në atë kohë. Por nuk mund ta linim më pas dore këtë çift.»

Roini dhe Nana Grigalashvili, ky çift i etur për Biblën, s’u besonin dot syve kur një mëngjes të ftohtë panë Levanin me një vëlla tjetër para derës së tyre. Filluan menjëherë një studim biblik. Roini dhe Nana tani shërbejnë si pionierë të rregullt së bashku me fëmijët.

Përpjekje të vazhdueshme për të gjetur të interesuarit

Ata që pranuan të vërtetën ishin kaq mirënjohës, sa jepnin pa kursim kohën, energjinë dhe të ardhurat që t’u flitnin të tjerëve për lajmin e mirë. Pavarësisht nga përgjegjësitë familjare, Badri dhe Marina Kopaliani ishin mes atyre që udhëtuan pareshtur nëpër fshatra të largëta për të ndihmuar njerëzit e sinqertë.

Gjatë fundjavëve, Badri, Marina dhe fëmijët e tyre adoleshentë, Goça dhe Levani, organizonin udhëtime për në rajonin e Dushetit, një zonë e bukur malore në veri të Tbilisit. Ndonjëherë udhëtonin rreth 150 kilometra në rrugë gjarpëruese që të arrinin fshatrat e largëta.

Një ditë, një grua ftoi në vendin e punës Badrin dhe të shoqen. Badri tregon: «U gjendëm në një dhomë të madhe ku po na pritnin 50 veta. Në fillim shtanga, por, pasi iu luta Jehovait, fillova të flitja për vargjet e Mateut 24 ku përmenden karakteristikat e ditëve të fundit. Një burrë pyeti i habitur: ‘Pse priftërinjtë tanë nuk na i thonë këto gjëra?’»

Përkujtimi tërheq vëmendje

Përkujtimi i vdekjes së Jezuit ishte një tjetër mundësi që shumë gjeorgjianë të sinqertë të dëgjonin të vërtetën. Për shembull, Përkujtimi që u mbajt në vitin 1990 në shtëpinë e motrës Badridze, në Tbilis, ngjalli mjaft interes në lagje.

Ia Badridzeja mirëpriti 200 veta në Përkujtimin që u mbajt në apartamentin e saj të vogël

Motra Badridze hapi apartamentin e saj modest për Përkujtimin. Bashkë me fëmijët boshatisi dhomën e ndenjjes që të krijonte hapësirë. Por, si do të gjente aq karrige sa i duheshin për të ftuarit? Në Gjeorgji ishte e zakonshme që familjet të merrnin me qira tavolina e karrige në raste grumbullimesh të mëdha. Meqenëse ajo merrte vetëm karrige, pronarët e dyqaneve e pyetnin: «A nuk ju duhen edhe tavolina? Si do të hani?»

Motra Badridze ia doli të mikpriste të gjithë ata që erdhën në Përkujtim në apartamentin e saj në katin e 13-të. Ishte e mahnitshme të shihje 200 të pranishëm! Jo më kot shumë fqinjë bënin pyetje rreth Dëshmitarëve të Jehovait.

Një Përkujtim i paharrueshëm

Për Përkujtimin e vitit 1992 u morën me qira salla të mëdha në disa pjesë të vendit. Davit Samkaradzeja, i cili jetonte në Gor, kujton se si mbikëqyrësi udhëtues i pyeti se çfarë planesh kishin bërë për Përkujtimin.

Me të mësuar se lajmëtarët po planifikonin të mblidheshin në një shtëpi private, pyeti: «A nuk e keni një sallë më të madhe në qytet? Pse të mos e merrni me qira?» Meqë lajmëtarët ishin pak më shumë se 100 veta dhe salla mbante më tepër se 1.000 veta, atyre s’iu duk e nevojshme ta merrnin me qira.

Atëherë mbikëqyrësi sugjeroi: «Nëse çdo lajmëtar fton 10 veta, salla do të mbushet plot.» Në fillim këshilla e tij dukej jorealiste, por lajmëtarët u përpoqën me gjithë zemër që ta zbatonin. Për habinë dhe kënaqësinë e tyre, Përkujtimin e ndoqën plot 1.036 veta! *

Pionierë të zellshëm shkojnë në territore të reja

Aty nga viti 1992, në disa rajone të Gjeorgjisë populli i Jehovait nuk e kishte çuar ende mesazhin e Biblës. Po si mund të shkonin në këto territore të reja ndërkohë që vendi ishte zhytur në krizë ekonomike?

Tamazi Biblaia, i cili në atë kohë jetonte në Gjeorgjinë Perëndimore, sjell ndër mend: «Një mbikëqyrës udhëtues u takua me disa prej nesh që të diskutonte se ç’mund të bëhej. S’dinim shumë për mënyrën si duheshin organizuar pionierët specialë. Por e dinim se lajmi i mirë duhej predikuar urgjentisht.» (2 Tim. 4:2) Ndaj u zgjodhën 16 pionierë dhe u caktuan në zona të ndryshme anekënd vendit.​—Shih hartën në faqen tjetër.

Vendet ku u caktuan pionierët për pesë muaj

Në maj të 1992-shit, në Tbilis u mbajt një mbledhje prej tri orësh për të inkurajuar pionierët që ishin caktuar të predikonin në ato territore për pesë muaj. Çdo muaj pleqtë do t’i vizitonin që t’u forconin besimin dhe t’i mbështetnin materialisht po të ishte e nevojshme.

Dy motra pioniere, Manea Aduashvili dhe Nazi Zhvania, u caktuan në qytetin e Ozurgetit. Manea, që në atë kohë ishte 60 vjeçe, kujton: «E dinim se afër Ozurgetit jetonte një e interesuar. Kështu që, me të mbërritur, i rregulluam gjërat që ta takonim. Kur shkuam atje, ajo po na priste bashkë me 30 të tjerët që kishte ftuar. Atë ditë filluam disa studime biblike.»

Edhe në muajt vijues predikimi ishte po aq i frytshëm. Vetëm pas pesë muajsh, 12 veta ishin gati të pagëzoheshin.

Shpërblehet fryma e tyre vetësakrifikuese

Dy vëllezër pionierë, Pavle Abdushelishvilin dhe Paata Morbedadzen, i caktuan në Tsager. Ky qytet ndodhet në një rajon që është vatër e traditave të lashta të përziera me mësimet e krishterimit.

Peizazhi përreth Tsagerit

Teksa afrohej dimri i ashpër, caktimit pesëmujor të pionierëve po i vinte fundi dhe Paatën e ftuan që të ndihmonte me punën e përkthimit diku tjetër. Kështu që Pavlesë i duhej të merrte një vendim. Ai tregon: «E dija mirë që dimri në Tsager do të ishte i acartë. Por studentëve të Biblës iu nevojitej ndihmë e mëtejshme, kështu që vendosa të qëndroja.»

Ai sjell ndër mend: «Ndenja te një familje vendëse. Shumicën e ditës isha në predikim. Kurse në mbrëmje rrija me atë familje pranë sobës me dru, në dhomën e ndenjjes në katin e parë. Por, kur vinte momenti që të ngjitesha në dhomën time, vija kapelën e ngrohtë dhe mbulohesha me një batanije të trashë.»

Në pranverë, kur pleqtë erdhën të shihnin Pavlenë, 11 veta ishin kualifikuar si lajmëtarë të papagëzuar. Shumë shpejt, që të gjithë u pagëzuan.

^ par. 20 Në vitin 1992 në Gjeorgji kishte 1.869 lajmëtarë të zellshëm dhe Përkujtimin e ndoqën 10.332 të pranishëm.