Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 10

Ç’dobi mund të nxjerrësh nga mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait?

Ç’dobi mund të nxjerrësh nga mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait?

A ke qenë në ndonjë mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait? Nëse jo, mbase të duket pak e sikletshme të shkosh. Ndoshta pyet veten: «Çfarë bëhet në këto mbledhje? Pse janë të rëndësishme? Pse duhet të shkoj?» Në këtë mësim do të shohësh si të ndihmojnë mbledhjet të forcosh miqësinë me Perëndinë dhe të kesh jetë më të lumtur.

1. Cila është arsyeja kryesore pse mblidhemi?

Ja si e tregoi një shkrimtar i Biblës cila është arsyeja më e rëndësishme pse duhet të mblidhemi me të tjerët: «Në kongregacionin e madh, o Jehova, do të të lëvdoj.» (Psalmi 26:12) Edhe ne si Dëshmitarë të Jehovait kënaqemi shumë duke u mbledhur së bashku. Anembanë botës, mblidhemi çdo javë, adhurojmë Perëndinë, i këndojmë këngë e i lutemi. Ndërsa disa herë në vit marrim pjesë në mbledhje më të mëdha.

2. Çfarë do të mësosh në mbledhje?

Në mbledhje ‘shpjegohet qartë dhe zbërthehet domethënia’ e Fjalës së Perëndisë. (Lexo Neheminë 8:8.) Aty do të mësosh për Jehovain dhe për cilësitë e tij të mrekullueshme. Ndërsa e kupton sa shumë të do Perëndia, aq më e fortë do të bëhet miqësia juaj. Gjithashtu do të zbulosh si të ndihmon Jehovai të bësh një jetë më të lumtur.—Isaia 48:17, 18.

3. Ç’të mira të sjell shoqëria që do të gjesh në mbledhje?

Jehovai na udhëzon «të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për të shfaqur dashuri dhe për të bërë vepra të shkëlqyera, e të mos i lëmë pas dore mbledhjet tona». (Hebrenjve 10:24, 25) Në mbledhje do të njohësh njerëz që interesohen vërtet për njëri-tjetrin dhe që, ashtu si ti, duan të mësojnë më shumë për Perëndinë. Do t’i dëgjosh ndërsa shprehin mendime inkurajuese nga Bibla. (Lexo Romakëve 1:11, 12.) Veç kësaj, do të flasësh edhe me të tjerë që po ia dalin mbanë pavarësisht nga problemet. Këto janë vetëm disa nga arsyet pse Jehovai dëshiron të mblidhemi rregullisht me njëri-tjetrin!

SHQYRTO MË TEJ

Le të shohim çfarë bëhet në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe pse ia vlen çdo përpjekje për të qenë në këto mbledhje.

4. Mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait

Në shekullin e parë, të krishterët mblidheshin rregullisht me njëri-tjetrin për të adhuruar Jehovain. (Romakëve 16:3-5) Lexoni Kolosianëve 3:16 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Si e adhuronin Jehovain të krishterët e hershëm?

Edhe sot, Dëshmitarët mblidhen rregullisht për të adhuruar Perëndinë në Salla Mbretërie. Për të ditur çfarë bëhet në mbledhje, shihni VIDEON. Pastaj hidhini një sy figurës ku tregohet një mbledhje kongregacioni dhe diskutoni për këto pyetje:

  • Çfarë ngjashmërish vure re mes mbledhjeve që mbahen në një Sallë Mbretërie dhe asaj që lexove te Kolosianëve 3:16?

  • Çfarë të pëlqeu më tepër nga mbledhjet tek ajo që tregohej në video ose në figurë?

Lexoni 2 Korintasve 9:7 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Pse mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait janë falas?

Bashkë me mësuesin e Biblës hidhini një sy programit të njërës prej mbledhjeve për këtë javë.

  • Cila pjesë e mbledhjes të duket më interesante ose më e dobishme?

A e di se . . .

Në jw.org mund të gjesh informacion për vendet dhe për oraret e mbledhjeve në çdo cep të botës.

  1. A. Mbledhjet përfshijnë fjalime, demonstrime dhe video. Ato fillojnë dhe mbarojnë me këngë e lutje

  2. B. Në disa pjesë të mbledhjes mund të komentojnë edhe të pranishmit

  3. C. Të gjithë janë të mirëpritur—burra, gra, të moshuar e të rinj

  4. Ç. Mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait janë falas. Gjatë tyre nuk kërkohen para

5. Për të ndjekur mbledhjet, duhen përpjekje

Mendo pak për atë që bënte familja e Jezuit. Për të ndjekur një mbledhje të përvitshme, ata duhej të ecnin rreth tre ditë në këmbë nëpër një terren malor, nga Nazareti në Jerusalem. Lexoni Lukën 2:39-42 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • A ishte kollaj të shkoje deri në Jerusalem?

  • Pse edhe për ty mund të mos jetë kollaj të shkosh në mbledhje?

  • A mendon se ia vlejnë përpjekjet? Pse?

Bibla thotë se është shumë e rëndësishme të mblidhemi së bashku për të adhuruar Jehovain. Lexoni Hebrenjve 10:24, 25 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Pse duhet t’i ndjekim rregullisht mbledhjet?

DISA THONË: «Besimi te Zoti është personal. Ndaj, s’ka pse të mblidhemi me të tjerë.»

  • Cilat shkrime ose shembuj nga Bibla tregojnë çfarë do Jehovai?

PËRMBLEDHJE

Kur të ndjekësh mbledhjet, do të mësosh më shumë për Jehovain, do të forcosh miqësinë me të dhe do ta adhurosh bashkë me të tjerë.

Si do të përgjigjeshe?

  • Pse Jehovai na nxit të mblidhemi së bashku?

  • Çfarë do të mësosh në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait?

  • Sipas teje, ç’dobi tjetër mund të të sjellin mbledhjet?

Provo këtë

EKSPLORO

Ç’të bësh nëse ndihesh në siklet të shkosh në mbledhje? Shiko rastin e një burri i cili në fillim ndihej kështu, por pastaj nuk iu nda më mbledhjeve.

S’kemi për ta harruar kurrë përshëndetjen (4:16)

Shiko pse i pëlqyen mbledhjet një të riu dhe çfarë bëri për t’i ndjekur rregullisht.

Më pëlqyen shumë mbledhjet! (4:33)

Lexo si ia ndryshuan jetën pjesëtarit të një bande famëkeqe mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait.

«Nuk shkoja gjëkundi pa armë» (Kulla e Rojës, 1 korrik 2014)