Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PYETJA 2

A ka ndonjë formë jete vërtet të thjeshtë?

A ka ndonjë formë jete vërtet të thjeshtë?

A mund të formoheshin vërtet rastësisht më shumë se 200 llojet e qelizave që përbëjnë trupin e njeriut?

Trupi njerëzor është një nga strukturat më komplekse në univers. Përbëhet nga rreth 100 mijë miliardë qeliza të vockla​—qeliza të kockës, të gjakut, të trurit, sa për të përmendur disa.7 Në fakt, në trupin njerëzor ka më tepër se 200 lloje qelizash.8

Pavarësisht nga shumëllojshmëria mahnitëse për nga forma dhe funksioni, qelizat formojnë një rrjet të ndërlikuar e kompakt. Në krahasim me të, Interneti​—me miliona kompjuterët dhe kabllot që transmetojnë të dhëna me shpejtësi të lartë—​është i ngathët. Asnjë shpikje njerëzore nuk konkurron dot me mençurinë teknike që duket qartë edhe në qelizat më elementare. Si erdhën në ekzistencë qelizat që përbëjnë trupin njerëzor?

Çfarë pohojnë shumë shkencëtarë? Të gjitha qelizat e gjalla ndahen në dy kategori kryesore: me bërthamë dhe pa bërthamë të mirëfilltë. Qelizat njerëzore, shtazore dhe bimore kanë bërthamë. Ato bakteriale nuk kanë. Qelizat me bërthamë quhen eukariote, kurse ato pa bërthamë të mirëfilltë quhen prokariote. Meqë qelizat prokariote janë relativisht më pak komplekse se ato eukariote, shumë veta besojnë se qelizat shtazore dhe bimore duhet të kenë evoluar nga qelizat bakteriale.

Në fakt, shumë veta thonë se për miliona vjet, disa qeliza «të thjeshta» prokariote gëlltitnin qeliza të tjera, por nuk i tretnin. Përkundrazi, sipas kësaj teorie, «natyra» e pavetëdijshme gjeti një mënyrë se si të bënte jo vetëm ndryshime rrënjësore në funksionin e qelizave të gëlltitura, por edhe t’i mbante ato qeliza të përshtatura brenda qelizës «mikpritëse» kur kjo të shumohej.9 *

Çfarë thotë Bibla? Ajo thotë se jeta në tokë është produkt i një mendjeje inteligjente. Vër re logjikën e qartë të Biblës: «Sigurisht, çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.» (Hebrenjve 3:4) Një varg tjetër biblik thotë për Perëndinë: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti. . . . Krijesat që lëvizin, s’kanë të numëruar, krijesa të vogla e të mëdha.»​—Psalmi 104:​24, 25.

A mund të shfaqet qoftë edhe një qelizë «e thjeshtë» nga lëndë kimike të pajeta?

Çfarë zbulojnë provat? Përparimet në mikrobiologji u kanë lejuar shkencëtarëve të shohin në brendësinë mahnitëse të qelizave më të thjeshta të gjalla prokariote që njihen. Shkencëtarët evolucionistë teorizojnë se qelizat e para të gjalla duhet të kenë qenë pak a shumë si këto qeliza të thjeshta.10

Nëse teoria e evolucionit është e vërtetë, duhet të japë një shpjegim të kënaqshëm se si u formua rastësisht qeliza e parë «e thjeshtë». Nga ana tjetër, nëse jeta u krijua, duhet të ketë prova të projektit mjeshtëror edhe në krijesat më të vogla. Kështu, pra, le të bëjmë një vizitë brenda një qelize prokariote. Ndërkohë, pyet veten nëse një qelizë e tillë mund të lindë rastësisht.

MURI MBROJTËS I QELIZËS

Që të bësh një vizitë brenda një qelize prokariote, duhet të zvogëlohesh deri në një madhësi që është qindra herë më e vogël se pika në fund të kësaj fjalie. Jashtë qelizës të mban një membranë e fortë, por elastike, që vepron si një mur me llaç e tulla përreth një fabrike. Do të duheshin rreth 10.000 shtresa të kësaj membrane që të arrihej trashësia e një flete letre. Por membrana qelizore është shumë më e sofistikuar se muri me tulla. Në ç’kuptim?

Ashtu si muri rrethues i një fabrike, membrana qelizore mbron pjesën e brendshme nga mjedisi që mund të jetë armiqësor. Megjithatë, membrana nuk është e ngurtë; ajo e lejon qelizën «të marrë frymë», duke lënë që të hyjnë e të dalin molekula të vogla, si oksigjeni. Por, nuk lë të hyjnë pa lejen e qelizës ato molekula më komplekse që mund ta dëmtojnë. Gjithashtu, membrana i pengon molekulat e dobishme të largohen nga qeliza. Si i arrin të gjitha këto?

Mendo sërish për një fabrikë. Ajo mund të ketë roja, të cilët mbikëqyrin produktet që hyjnë e dalin nga portat që ndodhen në murin e fabrikës. Po kështu, në membranën qelizore janë fiksuar molekula proteinike të veçanta që veprojnë si porta dhe si roja.

Membrana qelizore ka «roja» që lejojnë vetëm kalimin e substancave specifike

Disa nga këto proteina (1) kanë një boshllëk në mes, që lejon vetëm lloje specifike molekulash të hyjnë e të dalin nga qeliza. Proteina të tjera janë të hapura në njërën anë të membranës qelizore (2) dhe të mbyllura në anën tjetër. Ato kanë një vend ankorimi (3) me formën që i përshtatet një substance specifike. Kur kjo substancë ankorohet aty, ana tjetër e proteinës hapet dhe e kalon atë përmes membranës (4). I gjithë ky aktivitet ndodh edhe në sipërfaqen e qelizës më të thjeshtë.

BRENDA FABRIKËS

Përfytyro sikur e ke kaluar «rojën» dhe tani je brenda qelizës. Pjesa e brendshme e qelizës prokariote është e mbushur me një lëng të pasur me lëndë ushqyese, kripëra dhe substanca të tjera. Qeliza i përdor këto lëndë të para për të prodhuar produktet që i nevojiten. Por ky proces nuk ndodh kuturu. Si një fabrikë e drejtuar me zotësi, qeliza organizon mijëra reaksione kimike që të ndodhin sipas një rregulli specifik dhe një kohe të përcaktuar.

Qeliza kalon shumë kohë duke bërë proteina. Si e bën këtë? Së pari, do të shohësh se qeliza prodhon rreth 20 njësi bazë ndërtuese të ndryshme, të quajtura aminoacide. Këto njësi bazë ndërtuese u çohen ribozomeve (5), të cilat mund të krahasohen me makineri automate që i lidhin aminoacidet sipas një rendi të përcaktuar për të formuar një proteinë specifike. Ashtu si në një fabrikë ku veprimet drejtohen nga një program kompjuterik qendror, shumë nga funksionet e qelizës drejtohen nga një «program kompjuterik» ose kod, i njohur si ADN (6). Ribozomet marrin nga ADN-ja një kopje me udhëzime të hollësishme që i tregojnë ç’proteinë të formojë dhe si ta formojë (7).

Ajo që ndodh gjatë formimit të proteinës, është vërtet një mrekulli. Çdo proteinë paloset në një formë unike tredimensionale (8). Është pikërisht kjo formë që përcakton punën e specializuar që do të bëjë proteina. * Përfytyro një linjë prodhimi ku montohen pjesë motori. Që motori të punojë, çdo pjesë duhet të jetë e ndërtuar saktë. Po kështu, nëse një proteinë nuk ndërtohet në mënyrë të saktë dhe nuk paloset tamam sipas formës së duhur, nuk do të jetë në gjendje ta bëjë siç duhet punën e saj e madje mund ta dëmtojë qelizën.

«Fabrika» qelizore​—Si bëhen proteinat?: Si një fabrikë e automatizuar, qeliza është plot makineri që montojnë dhe shpërndajnë produkte komplekse

Si e gjen rrugën proteina për të shkuar nga vendi ku u prodhua në vendin ku ka nevojë për të? Çdo proteinë e prodhuar nga qeliza ka të ngjitur një «etiketë adrese», e cila bën që proteina të çohet aty ku ka nevojë për të. Edhe pse çdo minutë prodhohen dhe shpërndahen me mijëra proteina, secila shkon në destinacionin e saktë.

Pse kanë rëndësi këto fakte? Molekulat komplekse nuk mund të riprodhohen vetë as në qenien e gjallë më të thjeshtë. Jashtë qelizës, ato shpërbëhen. Brenda qelizës, nuk mund të riprodhohen pa ndihmën e molekulave të tjera të ndërlikuara. Për shembull, enzimat duhen për të prodhuar një molekulë të veçantë energjetike që quhet adenozintrifosfat (ATF), por për të prodhuar enzimat duhet energji nga ATF-ja. Po kështu, ADN-ja (për këtë molekulë flet pjesa 3) duhet për të prodhuar enzimat, por për të prodhuar ADN-në duhen enzimat. Gjithashtu, proteina të tjera mund të prodhohen vetëm nga qeliza, por qeliza mund të bëhet vetëm me proteina. *

Mikrobiologu Radu Popa nuk është dakord me tregimin biblik të krijimit. Megjithatë, në vitin 2004, ai ngriti pyetjen: «Si mund ta prodhojë natyra jetën, nëse ne nuk ia dolëm megjithëse kishim nën kontroll gjithë kushtet e eksperimenteve?»13 Gjithashtu, tha: «Kaq kompleksë janë mekanizmat që duhen për funksionimin e një qelize të gjallë, sa shfaqja e tyre njëkohësisht dhe rastësisht duket e pamundur.»14

Nëse kjo grataçelë duhet të bjerë ngaqë ka një themel të dobët, a s’duhet të bjerë edhe teoria e evolucionit ngaqë nuk ka shpjegim për origjinën e jetës?

Çfarë mendon ti? Teoria e evolucionit përpiqet ta shpjegojë origjinën e jetës në tokë pa nevojën për një ndërhyrje hyjnore. Por, sa më shumë që zbulojnë shkencëtarët për jetën, aq më pak duket se ajo mund të jetë shfaqur rastësisht. Për të anashkaluar këtë dilemë, disa shkencëtarë evolucionistë duan ta shkëputin teorinë e evolucionit nga çështja e origjinës së jetës. Por, a të duket e arsyeshme kjo?

Teoria e evolucionit bazohet në idenë se një seri e gjatë aksidentesh fatlume prodhuan fillimisht jetën. Pastaj propozon se një seri tjetër ngjarjesh të rastësishme të padrejtuara nga dikush prodhoi larminë dhe kompleksitetin e mahnitshëm të të gjitha gjërave të gjalla. Mirëpo, nëse teorisë i mungon themeli, ç’do të ndodhë me teoritë e tjera që janë ndërtuar mbi të? Ashtu si një grataçelë e ndërtuar pa themele do të binte, edhe teoria e evolucionit që nuk mund të shpjegojë origjinën e jetës, do të bjerë.

Pasi ke shqyrtuar shkurtimisht strukturën dhe funksionin e një qelize «të thjeshtë», çfarë sheh: prova të shumë aksidenteve apo të një projekti gjenial? Nëse ende je i pasigurt, shiko pak më nga afër «programin universal» që kontrollon funksionet e të gjitha qelizave.

^ par. 6 Nuk ka asnjë provë eksperimentale që të tregojë se kjo gjë mund të ndodhë.

^ par. 18 Enzimat janë një shembull i proteinave që prodhon qeliza. Çdo enzimë paloset në një mënyrë të veçantë që të përshpejtojë një reaksion kimik të caktuar. Qindra enzima bashkëpunojnë për të rregulluar aktivitetet e qelizës.

^ par. 20 Disa qeliza në trupin e njeriut përbëhen nga rreth 10.000.000.000 molekula proteinike11 të disa qindra mijë llojeve të ndryshme.12