«Vërtet nuk bie kurrë shi në Limë?»
«Vërtet nuk bie kurrë shi në Limë?»
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË PERU
Nëse vizitoni Perunë, ka të ngjarë të dëgjoni dikë të thotë: «Nuk bie kurrë shi në Limë», kryeqyteti i këtij shteti. Duke u dridhur nga ajri shumë i ftohtë dhe i lagësht, mund të pyesni veten nëse është vërtet kështu.
LIMA ndodhet në shkretëtirën e madhe që shtrihet përgjatë bregut të Paqësorit, në Amerikën e Jugut—rajon që ka një nga klimat më të pazakonta në botë. Ky rrip i thatë toke shtrihet që nga shkretëtira e Sekurës, e cila ndodhet në pjesën më veriore të Perusë, deri në shkretëtirën e Atakamës , e cila ndodhet në veri të Kilit.
Shkretëtira bregdetare gjendet midis Andeve të thepisura dhe kaltërsisë së oqeanit Paqësor. Duke parë nga larg, përgjatë bregut nuk ka asgjë tjetër, përveç kodrave të thepisura dhe të zhveshura. Këto kodra me gurë dhe me rërë kanë një larmi nuancash të ngjyrës bezhë dhe kafe. Erozioni e ka mbuluar shumicën e shpateve të kodrave me shkëmbinj ngjyrë kafe, të cilët kanë rënë nga lart. Këta bien dalëngadalë nga shpatet dhe zbresin në det, hera-herës të shtyrë lehtë nga dridhjet e shpeshta të tokës që ndodhin këtu.
Sapo këta shkëmbinj arrijnë në breg, dallgët e Paqësorit i rrahin dhe pak nga pak i thërrmojnë duke i kthyer në rërë, me të cilën era krijon duna në formë gjysmëhëne. Në disa pjesë të kësaj shkretëtire të paanë nuk janë regjistruar reshje për 20 vjet, gjë që e bën atë një nga vendet më të thata në botë. Por, çfarë e bën kaq të thatë këtë zonë?
Andet—një strehë kundër shiut
Përgjigja ka lidhje me erërat alize, të cilat fryjnë nga lindja në perëndim. Kur ndeshen me kreshtat malore, të larta dhe të thepisura të Andeve, ato detyrohen të ngjiten lart. Gjatë ngjitjes për të kapërcyer Andet, erërat ftohen dhe kështu avujt që mbartin ato kondensohen e bien në formë shiu dhe dëbore, kryesisht në pjesën lindore të vargmalit. Kështu që malet shërbejnë si një strehë kundër shiut për shpatin perëndimor.
Përveç kësaj, as rryma e ftohtë e Perusë ose Rryma Humbolt, e cila vjen nga Antarktida dhe shkon në drejtim të veriut, dhe as era që fryn nga Paqësori Jugor nuk sjell shumë lagështirë. Të gjithë këta faktorë të marrë së bashku kanë bërë që ky vend të jetë një shkretëtirë jashtëzakonisht e thatë, edhe pse jo e nxehtë. Është për t’u çuditur që ndonëse rrallëherë bie shi, lagështia e ajrit
është shumë e madhe, sidomos gjatë dimrit peruan, i cili zgjat nga maji deri në nëntor. Nga vjen kjo lagështi?Garúaja
Në kohën e dimrit, bregu mbulohet nga një shtresë me re të ulëta dhe një mjegull e dendur, të cilën peruanët e quajnë garúa, vjen nga oqeani Paqësor. Gjatë kësaj stine mund të kalojnë muaj pa asnjë rreze dielli, duke bërë që rajoni të ketë një klimë shumë të ftohtë ose siç e quajnë disa, të zymtë. Edhe pse kjo zonë ndodhet në tropik, temperatura mesatare në dimër në Limë luhatet afërsisht nga 16 deri në 18 gradë Celsius. Në dimër lagështia relative mund të arrijë 95 për qind, pa rënë shi. Limenjosat, banorët e Limës, të cilët janë mësuar me klimën, vishen trashë për t’u mbrojtur nga të ftohtët e lagësht që të futet në palcë. *
Vesa e lehtë e shiut në dimër është e mjaftueshme për të lagur rrugët e Limës, si dhe për të risjellë në jetë bimësinë e fjetur të shkretëtirës, e cila ndodhet në kodrat e larta bregdetare. Kope të mëdha dhish, dhensh dhe gjedhësh përfitojnë nga kullotat e gjelbra që formohen. Për më tepër, që në fillim të viteve 90, disa qytete që ndodhen në shkretëtirë kanë përdorur mbledhës mjegulle, domethënë rrjeta të mëdha polipropileni ku kondensohet mjegulla. Kjo bëhet me qëllim që nga retë e ulëta të ngarkuara me avuj të përftohet ujë për të pirë dhe për të ujitur kopshtet.
Megjithatë, lagështira e përftuar nga mjegulla dhe retë nuk mjafton që bimët e egra të lulëzojë gjatë gjithë vitit. Sasia e përgjithshme e reshjeve në Limë rrallë i kalon 50 milimetrat në vit dhe vjen kryesisht nga kondensimi i garúas. Prandaj, të vetmet bimë të gjelbra që lulëzojnë në shkretëtirën bregdetare janë ato që ujiten nga lumenjtë e vegjël. Këta lumenj sjellin ujin jetëdhënës, duke
zbritur nga lartësitë e Andeve të mbuluara me dëborë. Të para nga lart, luginat e lumenjve të vegjël duken si fjongo të gjelbra që shtrihen përmes shkretëtirës.Jeta pa shi
Për të mbijetuar në këtë klimë të thatë, qytetërimet e lashta bregdetare të Perusë—si e Çimujve dhe e Moçikasve—ndërtuan sisteme ujitëse të ndërlikuara. Ashtu si ato të Egjiptit, këto projekte bujqësore me shtrirje të gjerë ishin një mbështetje për qytetërimet mjaft të organizuara. Duke përdorur tulla qerpiçi peruanët e lashtë ndërtuan qytete mjaft të zhvilluara, të cilat kishin tempuj-piramidë, mure të mëdha dhe rezervuarë. Për shkak të sasisë së paktë të shiut, këto rrënoja janë ruajtur në një gjendje të mirë, duke u dhënë arkeologëve një imazh të qartë të jetës në Peru përpara ardhjes së Kolombit. Sot shumë vendbanime bregdetare varen
ende nga ujësjellësit dhe kanalet e restauruara që u ndërtuan mijëra vjet më parë.Banorët e hershëm të shkretëtirës e kuptuan se toka e shkretëtirës bëhet shumë pjellore kur ujitet. Projektet për ujitje, të cilat janë realizuar në bregdetin e Perusë në kohët moderne, sigurojnë ujin e nevojshëm për kultivimin e një shumëllojshmërie të mbjellash. Këto përfshijnë pambukun, orizin, misrin, kallamsheqerin, rrushin, ullirin, shpargullin, si edhe fruta e perime të tjera. Në kohën e sotme, nga 27 milionë banorë, i cili është numri i popullsisë së Perusë, më shumë se gjysma jetojnë përgjatë rripit të ngushtë bregdetar.
Kur bie shi
Megjithatë ndonjëherë bie shi në disa pjesë të shkretëtirës, përfshirë edhe Limën. Një herë në disa vjet, rryma e ujërave të freskëta të Perusë ia lë vendin ujërave më të ngrohtë që vijnë nga Paqësori Perëndimor. Kjo dukuri, e njohur si El Ninjo, lajmëron ardhjen e afërt të shiut. Disa El Ninjo mjaft të fuqishëm goditën në vitin 1925, 1983 dhe në vitin 1997-1998. Kuptohet që banorët e shkretëtirës, të cilët thuajse nuk shikojnë fare shi me sy, janë të papërgatitur për rrebeshet dhe përmbytjet që vijnë si pasojë.
Një përmbytje e tillë ndodhi në Ike të Perusë, në vitin 1998. Lumi Ike përmbyti zona të mëdha të qytetit dhe shtëpitë e bëra me tulla balte u shembën krejt. Pjesë të tjera të shkretëtirës u gjallëruan pasi thithën lagështirën, duke u kthyer në kullota me bar të harlisur. El Ninjoja i fundit e shndërroi pjesën më të madhe të shkretëtirës Sekura në një kopsht të gjelbër të stolisur me lule të bukura. Kjo gjë na kujton premtimin e Perëndisë se një ditë ‘shkretëtira do të lulëzojë si trëndafili’. (Isaia 35:1) Shirat e bollshëm formuan në shkretëtirë edhe një liqen mjaft të madh, i cili sipas llogaritjeve ishte rreth 300 km i gjatë dhe 40 km i gjerë. Gazetat i vunë atij nofkën La Ninja.
Shkretëtira e madhe bregdetare e Perusë është padyshim një nga mrekullitë e shumta natyrore që ka planeti ynë. Edhe pse atje rrallëherë bie shi, nëpërmjet ujitjes dhe përdorimit të duhur të ujit që është kaq i çmuar, kjo tokë e thatë është bërë një banesë e këndshme për miliona njerëz.
[Shënimi]
^ par. 11 Në verë, kur temperaturat arrijnë në 20 ose 27 gradë Celsius, banorët e Limës heqin rrobat e trasha dhe kënaqen në plazhet e shumta dhe të mrekullueshme që ndodhen përgjatë bregut.
[Kutia dhe figura në faqen 27]
Pasuri nga plehrat
Për mijëvjeçarë të tërë, detet me ujë të ftohtë dhe të pasur me lëndë ushqyese të bregut perëndimor të Perusë kanë siguruar ushqim—kryesisht sardele dhe açuga—për miliona zogj deti. Për shkak të shiut të paktë që bie në këtë zonë, me kalimin e viteve glasat e zogjve u grumbulluan në pirgje tepër të mëdha në ishujt bregdetarë—ndonjëherë më shumë se 30 metra të lartë. Përpara ardhjes së spanjollëve, u zbulua se këto glasa, të quajtura guano në gjuhën e indianëve Keçua, ishin pleh i shkëlqyer. Në gjysmën e fundit të shekullit të 19-të, guano u bë një produkt eksporti mjaft i suksesshëm për Perunë, derisa u zëvendësua në tregun botëror me plehrat kimike. Që atëherë, grumbullimet e vjetra janë boshatisur. Sot furnizimet vijnë përgjithësisht nga prodhimi i tanishëm i zogjve.
[Harta në faqen 24]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Limë
[Figura në faqen 25]
Vija bregdetare e Paqësorit, në jug të Limës
[Burimi]
© Yann Arthus-Bertrand/CORBIS
[Figura në faqen 25]
Shkretëtira e Sekurës përgjatë bregut peruan
[Figurat në faqen 26]
Panele mbledhëse të mjegullës në Mehia të Perusë
Kanalet e hershme inkase funksionojnë ende në Ojantaitambo të Perusë
[Burimet]
Jeremy Horner/CORBIS; fotografia brenda: Me mirësjelljen e organizatës bamirëse FogQuest; www.fogquest.org
[Figura në faqen 26]
Rrebeshet, të cilat ishin pasojë e dukurisë El Ninjo, shkaktuan përmbytje të mëdha në Ike të Perusë më 30 janar 1998
[Burimi]
AP Photo/Martin Mejia