Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur fëmija juaj ka temperaturë

Kur fëmija juaj ka temperaturë

Kur fëmija juaj ka temperaturë

«Nuk jam mirë!» Kur fëmija ankohet kështu, ndoshta menjëherë i matni temperaturën. Nëse ka temperaturë, me të drejtë mund të alarmoheni.

Sipas një studimi të bërë nga Qendra Mjekësore për Fëmijë e Universitetit «Xhons Hopkins», në Baltimorë të Merilendit, SHBA, 91 për qind e prindërve besonin se «edhe temperatura jo shumë e lartë mund të sillte të paktën një pasojë të dëmshme, si për shembull kriza të rënda ose dëmtime të trurit». I njëjti studim tregon se «89% e prindërve i jepnin fëmijës ilaçe për uljen e temperaturës para se temperatura e tij të arrinte 38,9 gradë celsius».

Por deri në ç’pikë duhet të alarmoheni kur fëmija ka temperaturë? Dhe cilat janë mënyrat më të mira për ta trajtuar?

Roli i rëndësishëm i temperaturës

Çfarë e shkakton temperaturën e lartë? Ndonëse temperatura normale mesatare e trupit është rreth 37 gradë celsius (e matur nga goja), gjatë ditës temperatura e një individi zakonisht luhatet me një vijë ose më shumë. * Kështu që temperatura juaj mund të jetë më e ulët paradite dhe më e lartë pasdite vonë. Hipotalamusi, që ndodhet te baza e trurit, rregullon temperaturën e trupit, ashtu siç bën një termostat. Ngritja e temperaturës ndodh kur sistemi imunitar, me sa duket, si përgjigje ndaj ndonjë sulmi bakteror ose virusal, prodhon në gjak disa lëndë që rritin temperaturën, të cilat quhen pirogjene. Kjo bën që hipotalamusi «ta rregullojë» temperaturën duke e ngritur atë.

Ndonëse temperatura e lartë mund të shkaktojë shqetësim dhe humbje të lëngjeve, nuk është me patjetër një gjë e keqe. Në të vërtetë, sipas Fondacionit «Mejo» për Arsimim dhe Kërkime në Mjekësi, duket se ngritjet e temperaturës luajnë një rol kyç për të ndihmuar trupin të luftojë infeksionet bakterore dhe virale. «Viruseve që shkaktojnë gripin dhe infeksione të tjera të rrugëve të frymëmarrjes u pëlqejnë temperaturat e ulëta. Duke e ngritur pak temperaturën, faktikisht trupi juaj mund të jetë duke u përpjekur të asgjësojë virusin.» Prandaj, ky fondacion më tej pohon se «nuk është e nevojshme të ulësh temperaturën kur ajo nuk është shumë e lartë dhe kjo mund të pengojë mekanizmat natyrorë të shërimit te fëmija». Madje është interesante që një spital në Meksikë i trajton disa sëmundje duke ngritur temperaturën e trupit. Ky trajtim quhet hipertermi.

Dr. Al Saketi i Kolegjit Amerikan të Mjekëve të Urgjencës thotë: «Në vetvete temperatura rrallëherë është problem. Gjithsesi ajo tregon se mund të ketë një infeksion. Prandaj, kur një fëmijë ka temperaturë, duhet t’i kushtohet vëmendje kryesore fëmijës dhe infeksionit të mundshëm, e jo asaj që shënon termometri.» Akademia Amerikane e Pediatrisë vëren: «Në përgjithësi, temperatura nën 38,3 gradë celsius nuk ka nevojë të trajtohet, me përjashtim të rasteve kur fëmija ka shumë siklet ose kur ka pasur në të kaluarën ethe me spazma. Edhe temperaturat më të larta se kaq nuk janë në vetvete të rrezikshme ose të rëndësishme veç rasteve kur në të kaluarën fëmija ka pasur spazma ose kur ka ndonjë sëmundje kronike. Më shumë rëndësi ka të vërehet si po sillet fëmija. Nëse ai po ha dhe po fle mirë e është shumë i gjallë, ndoshta nuk ka nevojë për ndonjë trajtim.»

Si ta trajtoni temperaturën jo shumë të lartë?

Kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëni asgjë për t’u kujdesur për fëmijën tuaj. Disa specialistë të mjekësisë japin këshillat e mëposhtme për të trajtuar një temperaturë jo shumë të lartë: mbajeni dhomën e fëmijës të freskët aq sa ai të ndihet rehat. Visheni lehtë fëmijën. (Nxehtësia e tepërt mund ta shtojë temperaturën e lartë) Nxiteni fëmijën që të pijë më shumë lëngje, si ujë, lëng frutash të holluar, dhe supa, sepse temperatura e lartë mund të çojë në humbje të lëngjeve. * (Pijet që përmbajnë kafeinë si kola dhe çaji i zi janë diuretike dhe mund të shkaktojnë edhe më tepër humbje të lëngjeve.) Foshnjave duhet të vazhdoni t’u jepni gji. Mos përdorni ushqime që mezi treten, pasi temperatura e lartë e ngadalëson punën e stomakut.

Kur fëmijës i ngrihet temperatura më shumë se 38,9 gradë celsius, shpesh për ta ulur i jepet një ilaç pa recetë siç është paracetamoli ose ibuprofeni. Megjithatë, është e rëndësishme që të merret doza e përcaktuar në etiketë. (Fëmijëve nën dy vjeç nuk u duhet dhënë asnjë ilaç pa këshillën e mjekut.) Ilaçet për uljen e temperaturës nuk janë antivirale. Prandaj, nuk e përshpejtojnë shërimin e fëmijës nga gripi ose nga ndonjë sëmundje tjetër e ngjashme me të, por mund të lehtësojnë sikletin. Disa specialistë këshillojnë që fëmijëve nën 16 vjeç nuk u duhet dhënë aspirinë për të ulur temperaturën, meqë ajo lidhet me sindromin Rei—një sëmundje që mund të kërcënojë jetën. *

Gjithashtu temperatura mund të ulet duke e lagur tërë trupin me një sfungjer. Uleni fëmijën në një govatë, ku është hedhur pak ujë i vakët, dhe lageni me sfungjer. (Mos përdorni alkool për fërkim, meqë mund të jetë helmues.)

Kutia shoqëruese ka disa informacione të dobishme në lidhje me rastet kur dikush mund të vendosë të thërrasë mjekun. Kujdesi mjekësor është i rëndësishëm sidomos për dikë që jeton në zonat ku janë shumë të përhapura ethe të tmerrshme, të tilla, si: ethet e dengës, ethet e Ebolës, ethet e tifos ose ethet e verdha.

Në përgjithësi, pra, mënyra më e mirë për të vepruar është ta bëni fëmijën të ndihet më rehat. Kujtoni që rrallëherë temperatura është aq e lartë sa të shkaktojë dëmtime nervore ose vdekje. Edhe krizat që shkaktohen nga temperatura e lartë, ndonëse alarmuese, zakonisht nuk lënë pasoja të përhershme.

Sigurisht, parandalimi është ilaçi më i mirë, dhe një ndër mënyrat më të efektshme për të mbrojtur fëmijën nga infeksionet është t’i mësoni atij ose asaj rregullat themelore të higjienës. Fëmijët duhen mësuar t’i lajnë duart shpesh, sidomos para se të hanë, pasi kanë shkuar në banjë, pasi kanë kaluar kohë në një vend publik me shumë njerëz ose pasi kanë përkëdhelur kafshët. Në qoftë se, megjithëse keni treguar kujdesin më të madh, një ditë fëmija do të ketë pak temperaturë, mos reagoni në mënyrë të tepruar. Siç e pamë, ka shumë gjëra që mund të bëni për të ndihmuar fëmijën ta marrë veten.

[Shënimet]

^ par. 6 Temperatura mund të ndryshojë në varësi të pjesës së trupit ku matet dhe të llojit të termometrit që përdoret.

^ par. 10 Shih numrin e Zgjohuni! të 8 prillit 1995, faqe 11 (anglisht), për të parë si përgatitet sipas një recete një lëng rihidratues që mund të përdoret në rastet kur temperatura e lartë shoqërohet me diarre ose të vjella.

^ par. 11 Sindromi Rei është një sëmundje nervore akute, që mund të shfaqet te fëmijët pas një infeksioni viral.

[Kutia në faqen 27]

Thërritni mjekun, në rast se një fëmijë me temperaturë . . .

▪ Është tremuajsh ose më i vogël dhe ka një temperaturë të zorrës së trashë 38 gradë celsius ose më të lartë

▪ Është tre deri në gjashtëmuajsh dhe ka temperaturë 38,3 gradë celsius ose më të lartë

▪ Është më i madh se gjashtë muaj dhe ka një temperaturë 40 gradë celsius ose më të lartë

▪ Nuk pranon të pijë lëngjet dhe ka shenja se ka humbur tepër lëngje

▪ Ka një krizë të rëndë ose është tejet i topitur

▪ Ka ende temperaturë pas 72 orësh

▪ Qan pa pushim ose ka shenja hutimi a flet përçart

▪ Mbushet me pulla të kuqe, ka vështirësi në frymëmarrje, diarre ose të vjella të vazhdueshme

▪ E ka qafën të ngrirë ose ka dhembje koke të forta e të papritura

[Burimi]

Burimi: Akademia Amerikane e Pediatrisë