Të bukura dhe të shijshme
Të bukura dhe të shijshme
SODIT një kopsht me lule dhe menjëherë do të provosh ndjenja kënaqësie. Sytë shijojnë ngjyrat e luleve, format dhe mënyrën e ndërlikuar në të cilën janë krijuar. Ndien aromën e tyre. Prek petalet dhe ndien se sa ndryshe janë nga njëra-tjetra. Por, ç’shije mund të kenë? A mund të provosh kënaqësi edhe nëse ha ndonjë lule? Në disa vende, për shekuj me radhë, njerëzit janë kënaqur me shijen e disa luleve të ngrënshme. Nëse keni në kopshtin tuaj një prej luleve ose perimeve që do të flasim më poshtë, mund të provoni t’i shijoni edhe ju. Mund t’ju pëlqejnë. *
Trëndafili romantik
Përreth botës, trëndafili (gjinia Rosa) është ndoshta lulja më e njohur dhe më e pëlqyer. Përveç llojeve kryesore, gjenden edhe mijëra varietete hibride. Duke qenë se shija ndikohet nga faktorë të tillë, si dheu dhe temperatura, është e këshillueshme që, në fillim, të shijohet një petale e trëndafilit ose e çfarëdo luleje tjetër, para se të vendosni për ta përdorur si ushqim. Ndoshta do të vëreni se fundi i petales është paksa i hidhur. Nëse është kështu, hiqeni atë pjesë, ose po të përdorni të gjithë lulen hani vetëm pjesët anësore.
Lista e ushqimeve, që mund t’u shtohet shija e trëndafilit, është gati e pafund. Provojini në sallatë, ndoshta me djathë të njomë dhe me copa arrash. Përdorni petalet e shtypura të trëndafilave të kuq si një përbërës shtesë në salcën tuaj të preferuar për t’i shtuar shije dhe ngjyrë. Si thoni sikur t’i përdorni petalet e prera në rripa për t’i dhënë dorën e fundit makaronave spageti që po përgatitni? Trëndafilat gjithashtu do t’i japin edhe më shumë shije akullores dhe pijes suaj të preferuar.
Lulet e kungullit
Të dhënat që tregojnë për përdorimin e luleve të kungullit (Cucurbita pepo) si ushqim në Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut, datojnë në shekullin e 16-të. Duket se indigjenët e Amerikës hanin vetëm lulet mashkull (ato që kanë një kërcell të gjatë dhe të hollë) me qëllim që lulet femër (ato që kanë një kungull shumë të vogël pas tyre) të riprodhoheshin. Përpara se t’i gatuani lulet, hiqni mënjanë gjethet me gjemba. Pistilat mund të hiqen ose të lihen. Në supat dhe në pjatën e parë, shija e lehtë e luleve të kungullit shkon shumë me vaj ulliri, me misër të njomë dhe me vetë kungullin. Për një shije më të fortë, skuqini lulet me pak qepë, hudhër dhe erëza, sipas dëshirës. Gjithashtu mund t’i mbushësh lulet me një përzierje me djathë, qepë dhe erëza. Rrihini mënjanë të bardhat e vezëve dhe shtojini më pas të verdhat. Pasi i keni mbushur, mbyllini lulet nga njëra anë dhe pastaj futini në vezët e rrahura. Në fund, lyejini lulet me bukë të thërrmuar, skuqini shumë, pastaj provoni shijen e tyre unike.
Manushaqja shumëngjyrëshe e kopshteve
Manushaqet dyngjyrëshe ose tringjyrëshe (Viola wittrockiana) të kopshteve, kanë njolla të errëta karakteristike në petale, që u japin atyre një pamje të jashtëzakonshme. Sipas një enciklopedie, Encyclopædia Britannica, zakonisht është menduar se manushaqja e kopshteve, është një formë e kultivuar e manushaqes së egër, ose manushaqes surratkë (Viola tricolor), me ngjyrë vjollcë, të bardhë dhe të verdhë. Kjo lule e egër është gjithashtu e
ngrënshme, por sipas librit Lulet e ngrënshme—Nga kopshti në qiellëz (anglisht), ajo «mund të jetë helmuese nëse përdoret në sasi të mëdha». Ajo i jep një shije më të mirë dhe një pamje më të bukur sallatave me fruta dhe atyre me perime. Përdoreni të gjithë lulen dhe shtojeni në sallatë pak minuta përpara se ta servirni, dhe pastaj mund të hidhni ndonjë salcë sallate. Gjithashtu mund ta përdorni edhe në supën tuaj të preferuar.Lulja e tretë e ngrënshme e gjinisë Viola është manushaqja e merme e kopshteve, ose manushaqja angleze (Viola odorata), që shkon shumë me ëmbëlsirat dhe me pijet. (Shih kutinë «Lule të ëmbla për pije».) Mendohet se asnjë lule tjetër e gjinisë Viola nuk është e ngrënshme.
Zambaku plot jetë
Karakteristika të një lloji të veçantë zambaku, që jeton vetëm një ditë (gjinia Hemerocallis), janë gjethet e gjata, të holla dhe të shumta që i dalin nga rrënja. Lulja e tij, që rri shumë pak kohë e çelur, nuk duhet ngatërruar me lulet e zambakëve të tjerë që janë pjesë e së njëjtës familje, Liliaceae. Këta lloj zambakësh, ngjyrat e të cilëve radhiten nga e verdha tek e kuqja, prej kohësh janë përdorur si ushqim. Këto lule, të gatuara lehtë, mund të serviren si perime. Një mundësi tjetër është të përzieni petalet e tyre me përbërës të tjerë ushqimorë sipas dëshirës dhe të përgatitni me to një brumë jo shumë të fortë, e pastaj ta skuqni. Për ta zbukuruar mund të vendosni një lule të tërë.
Disa lule të tjera të ngrënshme
Lulja juka (gjinia Yucca), e cila rritet kryesisht në vende me klimë të thatë ose me pak reshje shiu, është e pasur me vitamina dhe kalcium. Hani vetëm petalet; më parë ndoshta do t’ju duhet t’u jepni një valë të lehtë që t’u hiqni hidhësinë. Lulet e limonit (Citrus limon), të portokallit (Citrus sinensis), dhe lulet e mendrës ose nenexhikut (gjinia Mentha) mund t’u japin një shije të shkëlqyer pijeve, sallatave dhe ëmbëlsirave. *
Pa dyshim, lulet janë një dhuratë për shqisat tona dhe një element i rëndësishëm për ta shijuar më shumë jetën. Në të vërtetë, ato na japin një arsye më tepër për të falënderuar Krijuesin tonë të dashur.
[Shënimet]
^ par. 2 Për një identifikim të saktë janë vendosur edhe emrat botanikë.
^ par. 14 Këto nuk janë të vetmet lule të ngrënshme, por përpara se të hani çdo lloj luleje tjetër, hetojini me shumë kujdes për të parë nëse janë të ngrënshme apo jo.
[Kutia dhe figurat në faqen 24]
LULE TË ËMBLA PËR PIJE
Vendosni një petale ose një lule të vogël në çdo nëndarje të kutisë së akullit përpara se ta mbushni me ujë. Pastaj vendoseni në ngrirje si zakonisht. Përdorini këta kubikë akulli në pijen tuaj të preferuar.
[Burimi]
Përshtatur nga El Cultivo de Hierbas.
[Kutia dhe figurat në faqen 24]
LULE TË LYERA ME SHEQER
Rrihni një të bardhë veze dhe duke përdorur një furçë shumë të hollë, vendosni një shtresë shumë të hollë mbi çdo lule të thatë e të pastër. Sigurohuni që t’i lyeni petalet në të gjitha anët. Me një sitë shpërndani me kujdes sheqer të imët mbi petalet. Shkundeni sheqerin e tepërt dhe lërini lulet të thahen për disa orë.
[Burimi]
Përshtatur nga Cook’s Thesaurus.
[Kutia në faqen 24]
PARALAJMËRIME TË RËNDËSISHME
Disa lule janë helmuese. Përcaktoni shumë mirë ato që janë të ngrënshme. Nëse nuk jeni të sigurt, mos i hani.
Mos hani asnjë lule që është trajtuar me pesticide ose me ndonjë kimikat tjetër. (Shpesh kjo mund të jetë e vërtetë për lulet e sjella nga luleshitësit, nga serrat dhe nga disa fidanishte.) Hani vetëm lulet që rriten në mënyrë organike dhe larg rrugëve ku kalojnë automjetet.
Njerëzit që vuajnë nga astma ose që janë alergjikë ndaj bimëve, nuk duhet të hanë lule.
Ashtu si frutat dhe zarzavatet, lulet duhet të lahen dhe të dezinfektohen, sidomos kur hahen pa u gatuar.
[Figura në faqen 23]
Trëndafil
[Figura në faqen 23]
Lule kungulli
[Figura në faqen 23]
Manushaqe
[Figura në faqen 23]
Zambak
[Figurat në faqen 24]
Lule limoni