Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

U bëra ballë vështirësive për t’i shërbyer Perëndisë

U bëra ballë vështirësive për t’i shërbyer Perëndisë

U bëra ballë vështirësive për t’i shërbyer Perëndisë

TREGUAR NGA IVAN MIKITKOVI

«Nëse do të qëndrosh në qytetin tonë, do të përfundosh prapë në burg»,​—më paralajmëroi oficeri i Komitetit të Sigurimit të Shtetit Sovjetik (KGB). Sapo më kishin liruar pas një dënimi me 12 vjet burgim. Babai dhe nëna ishin shumë të sëmurë dhe kishin nevojë për kujdesin tim. Si t’ia bëja?

LINDA në vitin 1928, në fshatin Tsaul, Moldavi. * Kur isha një vjeç, babai im, Aleksandri, shkoi në Jash të Rumanisë, ku takoi Studentët e Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Kur u kthye në Tsaul, u tregoi familjes dhe fqinjëve gjërat që kishte mësuar prej Dëshmitarëve. Shpejt, në Tsaul u formua një grup i vogël Studentësh të Biblës.

Meqe isha më i vogli nga katër fëmijët​—të gjithë djem​—​që në fëmijëri isha i rrethuar nga njerëz që u kushtonin shumë rëndësi gjërave frymore, të cilët më dhanë një shembull të mirë. Me kalimin e kohës kuptova qartë se shërbimi ndaj Jehovait do të ngjallte kundërshtim, dhe prandaj do të ishte i vështirë. Më kujtohet si sot kur policia kontrollonte here pas here shtëpinë tonë, për të gjetur se ku e kishim fshehur literaturën biblike. Këto gjëra nuk më frikësonin. Nga studimi familjar i Biblës mësova se Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, si edhe dishepujt e tij, ishin përndjekur. Shpesh, gjatë mbledhjeve na thuhej se dishepujt e Jezuit duhej të prisnin përndjekje.​—Gjoni 15:20.

I forcuar për të përballuar përndjekje

Më 1934, kur isha vetëm gjashtë vjeç, në kongregacionin tonë në Tsaul u lexua një letër që fliste për vuajtjet e bashkëbesimtarëve tanë të krishterë në Gjermaninë naziste. U inkurajuam që të luteshim për ta. Ndonëse isha i vogël, kurrë nuk e harrova atë letër.

Katër vjet më vonë u përballa me sprovën e parë të besnikërisë sime. Gjatë orës së fesë që bënim në shkollë, prifti ortodoks më urdhëroi disa herë të vija një kryq në qafë. Meqë nuk pranova, ai u tha të gjithë fëmijëve të tregonin kryqin që mbanin në qafë, i cili provonte se ishin anëtarë shembullorë të kishës. Pastaj, duke treguar me gisht nga unë, prifti e pyeti klasën: «A doni që në klasën tuaj të keni një si ai? Kush nuk do, le të ngrejë dorën.»

Ngaqë kishin frikë nga prifti, të gjithë nxënësit ngritën duart. «E shikon,​—tha prifti,​—askush nuk do që të shoqërohet me ty. Dil menjëherë nga kjo ndërtesë!» Disa ditë më vonë, drejtori i shkollës më erdhi në shtëpi. Pasi foli me prindërit, ai më pyeti nëse doja të shkoja prapë në shkollë. I thashë se doja. «Për sa kohë të jem unë drejtor,​—tha ai,​—ti do të shkosh në shkollë dhe prifti nuk do të të ndalojë dot.» Dhe vërtet, për sa kohë qe drejtor ai, prifti nuk më ra më në qafë.

Përndjekja shtohet

Më 1940, zona ku jetonim, e cila quhej Besarabi, u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Më 13 dhe 14 qershor 1941, të gjithë ata që merreshin me politikë dhe ishin njerëz të shquar u internuan në Siberi. Dëshmitarët e Jehovait nuk u prekën nga ky internim. Gjithsesi që nga ajo kohë, tregoheshim më të kujdesshëm kur drejtonim mbledhjet dhe kur predikonim.

Nga fundi i qershorit të vitit 1941, Gjermania naziste ndërmori një sulm të përgjithshëm dhe të befasishëm kundër Bashkimit Sovjetik, i cili deri në atë kohë kishte qenë aleat i saj. S’kaloi shumë dhe forcat rumune e pushtuan sërish Besarabinë. Pra, ramë përsëri nën sundimin e Rumanisë.

Dëshmitarët nga fshatrat fqinje që nuk pranuan të hynin në ushtrinë rumune, u arrestuan dhe shumica u dënuan me 20 vjet punë të detyruar. Babanë e thirrën në rajonin e policisë dhe e rrahën mizorisht ngaqë ishte Dëshmitar. Edhe mua më morën me forcë nga shkolla për të ndjekur shërbesat kishtare.

Lufta e Dytë Botërore e ndryshoi rrjedhën e saj. Në mars të vitit 1944, trupat sovjetike pushtuan me shpejtësi Besarabinë Veriore. Aty nga gushti ata kishin pushtuar të gjithë vendin. Në atë kohë isha adoleshent.

Shpejt pas kësaj, të gjithë burrat që ishin mirë me shëndet u rekrutuan në ushtrinë sovjetike. Por Dëshmitarët nuk pranuan të bënin kompromis lidhur me asnjanësinë. Prandaj dënoheshin me dhjetë vjet burgim. Në maj të vitit 1945, Lufta e Dytë Botërore në Evropë përfundoi me kapitullimin e Gjermanisë. Megjithatë shumë Dëshmitarë në Moldavi mbetën në burg deri në vitin 1949.

Fatkeqësitë e pasluftës

Pasi lufta mbaroi në vitin 1945, Moldavia vuajti nga një thatësirë e tmerrshme. Edhe pse ishte thatësirë, qeveria sovjetike vazhdoi t’u kërkonte fshatarëve një pjesë të mirë të prodhimit, në formë takse. Kjo çoi në një zi buke të tmerrshme. Në agim të vitit 1947, tashmë kisha parë shumë kufoma në rrugët e Tsaulit. Vëllai im, Jefimi, vdiq, kurse unë, për javë të tëra, ndihesha kaq i këputur nga uria, sa mezi lëvizja. Megjithatë zia e bukës kaloi dhe ne Dëshmitarët që mbijetuam, vazhduam shërbimin. Unë predikoja në fshatin tonë, kurse im vëlla, Vasili, i cili ishte shtatë vjet më i madh se unë, predikonte në fshatrat fqinje.

Meqë Dëshmitarët e intensifikuan shërbimin, autoritetet filluan të na vëzhgonin më me kujdes. Për shkak të predikimit dhe ngaqë nuk merrnim pjesë në çështjet politike e nuk shkonim ushtarë, qeveria sovjetike nisi kontrollet nëpër shtëpitë tona për të gjetur literaturën biblike dhe filloi me arrestimet. Më 1949, disa Dëshmitarë nga kongregacionet aty afër u internuan në Siberi. Edhe kësaj here, kush mbeti nga tanët u përpoq të tregohej më syhapët në shërbim.

Ndërkohë, mua më kishte filluar një problem i rëndë shëndetësor që sa vinte e rëndohej. Si përfundim, mjekët më thanë se kisha tuberkuloz në kocka dhe më 1950, këmbën e djathtë ma futën në allçi.

Internimi në Siberi

Më 1 prill 1951, ndërkohë që ende e kisha këmbën në allçi, bashkë me familjen dhe me Dëshmitarë të tjerë na arrestuan e na internuan në Siberi. * Kishim fare pak kohë për t’u bërë gati, kështu që mundëm të merrnim vetëm pak ushqim. Atë e mbaruam shpejt.

Më në fund, pasi kishim udhëtuar dy javë me tren, arritëm në Asino, në krahinën e Tomskut. Atje na zbritën si të ishim bagëti. Ndonëse bënte acar, ishte një mrekulli që po merrnim pak ajër të freskët. Në maj, kur shkriu akulli në lumë, na çuan me anije për në Torbë, 100 kilometra larg. Atje kishin ngritur një sharrë në tajgën siberiane ose në pyllin subarktik. Këtu filluam dënimin me punë të detyruar, që na thanë se do të zgjaste gjithmonë.

Ndonëse puna e rëndë në sharra nuk ishte njësoj si të ishe në burg, na mbanin vazhdimisht nën vëzhgim. Natën, flinim të gjithë si familje në një vagon. Për t’u mbrojtur gjatë dimrit që po afronte, atë verë ndërtuam shtëpi​—strehime të thjeshta, që një pjesë e kishin nën tokë dhe një pjesë mbi tokë.

Për shkak të allçisë që kisha në këmbë, shpëtova nga puna nëpër pyje dhe më ngarkuan të bëja gozhdë. Kjo punë më dha mundësi që fshehurazi, të ndihmoja në kopjimin e revistave Kulla e Rojës dhe të botimeve të tjera. S’di se si ato i sillnin fshehurazi në vendin tonë nga vende që ishin me mijëra kilometra larg, në Evropën Perëndimore.

I arrestuar dhe i burgosur

Më 1953 ma kishin hequr allçinë. Por ndërkohë, megjithëse përpiqesha të isha i kujdesshëm, KGB-ja kishte marrë vesh për aktivitetin tim frymor, përfshirë kopjimin e literaturës biblike. Prandaj, bashkë me Dëshmitarë të tjerë, më dënuan me 12 vjet në një kamp të burgosurish. Megjithatë, gjatë kësaj sprove, të gjithë mundëm të jepnim një dëshmi të mirë për Perëndinë tonë, Jehovain, dhe për qëllimet e tij të dashura për njerëzimin.

Më vonë, ne të burgosurve na çuan në kampe të ndryshme afër Irkutskut, qindra kilometra më në lindje. Këto kampe ishin ngritur si vende ndëshkimi për ata që konsideroheshin armiq të Shtetit Sovjetik. Që nga 8 prilli 1954 e deri në fillim të vitit 1960, e vuajta burgimin në 12 nga këto kampe pune. Pas kësaj, më çuan më shumë se 3.000 kilometra në perëndim, në kompleksin gjigant të burgjeve në Mordvin, rreth 400 kilometra në juglindje të Moskës. Atje pata privilegjin të shoqërohesha me Dëshmitarë besnikë nga shumë vise të Bashkimit Sovjetik.

Sovjetikët e kuptuan që po t’i linin Dëshmitarët të rrinin lirisht me të burgosur të tjerë, disa prej këtyre të fundit bëheshin Dëshmitarë. Prandaj në kompleksin e burgjeve në Mordvin, i cili përbëhej nga shumë kampe pune që vazhdonin për nja 30 kilometra a më tepër, u përpoqën të na izolonin që të mos rrinim afër të burgosurve të tjerë. Në kampin tonë kishte më shumë se 400 Dëshmitarë. Disa kilometra më tutje, në një kamp tjetër të këtij kompleksi ishin të paktën 100 motra të krishtere.

Në kamp isha shumë i angazhuar me organizimin e mbledhjeve të krishtere si edhe me shumëfishimin e literaturës biblike, që kishin futur fshehurazi. Siç duket, kjo gjë u ra në sy autoriteteve të kampit. S’kaloi shumë dhe në gusht të 1961-shit, më dënuan me një vit burgim në burgun famëkeq «Vladimir». Ai ishte burg i kohës së carit, rreth 200 kilometra në verilindje të Moskës. Deri në shkurt të 62-shit, atje gjendej i burgosur edhe piloti amerikan, Fransis Geri Pauers, avionin e të cilit e kishin rrëzuar më 1 maj 1960, ndërsa fluturonte mbi Rusi për një mision spiunazhi.

Kur isha në burgun «Vladimir» më jepnin ushqim sa për të mbajtur frymën gjallë. Urinë e përballova mirë, pasi isha mësuar me të që kur isha i vogël, por të ftohtin e tmerrshëm të viteve 1961-1962 mezi e durova. Tubat e ngrohjes u çanë dhe temperatura në qelinë time ra goxha nën zero. Një mjek e pa gjendjen time të mjerueshme dhe mori masa që të më transferonin në një qeli me kushte disi më të lehta, për të kaluar javët më të vështira të atij acari.

Ndihmë për të kaluar vështirësitë

Pasi ke kaluar muaj në izolim, mendimet negative mund të të shkurajojnë, dhe pikërisht këtë shpresonin autoritetet e burgut. Megjithatë, lutesha vazhdimisht dhe merrja forcë nga fryma e Jehovait dhe nga shkrimet që më kujtoheshin.

Sidomos kur isha në burgun «Vladimir», e gjeja veten në fjalët e apostullit Pavël që thoshte se jemi «të shtrënguar në çdo mënyrë, por jo aq ngushtë sa të mos lëvizim» dhe «jemi ndërdyshas, por jo fare pa rrugëdalje». (2 Korintasve 4:8-10) Pas një viti, u ktheva në kompleksin e Mordvinit. Në këto kampe, më 8 prill 1966, përfundova dënimin prej 12 vjetësh. Kur më liruan, në karakteristikën time shkruan se ishte «e pamundur të reformohet». Për mua kjo ishte një provë zyrtare që i kisha qëndruar besnik Jehovait.

Shpesh më kanë pyetur se si arrinim të merrnim dhe pastaj të shumëfishonim literaturën biblike në kampet dhe burgjet sovjetike, me gjithë përpjekjet për të na ndaluar. Siç tha një e burgosur politike nga Letonia, e cila kaloi katër vjet në kampin e grave në Potma, ky është një sekret që pak veta kanë mundur ta zbulojnë. Pasi u lirua në vitin 1966, ajo shkroi: «Në ndonjë mënyrë Dëshmitarët vazhduan të merrnin literaturë me bollëk. Pastaj përfundonte: «Ishte sikur engjëjt fluturonin natën dhe e hidhnin.» Vërtet, vetëm me ndihmën e Perëndisë e kryenim veprimtarinë tonë.

Disi më i lirë

Pas lirimit tim, ata që merrnin drejtimin në veprën e predikimit më thanë të shkoja në Ukrainën Perëndimore, pranë Moldavisë, që të ndihmoja vëllezërit atje. Megjithatë, si një ish-i burgosur, KGB-ja më kishte nën vëzhgim, prandaj isha shumë i kufizuar në atë që mund të bëja. Pas dy vjetësh, ngaqë rrezikoja të burgosesha prapë, shkova në Republikën Sovjetike të Kazakistanit, ku autoritetet i kontrollonin rrallë dokumentet. Pastaj, më 1969, kur prindërit u sëmurën rëndë, shkova në Ukrainë që të kujdesesha për ta. Atje, në veri të qytetit të madh të Doneckut, në qytetin e Artjomoskut, një oficer i KGB-së më kërcënoi që do të më fuste përsëri në burg, siç tregova në hyrje të artikullit.

Siç u mor vesh më vonë, oficeri vetëm sa po përpiqej të më frikësonte. Nuk kishte mjaft prova që të më dënonte. Meqë isha i vendosur të vazhdoja shërbimin e krishterë dhe KGB-ja do të më ndiqte këmba-këmbës kudo që të shkoja, vazhdova të kujdesesha për prindërit. Babai dhe nëna vdiqën që të dy besnik ndaj Jehovait. Babai vdiq në nëntor të vitit 1969, kurse nëna jetoi deri në shkurt të 1976-s.

Kur u ktheva në Ukrainë isha 40 vjeç. Ndërkohë që kujdesesha për prindërit atje, në kongregacionin tim ishte edhe një e re që quhej Maria. Ajo kishte qenë vetëm tetë vjeçe kur, ashtu si familjen time, edhe atë me prindërit e saj i kishin internuar nga Moldavia në Siberi, në fillim të prillit 1951. Maria më tha se këndoja bukur dhe kështu nisi miqësia jonë. Ndonëse që të dy ishim të zënë me shërbimin, gjenim kohë për të forcuar miqësinë tonë. Nga viti 1970 ia kisha mbushur mendjen që të martohej me mua.

Shpejt na lindi një vajzë, Lidia. Më 1983, kur Lidia ishte dhjetë vjeçe, një ish-Dëshmitar më spiunoi te KGB-ja. Deri në atë kohë kisha shërbyer afro dhjetë vjet si mbikëqyrës udhëtues në mbarë Ukrainën Lindore. Ata që e kundërshtonin shërbimin tonë të krishterë arritën t’i bënin njerëzit që të jepnin dëshmi të rreme në gjyq, dhe kështu u dënova me pesë vjet burg.

Në burg më izoluan nga Dëshmitarët e tjerë. Gjithsesi, pavarësisht nga vitet e një izolimi të tillë, askush nuk më ndalonte dot që t’i drejtohesha në lutje Jehovait, dhe ai më mbështeti gjithnjë. Gjithashtu gjeta mundësi që t’u dëshmoja të burgosurve të tjerë. Si përfundim, pasi bëra katër vjet nga dënimi, më liruan, dhe u bashkova me gruan dhe me vajzën, që i kishin qëndruar besnike Jehovait.

Përsëri në Moldavi

Ndenjëm edhe një vit në Ukrainë, pastaj u kthyem një herë e mirë në Moldavi ku kishte nevojë për vëllezër të pjekur dhe me përvojë. Në atë kohë, qeveria sovjetike ishte bërë më tolerante për sa i përket lirisë së lëvizjes nga njëri vend në tjetrin. Më 1988, arritëm në Bjelc, ku Maria kishte jetuar para se ta internonin 37 vjet më parë. Aty nga viti 1988, në Bjelc, qyteti i dytë për nga madhësia në Moldavi, kishte rreth 375 Dëshmitarë; tani ka më shumë se 1.500. Megjithëse jetonim në Moldavi, ende shërbeja si mbikëqyrës udhëtues në Ukrainë.

Në mars të vitit 1991, kur organizata jonë u njoh ligjërisht në Bashkimin Sovjetik, tashmë mijëra njerëz ishin zhgënjyer nga dështimi i komunizmit. Shumë ishin të hutuar dhe nuk kishin asnjë shpresë për të ardhmen. Kështu kur Moldavia u bë republikë e pavarur, njerëzit këtu, madje edhe disa nga ish-përndjekësit tanë, ishin vërtet një territor i frytshëm. Pas internimit në vitin 1951, në Moldavi kishin mbetur pak Dëshmitarë, kurse tani, në këtë vend të vogël me 4.200.000 banorë, ka më shumë se 18.000. Vërtet, përvojat e mrekullueshme që kemi kaluar i kanë fshirë vuajtjet e së shkuarës.

Në mesin e viteve 90, shëndeti i dobët më detyroi që të mos vazhdoja më në shërbimin si mbikëqyrës udhëtues. Ka raste kur gjendja ime shëndetësore më shkurajon. Megjithatë, kam arritur të kuptoj që Jehovai e di se çfarë na duhet që të marrim zemër. Ai na jep në kohën e duhur inkurajimin që na nevojitet. A do të kisha zgjedhur një rrugë tjetër sikur të më jepej mundësia ta jetoja edhe një herë jetën? Jo. Përkundrazi, do të dëshiroja të kisha qenë edhe më i guximshëm e të kisha marrë pjesë edhe më shumë në shërbim.

Jehovai më ka bekuar dhe që të gjithë shërbëtorët e tij janë një popull i bekuar, pavarësisht nga rrethanat e tyre. Ne kemi një shpresë të gjallë, një besim të fortë dhe sigurinë se së shpejti çdo njeri do të ketë një shëndet të përsosur në botën e re që do të sjellë Jehovai.

[Shënimet]

^ par. 4 Në këtë artikull do të përdoret emri Moldavi, dhe jo Moldovë ose Republika Socialiste Sovjetike e Moldavisë.

^ par. 21 Gjatë dy fundjavëve të para në prill të vitit 1951, sovjetikët ndërmorën një fushatë të organizuar mirë. Gjatë kësaj fushate, ata mblodhën më shumë se 7.000 Dëshmitarë të Jehovait dhe familjet e tyre që banonin në perëndim të Bashkimit Sovjetik, dhe me tren i çuan në internim në Siberi, mijëra kilometra në drejtim të lindjes.

[Figura në faqet 20, 21]

Shtëpia jonë kur ishim të internuar në Torbë të Siberisë në vitin 1953. Babai dhe nëna (majtas) dhe vëllai im, Vasili, me të birin (djathtas)

[Figura në faqen 21]

Në një kamp të burgosurish, 1955

[Figura në faqen 23]

Motra të krishtere në Siberi, kur Maria (poshtë majtas) ishte rreth 20 vjeçe

[Figura në faqen 23]

Me vajzën tonë, Lidian

[Figura në faqen 23]

Në dasmën tonë, 1970

[Figura në faqen 23]

Me Marinë sot