Njeriu që «lëvizi Tokën»
Njeriu që «lëvizi Tokën»
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Poloni
«Ka disa ‘llafazanë që flasin në erë’, të cilët marrin përsipër të gjykojnë punën time, ndërkohë që janë fare injorantë në matematikë. Po ashtu, paturpësisht shtrembërojnë kuptimin e disa pjesëve në Shkrimet e Shenjta, që t’ia përshtatin qëllimit të tyre, dhe guxojnë të kritikojnë e të sulmojnë punën time; as që më bëjnë fare përshtypje këta njerëz, madje, kritikat e tyre do t’i quaja të pamenda.»
NIKOLLA KOPERNIKU ia shkroi fjalët e cituara më sipër Papa Pavlit III. Koperniku i përfshiu këto fjalë në parathënien e veprës së tij novatore të titulluar Mbi rrotullimin e sferave qiellore, që u botua në vitin 1543. Lidhur me pikëpamjet e shprehura në këtë libër, Kristof Klaviusi, një prift jezuit që jetoi në shekullin e 16-të, tha: «Teoria e Kopernikut përmban shumë pohime absurde ose të gabuara.» Teologu gjerman Martin Luteri tha i mërzitur: «Ky i marrë kërkon të përmbysë gjithë shkencën e astronomisë.»
Kush ishte Nikolla Koperniku? Pse pikëpamjet e tij ndezën kaq shumë debate? Dhe, si ka ndikuar ai në mendësinë e kohëve moderne?
Një i ri i etur për dije
Lindi më 19 shkurt 1473, në Torun të Polonisë, dhe i vunë emrin Mikolaj Kopernik. Vite më vonë, kur filloi të shkruante librat e tij shkencorë, Mikolaji nisi të përdorte emrin e latinizuar Nicolaus Copernicus ose Nikolla Koperniku. I ati, një tregtar në qytetin e Torunit, kishte katër fëmijë. Nikolla ishte më i vogli. I ati vdiq kur Nikolla ishte 11 vjeç. Daja i tij, Lukas Vaksenrodi, u kujdes për Nikollën dhe tri fëmijët e tjerë. Ai e ndihmoi Nikollën të merrte një arsimim të mirë dhe e nxiste të bëhej prift.
Nikolla i nisi studimet në qytetin e tij të lindjes, e më pas i vazhdoi në qytetin Kelmno që ishte afër. Atje mësoi latinishten dhe studioi veprat e autorëve të lashtë. Në moshën 18-vjeçare shkoi në Krakov, atëherë kryeqyteti i Polonisë. U regjistrua në universitet dhe ndoqi pasionin e tij për astronominë. Menjëherë pasi përfundoi studimet në Krakov, daja i tij—që në këtë kohë ishte bërë peshkopi i Varmias—i kërkoi të shkonte në Frombork, qytet pranë Detit Baltik. Vaksenrodi donte që nipi të zinte një pozitë të veçantë në kishë.
Por Nikolla 23-vjeçar donte të shuante etjen për dije dhe e bindi dajën ta linte të studionte për ligje kishtare, mjekësi dhe matematikë në universitetet italiane të Bolonjës dhe Padovës. Atje Nikolla u shoqërua me astronomin Domeniko-Maria
Novara dhe filozofin Pietro Pomponaci. Historiani Stanisvaf Bzhostkeviç thotë se mësimet e Pomponacit e çliruan «mendjen e astronomit të ri nga kthetrat e ideologjisë së mesjetës».Në kohën e lirë, Koperniku studionte veprat e astronomëve të lashtë. U zhyt kaq thellë në to, saqë, kur pa se librat në latinisht ishin të papërfunduar, mësoi greqishten, që të mund të studionte tekstet origjinale. Nga fundi i studimeve universitare, Nikolla ishte bërë doktor i ligjeve kishtare, matematikan dhe mjek. Gjithashtu, ishte ekspert i greqishtes, i pari që përktheu një dokument nga greqishtja në polonisht.
Krijoi një teori revolucionare
Kur Koperniku u kthye në Poloni, daja i tij peshkop, e emëroi si sekretarin, këshilltarin dhe mjekun e tij personal, një pozitë prestigjoze kjo. Gjatë dekadave pasuese, Nikolla pati një shumëllojshmëri postesh administrative, si fetare, ashtu edhe civile. Pavarësisht nga ngarkesa e madhe, ai vazhdoi të studionte yjet dhe planetët, duke grumbulluar të dhëna për të mbështetur një teori revolucionare. Kjo teori thoshte se, faktikisht, Toka nuk ishte qendra e palëvizshme e universit, por rrotullohej rreth Diellit.
Kjo teori ishte në kundërshtim me mësimet e filozofit të respektuar Aristotelit, dhe binte ndesh me përfundimet e matematikanit grek, Ptolemeut. Veç kësaj, teoria e Kopernikut hidhte poshtë atë që konsiderohej si një «fakt» i qartë, se Dielli lindte në Lindje, lëvizte përmes qiellit dhe perëndonte në Perëndim, ndërsa Toka rrinte në vend pa lëvizur.
Koperniku nuk ishte i pari që nxori përfundimin se Toka rrotullohet rreth Diellit. Astronomi grek, Aristarku i Samosit e ngriti këtë teori në shekullin e tretë p.e.s. Ndjekësit e Pitagorës kishin mësuar se Toka dhe Dielli lëviznin përqark një zjarri që ndodhej në qendër. Por Ptolemeu shkroi se, nëse Toka lëvizte, «kafshët dhe çdo objekt tjetër, do të rrinin pezull në ajër, dhe Toka shpejt do të binte nga qielli». Ai shtoi: «Është qesharake vetëm t’i çosh nëpër mend këto gjëra.»
Ptolemeu përkrahu idenë e Aristotelit se Toka rrinte pa lëvizur në qendër të universit dhe rrethohej nga një sërë sferash të tejdukshme të radhitura brenda njëra-tjetrës, dhe mbi to qëndronin të fiksuar Dielli, planetët dhe yjet. Ai besonte se lëvizja e këtyre sferave shkaktonte lëvizjen e planetëve dhe yjeve. Formulat matematikore të Ptolemeut, shpjegonin me njëfarë saktësie lëvizjen e planetëve në qiellin e natës.
Në fakt, ishin pikërisht boshllëqet në teorinë e Ptolemeut që e nxitën Kopernikun të kërkonte një tjetër shpjegim lidhur me lëvizjen e çuditshme të planetëve. Për të mbështetur teorinë e tij, Koperniku rindërtoi instrumentet e përdorura nga astronomët e hershëm. Këto pajisje, pavarësisht se ishin shumë të thjeshta në krahasim me pajisjet moderne, e ndihmuan të llogariste distancën relative midis planetëve dhe Diellit. Iu deshën vite të tëra të përcaktonte datat e sakta kur pararendësit e tij kishin bërë disa vëzhgime të
rëndësishme astronomike. Duke i ditur këto data, Koperniku iu fut punës për dokumentin që ngjalli kaq shumë polemika, sipas të cilit Toka dhe njerëzimi nuk ishin qendra e universit.Debate për dorëshkrimin
Koperniku i kaloi vitet e fundit të jetës duke përmirësuar dhe plotësuar argumentet dhe formulat matematikore që mbështetnin teorinë e tij. Më shumë se 95 për qind e dokumentit përfundimtar, përmban hollësi teknike që mbështetin përfundimet e tij. Ky dokument origjinal i shkruar me dorë, mbijetoi dhe ruhet në Universitetin «Jagillonian» në Krakov, Poloni. Dokumenti nuk ka titull. Prandaj, astronomi Fred Hoil shkruan: «Nuk e dimë se si do të donte Koperniku të titullohej libri i tij.»
Përmbajtja e këtij libri ngjalli interes që para se të botohej. Koperniku kishte botuar një përmbledhje të shkurtër të ideve të tij në një vepër të titulluar Komentariolis. Si rezultat, lajmet për studimin e tij mbërritën në Gjermani dhe në Romë. Që në vitin 1533, Papa Klementi VII kishte dëgjuar për teorinë e Kopernikut. Në vitin 1536, kardinali Shënberk i shkroi Kopernikut dhe e nxiste të botonte një përmbledhje të plotë të ideve të tij. Vepra e Kopernikut i zgjoi kaq shumë kureshtjen Georg Joakim Retikusit, profesor në Universitetin Vitenberk të Gjermanisë, saqë shkoi vetë ta vizitonte astronomin dhe, si përfundim, ndenji dy vjet me të. Në 1542-shin, kur u kthye në Gjermani, Retikusi mori me vete një kopje të dorëshkrimit dhe ia dha një botuesi të quajtur Petrejus dhe Andreas Osiandrit, redaktor dhe klerik.
Osiandri e titulloi veprën De revolutionibus orbium coelestium (Mbi rrotullimin e sferave qiellore). Duke përdorur shprehjen «e sferave qiellore», Osiandri la të nënkuptohej se libri ishte ndikuar nga idetë e Aristotelit. Gjithashtu, ai shkroi një parathënie pa vënë emrin, ku thoshte se hipotezat e librit nuk ishin pjesë e kredos fetare dhe nuk ishin medoemos të vërteta. Kopernikut nuk i ra në dorë asnjë kopje e librit të botuar me ndryshimet dhe kompromiset e paautorizuara, deri disa orë para se vdiste në vitin 1543.
Një vepër revolucionare
Në fillim, libri i shpëtoi kritikave falë ndryshimeve të Osiandrit. Astronomi dhe fizikani italian Galilei, shkroi më vonë: «Kur u botua libri,
Kisha e shenjtë e pranoi, dhe çdokush e ka lexuar e studiuar pa pasur, qoftë edhe tërthorazi, as më të voglin kundërshtim për pohimet e tij. Kurse sot, që dëshmitë e qarta dhe provat e nevojshme tregojnë se ato [pohimet e tij] kanë baza të forta, ka njerëz që duan t’ia heqin meritat autorit, pa e marrë fare mundimin t’i hedhin një sy librit të tij.»Luteranët ishin të parët që e quajtën librin «një absurditet». Ndonëse në fillim nuk e shprehu opinionin e saj, Kisha Katolike tha se libri i Kopernikut ishte në kundërshtim me doktrinën e saj zyrtare dhe, në 1616-n, e futi në listën e librave të ndaluar. Mbeti në atë listë deri në vitin 1828. Në parathënien e përkthimit anglisht të librit të Kopernikut, Çarls Glen Uallisi, shpjegon: «Fërkimet mes katolikëve dhe protestantëve bënë që të dyja sektet t’i frikësoheshin plasjes së ndonjë skandali, që mund të minonte respektin për Kishën e Biblës. Si pasojë, ata u bënë tepër striktë në interpretimin fjalë për fjalë të Shkrimeve. Gjithashtu, dënonin çdo pohim që mund të komentohej në kundërshtim me interpretimin fjalë për fjalë të çdo pjese të Biblës.» * Lidhur me konfliktin e supozuar midis teorisë së Kopernikut dhe mësimeve të Biblës, Galilei shkroi: «[Koperniku] nuk e hodhi poshtë Biblën, por e dinte shumë mirë se, nëse doktrina e tij do të vërtetohej, nuk do të ishte në kundërshtim me Shkrimet kur ato të kuptoheshin saktësisht.»
Sot, Koperniku respektohet dhe admirohet nga shumë veta si «babai» i astronomisë moderne. Është e vërtetë se përshkrimi që i bëri universit, u përpunua dhe u përmirësua më tej nga shkencëtarë të mëvonshëm, si: Galilei, Kepleri dhe Njutoni. Gjithsesi, astrofizikani Ouen Gingriç vëren: «Koperniku ishte i pari që, me anë të veprës së tij, na tregoi se sa të pathemelta mund të jenë konceptet shkencore tradicionale.» Me anë të studimit, vëzhgimit dhe matematikës, Koperniku përmbysi ide të gabuara fetare dhe shkencore, të rrënjosura. Gjithashtu, në mendjen e njerëzve, ai «ndali Diellin dhe lëvizi Tokën».
[Shënimi]
^ par. 23 Për shembull, tregimi i regjistruar te Jozueu 10:13, që thotë se dielli u ndal, përdorej për të pohuar se, normalisht, lëviz Dielli, dhe jo Toka.
[Kutia dhe figura në faqen 17]
Mbi rrotullimin e sferave qiellore
Koperniku e ndau veprën e tij në gjashtë pjesë. Më poshtë janë renditur disa nga idetë kyçe që paraqiten në librin e tij.
● Planeti ynë është një nga «udhëtarët» e shumtë, lëvizja e të cilëve drejtohet nga ‘dielli që është i ulur në fronin e tij mbretëror’.
● Planetët rrotullohen në orbita rreth Diellit, në të njëjtin drejtim. Toka është një prej këtyre planetëve; ajo rrotullohet rreth boshtit të saj një herë në ditë dhe rreth Diellit një herë në vit.
● Të renditur sipas largësisë nga Dielli, Mërkuri është më afër, pastaj është Afërdita, Toka me satelitin e saj, Hënën, Marsi, Jupiteri dhe në fund Saturni.
[Burimi]
Faqja e parë e veprës së Kopernikut: Zbiory i archiwum fot. Muzeum Okręgowego w Toruniu
[Figura në faqen 14]
Instrument vrojtimi që përdorte Koperniku
[Burimi]
Zbiory i archiwum fot. Muzeum Okręgowego w Toruniu
[Figurat në faqen 15]
Mjete nga studioja e Kopernikut, që gjendet në observatorin e tij në Frombork, Poloni
[Burimi]
Zdjecie: Muzeum M. Kopernika we Fromborku; J. Semków
[Figura në faqen 16]
Sistemi me qendër Tokën
[Burimi]
© 1998 Visual Language
[Figura në faqen 16]
Sistemi me qendër Diellin
[Burimi]
© 1998 Visual Language
[Figura në faqet 16, 17]
Sistemi diellor siç kuptohet sot