A mund t’u besoni këshillave të Biblës?
A mund t’u besoni këshillave të Biblës?
‘A duhet ta besoj?’ Ndoshta ia bëni këtë pyetje vetes kur një shitës orvatet t’ju mbushë mendjen të blini një makinë të përdorur ose kur ndonjë politikan bën premtime në një fushatë elektorale. Ju nuk doni t’i çoni dëm paratë ose kohën për produkte dhe informacione pa vlerë.
PO KËSHTU ndoshta pyesni veten: ‘A përmban Bibla diçka që ia vlen ta di? Nëse e lexoj dhe e studioj këtë libër, a mund të jem i sigurt se koha dhe përpjekjet e mia do të shpërblehen?’ Çelësi për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve gjendet në një varg të Biblës: «Mençuria duket nga rezultatet.» (Mateu 11:19, Phillips) Po, rezultatet që arrihen kur ndiqet një këshillë ose një lloj ‘mençurie’ tregojnë nëse ajo këshillë ia vlen apo jo. Ja çfarë thanë disa që rezervuan kohë për të marrë njohuri nga Bibla. Fjalët e tyre do t’ju ndihmojnë të vendosni nëse ia vlen ta lexoni dhe ta studioni këtë libër të pashoq.
Pyetje për vdekjen dhe jetën pas vdekjes
Kohë më parë, Karenit i vdiq e ëma. Që kur ishte fëmijë, Kareni, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara, kishte besuar se të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në parajsë pas vdekjes. Ky mendim nuk e ngushëllonte shumë. Ajo pyeste veten: ‘Çfarë pamjeje ka nëna ime tani që është lart në qiell? Nëse do të shkoj edhe unë atje, si do ta gjej? Mos do të përfundoj në ndonjë vend tjetër kur të vdes?’
Kareni nisi një studim të hollësishëm të Biblës me Dëshmitarët e Jehovait. Ajo mësoi se të vdekurit nuk janë në qiell, por janë si në një gjumë të thellë. Tek Eklisiastiu 9:5 thuhet: «Të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» Por, a do ta shihte Kareni sërish nënën e saj?
Ky pohim i qartë nga Bibla i dha ngushëllim dhe shpresë: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin [e Krishtit] dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Kareni mësoi se me anë të Birit të tij, Perëndia i Biblës do t’i kthejë prapë në jetë të vdekurit pikërisht këtu në tokë. Ajo tha: «Mësimet e Biblës për vdekjen dhe ringjalljen janë mjaft logjike.»
Cila është mënyra e drejtë e adhurimit?
Kur Anxhela, një vajzë rumune, ishte 14 vjeçe, një pastor pentekostal u lut që ajo të merrte frymën e shenjtë, dhe kështu Anxhela filloi të fliste në gjuhë të panjohura. Megjithatë, prindërit mendonin se doktrinat e pentekostalëve nuk përputheshin me Biblën. Familja nuk i ndoqi më shërbesat fetare dhe nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.
Edhe pse në fillim u mërzit, shpejt Anxhela pa ndryshimet midis praktikave të fesë së mëparshme dhe mësimeve të Biblës. Për shembull, ajo lexoi Gjonin 17:3 ku thuhet: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» Anxhela kuptoi se ata që marrin miratimin e Perëndisë, në fillim duhet ta njohin atë. «Si mund ta kisha marrë frymën e Perëndisë në një mënyrë aq të veçantë, nëse nuk dija thuajse asgjë për të?»,—pyeti ajo. Anxhela thotë: «E falënderoj Jehovain që më ndihmoi të gjeja rrugën e adhurimit të vërtetë me anë të Fjalës së tij të frymëzuar.»
Këshilla që ndryshojnë jetë
«Isha shumë gjaknxehtë,—thotë Gabrieli nga India.—Kur m’i ngrinin nervat, bërtisja, i vërvitja gjërat, madje edhe i shaja e i goditja të tjerët. Studimi i Biblës më ndihmoi ta kontrolloja veten. Tani, edhe kur acarohet situata, e ruaj qetësinë.»
Gabrieli kishte lexuar vargje si Proverbat 16:32, ku thuhet: «Kush nuk zemërohet shpejt, është më mirë se një burrë i fuqishëm, dhe kush e kontrollon frymën e tij, është më mirë se ai që merr një qytet.» Diraxhi, një burrë tjetër që luftoi me veten ngaqë ishte tip nevrik, thotë: «Pikërisht ai varg më ndihmoi të kuptoja se shfrimi i nervave është shenjë dobësie, kurse vetëkontrolli është shenjë force.»
Filipi në Afrikën e Jugut bënte pjesë në një bandë. Përleshjet, grabitjet dhe fjalori i ndyrë ishin normale në jetën e tij. Bëri edhe burg për krime. Por, pavarësisht nga jeta që bënte, Filipi dëshironte me gjithë shpirt ta njihte Perëndinë. Pasi filloi studimin e Biblës me Dëshmitarët e Jehovait, i lindi dëshira t’i shërbente Perëndisë, dhe vendosi të bënte një jetë të ndershme. Hoqi dorë nga zakonet e gabuara dhe i preu lidhjet me shoqëritë e rrugës së krimit. Cilat të vërteta biblike e nxitën të bënte këto ndryshime?
Dëshmitarët e Jehovait i treguan fjalët e Jezuit te Gjoni 6:44: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi, nuk e tërheq.» Filipi thotë: «Jehovai pa diçka të mirë tek unë dhe më tërhoqi në popullin e tij, në këtë vëllazëri të mrekullueshme.» Gjithashtu, Filipin e prekën thellë tregimet biblike që flasin për mëshirën e Jehovait ndaj keqbërësve të penduar. Filipi thotë: «Këto tregime më ndihmuan të kuptoja sa i arsyeshëm tregohet Jehovai me njerëzit e papërsosur që janë penduar.»—2 Samuelit 12:1-14; Psalmi 51.
Uejdi, një i ri australian, abuzonte me alkoolin, merrte drogë, luante bixhoz dhe kishte lidhje imorale. Megjithatë, nuk ishte i lumtur. Një ditë bisedoi me Dëshmitarët e Jehovait dhe pranoi një studim biblik pa pagesë. Çfarë mësoi Uejdi?
«Më bëri mjaft përshtypje mënyra si i trajtonte të tjerët Jezui,—tha Uejdi.—I trajtonte të gjithë me dashamirësi, dhembshuri dhe dashuri, edhe fëmijët. Sa më shumë mësoja, aq më shumë doja të bëhesha si ai. Bibla më mësoi të isha një burrë i vërtetë dhe të ndryshoja personalitetin.» Po gjithë gjërat e këqija që kishte bërë? Uejdi vazhdon: «Nga Bibla mësova se po të pendohesha për mëkatet e mia dhe të ndryshoja Mateu 5:5) Uejdi bëri ndryshime në jetë dhe tani e adhuron Jehovain me ndërgjegje të pastër.
sjelljen, Perëndia do të më falte. Mund të jetoja përgjithmonë në një parajsë në tokë. Më në fund, kisha një të ardhme!» (Fjalët që sapo lexuat, vijnë nga njerëz që dëshironin ta përmirësonin jetën. Ata e shqyrtuan Biblën për të parë nëse mësimet e saj mund t’i ndihmonin të zgjidhnin problemet dhe t’u përgjigjeshin pyetjeve që kishin. Rezultatet e mira që patën, i kanë bindur se mund t’i besojnë udhëheqjes praktike që jep Bibla. Edhe ju mund t’i besoni.
Vargje të frymëzuara shumë kohë më parë thonë: «Lum njeriu që ka gjetur mençuri dhe ai që fiton aftësi dalluese, sepse të fitosh mençuri është më mirë se të fitosh argjend dhe fryti i saj është më i mirë se ari. Ajo është më e çmuar se koralet, dhe gjithë kënaqësitë e tua të tjera s’mund të barazohen me të. Në të djathtën e saj ka ditë të gjata; pasuri dhe lavdi në të majtën e saj. Udhët e saj janë hijeshi, dhe tërë rrugët e saj janë paqe. Ajo është një pemë jete për ata që e rrokin dhe të lumtur kanë për t’u quajtur ata që e mbajnë fort.»—Proverbat 3:13-18.
[Kutia dhe figura në faqen 25]
SI NDIHMOI BIBLA NJË TË BURGOSUR
Billi gëzonte një martesë të lumtur. Por pa mbushur ende një vit martesë e futën në burg për shkelje që kishte kryer vite më parë.
Pasi i kaloi tronditja që pësoi ngaqë humbi lirinë, Billi vendosi t’i shfrytëzonte në mënyrë frytdhënëse ditët e gjata që e prisnin. «Rrija në shtrat duke lexuar e duke studiuar Biblën»,—thotë ai. Gjithashtu i zbatonte ato që mësonte. Billi thotë: «Sillesha mirë dhe isha miqësor me shokët e qelisë, që e kuptuan se nuk doja të bëja gjërat e këqija që bënin ata. Ata thoshin për mua: ‘Billi do që ta kalojë kohën sipas mënyrës së tij, duke mësuar për Perëndinë dhe Biblën. Nuk do t’i bjerë në qafë askujt.’
Për shkak të reputacionit që kisha krijuar, të burgosurit nuk më ngatërronin me grindjet e tyre dhe në situata të tjera të vështira. Rojat kuptuan se nuk do t’u hapja ndonjë telash. Si përfundim më rekomandonin për punë që më krijonin mundësi t’u rrija larg të burgosurve të tjerë pjesën më të madhe të ditës. Zbatimi i fjalëve të Biblës në jetë ishte një mbrojtje e madhe.»
Billi ndiqte mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait që mbaheshin në burg dhe u fliste me entuziazëm të burgosurve për gjërat që po mësonte. U pagëzua si Dëshmitar i Jehovait teksa vuante dënimin. Duke sjellë ndër mend të kaluarën, thotë: «Kisha çuar dëm gati 50 vjet të jetës sime dhe dëshiroja të përmirësohesha. Jam i bindur se rruga e vetme që një i burgosur ta arrijë këtë, është duke zbatuar mësimet e Biblës. Dhe që ta mësosh saktë Biblën duhet të studiosh me Dëshmitarët e Jehovait. Feja e tyre është e vetmja që mëson të vërtetën e Biblës. Ja, kaq është.»
Tani Billi ka dalë nga burgu dhe shërben në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara. Ai dhe e shoqja vazhdojnë ta studiojnë Fjalën e Perëndisë dhe ta zbatojnë në jetën e tyre. Ata e dinë mirë sa e vërtetë është ajo që thuhet tek Isaia 48:17, 18: «Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të vë të ecësh nëpër udhën nga duhet të shkosh. Ah, sikur t’u kushtoje vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.»
[Figura në faqen 23]
Kareni, SHBA
[Figura në faqen 23]
Anxhela, Rumani
[Figura në faqen 24]
Diraxhi, Indi
[Figura në faqen 24]
Gabrieli, Indi
[Figura në faqet 24, 25]
Filipi me familjen, Afrikë e Jugut
[Figura në faqen 24]
Uejdi, Australi