Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush është autori i Biblës?

Kush është autori i Biblës?

Pikëpamja e Biblës

Kush është autori i Biblës?

BIBLA e thotë hapur se kush e shkroi përmbajtjen e saj. Pjesë të ndryshme të këtij libri fillojnë me shprehje të tilla, si «fjalët e Nehemisë», «vegimi që pa Isaia», «fjala e Jehovait që iu drejtua Joelit». (Nehemia 1:1; Isaia 1:1; Joeli 1:1) Disa histori janë përcaktuar si fjalët e Gadit, Natanit ose Samuelit. (1 Kronikave 29:29) Shënimi në krye të disa psalmeve tregon edhe emrin e atij që e shkroi.​—Psalmi 79, 88, 89, 90, 103 dhe 127.

Meqenëse për të shkruar Biblën u përdorën njerëz, disa skeptikë thonë se Bibla është thjesht fryt i mençurisë së njeriut, si çdo libër tjetër. Por, a mbështetet në baza të forta ky mendim?

Dyzet shkrimtarë, një autor

Shumica e shkrimtarëve të Biblës pohuan se shkruan në emër të Jehovait, Perëndisë së vetëm të vërtetë dhe se këtë e bënë nën drejtimin e tij ose të një përfaqësuesi engjëllor. (Zakaria 1:7, 9) Profetët që shkruan Shkrimet Hebraike shpallën më se 300 herë: «Kështu thotë Jehovai.» (Amosi 1:3; Mikea 2:3; Naumi 1:12) Shumë prej shkrimeve të tyre hapen me shprehje të tilla, si: «Fjala e Jehovait që iu drejtua Hozesë.» (Hozea 1:1; Jonai 1:1) Apostulli Pjetër tha për profetët e Perëndisë: «Njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»​—2 Pjetrit 1:21.

Pra, Bibla është një libër që përbëhet nga libra më të vegjël të ndryshëm, por që janë në harmoni me njëri-tjetrin. Ajo u shkrua nga shumë burra që thanë se pas shkrimeve të tyre ishte Perëndia. Me fjalë të tjera, Perëndia përdori njerëzit si sekretarë për të shkruar fjalët e tij. Si e bëri këtë?

«I frymëzuar nga Perëndia»

«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia»,—shpjegoi apostulli Pavël. (2 Timoteut 3:16) Fjala greke e përkthyer «i frymëzuar nga Perëndia» do të thotë «që i ka fryrë Perëndia». Kjo nënkupton se Perëndia përdori një forcë të padukshme për të drejtuar mendimet e shkrimtarëve njerëzorë, duke u përcjellë mendimet e tij. Megjithatë, në rastin e Dhjetë Urdhërimeve, vetë Jehovai i gdhendi fjalët në pllaka guri. (Dalja 31:18) Ndonjëherë Perëndia ua diktoi drejtpërdrejt fjalët e tij shërbëtorëve të vet. Te Dalja 34:27 thuhet: «Jehovai i tha përsëri Moisiut: ‘Shkruaji këto fjalë.’»

Në raste të tjera, Perëndia bëri që njerëzit të shihnin në vegime çka ai dëshironte që ata të shkruanin. Prandaj Ezekieli tha: «Pashë disa vegime hyjnore.» (Ezekieli 1:1) Po kështu, «Danieli pa një ëndërr dhe nëpër kokë i kaluan vegime. Atëherë ai e shkroi ëndrrën dhe e tregoi tërë çështjen». (Danieli 7:1) Libri i fundit i Biblës, Zbulesa, iu dha Gjonit në mënyrë të ngjashme. Gjoni shkroi: «Nën frymëzim u gjenda në ditën e Zotërisë dhe dëgjova pas meje një zë të fortë si ai i një trumbete, që thoshte: ‘Atë që sheh, shkruaje në rrotull.’»​—Zbulesa 1:10, 11.

Gjurmët e njeriut

Frymëzimi hyjnor nuk ua hoqi individualitetin shkrimtarëve. Ç’është e vërteta, kërkoheshin përpjekje nga ana e vetë personit për të përcjellë fjalët e Perëndisë. Për shembull, shkrimtari i librit biblik të Eklisiastiut tha se «kërkoi të gjente fjalë të këndshme dhe të shkruante fjalë të sakta të së vërtetës». (Eklisiastiu 12:10) Për të përpiluar dëshminë e tij historike, Ezdra u këshillua me të paktën 14 burime, siç ishte ‘tregimi i ngjarjeve të ditëve të mbretit David’ dhe ‘Libri i Mbretërve të Judës dhe të Izraelit’. (1 Kronikave 27:24; 2 Kronikave 16:11) Luka, shkrimtari i Ungjillit ‘i gjurmoi me saktësi të gjitha gjërat që nga fillimi, dhe i shkroi sipas një radhe logjike’.​—Luka 1:3.

Disa libra biblikë zbulojnë tipare të personalitetit të shkrimtarit. Për shembull, Mateu Levi, që ishte taksambledhës para se të bëhej dishepull i Jezuit, u kushtoi kujdes të veçantë shifrave. Ai është i vetmi shkrimtar i Ungjillit që shkroi se çmimi për tradhtinë që iu bë Jezuit ishte ‘tridhjetë monedha të argjendta’. (Mateu 27:3; Marku 2:14) Luka, një mjek, shkroi me saktësi disa hollësi mjekësore. Për shembull, kur përshkroi gjendjen e disa prej atyre që shëroi Jezui, përdori shprehje si «ethe të forta» dhe «plot lebër». (Luka 4:38; 5:12; Kolosianëve 4:14) Pra, Jehovai shpesh lejoi që shkrimtarët të shpreheshin me fjalët dhe stilin e tyre; megjithatë, njëherazi i drejtoi mendimet e tyre me qëllim që teksti të ishte i saktë dhe të përcillte fjalët e tij.​—Proverbat 16:9.

Vepra e përfunduar

A nuk është e mahnitshme që rreth 40 burra, të cilët shkruan në disa vende gjatë një harku kohor 1.600-vjeçar, bënë një libër që ka harmoni në çdo aspekt dhe që përmban një temë të vetme e të mrekullueshme nga fillimi deri në fund? (Shih «Për çfarë flet Bibla?», faqja 19.) Kjo do të ishte e pamundur nëse nuk do të drejtoheshin të gjithë nga i njëjti autor.

A ishte i detyruar Jehovai të përdorte njerëz për të shkruar Fjalën e tij? Aspak. Por ky fakt tregon mençurinë e tij. Po, një nga arsyet përse Bibla i bën për vete njerëzit anembanë botës, është se shkrimtarët e saj shprehën në mënyrë kaq reale të gjitha ndjenjat njerëzore—madje në rastin e Davidit, edhe ndjenjën e fajit të një mëkatari të penduar që u përgjërua për mëshirën e Perëndisë.​—Psalmi 51:2-4, 13, 17, mbishkrimi.

Ndonëse Jehovai përdori njerëz si shkrimtarë, mund të kemi besim në veprën që shkruan ata, siç patën edhe të krishterët e hershëm që i pranuan Shkrimet e Shenjta «jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë».​—1 Selanikasve 2:13.

A DONI TË DINI?

▪ Kush është autori ‘i gjithë Shkrimit’?​—2 Timoteut 3:16.

▪ Cilat metoda ka përdorur Perëndia Jehova për të përcjellë mendimet e tij?​—Dalja 31:18; 34:27; Ezekieli 1:1; Danieli 7:1.

▪ Si u pasqyruan në shkrime personaliteti, puna dhe prirjet e njerëzve që u frymëzuan?​—Mateu 27:3; Luka 4:38.