Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse kemi frikë nga vdekja?

Pse kemi frikë nga vdekja?

Pse kemi frikë nga vdekja?

«Vdekja është gjëja më e tmerrshme, sepse është fundi i gjithçkaje.»​—Aristoteli.

E KONSIDERONIN grua të devotshme, besimtare të vërtetë. Disa madje e quanin «shtylla e kishës» së saj. I kishin mësuar se vdekja nuk ishte fundi i gjithçkaje, por një kalim në jetën e përtejme. Mirëpo, kur ajo vetë ishte pranë vdekjes, e pushtoi frika. E munduar nga dyshimet, pyeti një udhëheqëse në fenë e saj: «Ka kaq shumë [ide rreth asaj që ndodh kur njeriu vdes]; si ta kuptojmë se cila prej tyre është e drejtë?»

Pothuajse çdo fe dhe shoqëri ka përqafuar konceptin se, edhe pas vdekjes, njeriu vazhdon të jetojë ose do të jetojë përsëri. Cila prej këtyre ideve të shumta është e vërtetë? Shumë njerëz nuk besojnë se ka ndonjë lloj jete të përtejme. Po ju? A ju kanë mësuar se jeta vazhdon edhe pas vdekjes? A e besoni këtë? A keni frikë nga vdekja?

Frika që të mos ekzistosh më

Dhjetëvjeçarët e fundit janë shkruar shumë libra dhe artikuj shkencorë në lidhje me frikën nga vdekja. Megjithatë, shumica e njerëzve parapëlqejnë të mos mendojnë fare për vdekjen. Por vdekja është realitet dhe, herët a vonë, do të na duhet të mendojmë për të. Jeta e njeriut është shumë e brishtë—çdo ditë vdesin mesatarisht më tepër se 160.000 veta! Çdo njeri pa përjashtim mund të vdesë, dhe ky realitet i frikëson shumë veta.

Ekspertët e kanë klasifikuar frikën nga vdekja në disa kategori. Në to përfshihen frika nga dhembja, frika nga e panjohura, frika për vdekjen e të afërmve dhe frika nga pasojat që mund të sjellë vdekja e dikujt te të afërmit e tij.

Më kryesorja nga këto është frika që të mos ekzistosh më. Pavarësisht nga bindjet fetare që kanë, shumë njerëz i tremb ideja se vdekja është fundi i gjithçkaje. Dhe shkenca u fryn flakëve të kësaj frike. Faktikisht, shumica e funksioneve të trupit të njeriut tani mund të shpjegohen me terma shkencorë. Patjetër asnjë biolog, fizikan ose kimist nuk ka gjetur brenda njeriut prova se kemi diçka të padukshme që mund të mbijetojë pasi trupi vdes. Prandaj, shumë shkencëtarë e shpjegojnë vdekjen e njeriut thjesht si një proces biologjik.

Pra, nuk habitemi që shumë njerëz, të cilët në dukje besojnë me devotshmëri në jetën e përtejme, thellë brenda tyre tmerrohen nga ideja se një ditë nuk do të ekzistojnë më. Është interesante se mbreti i lashtë Solomon shkroi për vdekjen diçka që disave mund t’u duket frikësuese.

Fundi i njeriut​—«Në pluhur» përgjithmonë?

Në librin e tij 3.000-vjeçar të Eklisiastiut, Solomoni shkroi: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë; ata nuk kanë më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre është harruar. Po ashtu dashuria, urrejtja dhe xhelozia e tyre tashmë kanë marrë fund.» Solomoni tha më tej: «Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde, sepse nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri [në vdekje], në vendin ku po shkon.»​—Eklisiastiu 9:5, 6, 10.

Madje Solomoni tha nën frymëzim se «ka një fund, si për bijtë e njerëzve, ashtu edhe për kafshët. Ata kanë të njëjtin fund. Si vdes njëri, ashtu vdes edhe tjetri. . . . Njeriu s’ka asnjë epërsi mbi kafshët. . . . Të gjithë shkojnë në një vend. Të gjithë janë bërë nga pluhuri dhe në pluhur kthehen të gjithë».​—Eklisiastiu 3:19, 20.

Edhe pse i shkroi mbreti Solomon, këto fjalë u frymëzuan nga Perëndia dhe formojnë një pjesë të Fjalës së tij të shkruar, Biblës. Këto shkrime, bashkë me shumë të tjera në Bibël, nuk e mbështetin besimin e përhapur se pas vdekjes diçka brenda nesh vazhdon të jetojë në një formë tjetër. (Zanafilla 2:7; 3:19; Ezekieli 18:4) A po thotë Perëndia se njeriu përfundon përgjithmonë «në pluhur» ose në asgjë? Patjetër që jo!

Bibla nuk mëson se ndonjë pjesë e njeriut mbijeton pas vdekjes. Megjithatë, ajo paraqet një shpresë të qartë për të gjithë ata që vdesin. Artikulli vijues do të tregojë përse nuk duhet të keni frikë se vdekja është fundi i gjithçkaje.

[Kutia në faqen 3]

ARMIKE E PASHMANGSHME

Vdekja është quajtur armikja e njeriut. Është një armike reale, dhe dëshmitë për këtë janë me bollëk. Sipas një llogaritjeje, çdo vit vdesin rreth 59 milionë njerëz​—mesatarisht 2 veta çdo sekondë. Ja ç’thonë statistikat rreth vdekjes:

▪ Çdo 102 sekonda lufta shkakton një viktimë.

▪ Çdo 61 sekonda vritet një njeri.

▪ Çdo 39 sekonda kryhet një vetëvrasje.

▪ Çdo 26 sekonda humb jetën një njeri në një aksident rrugor.

▪ Çdo tri sekonda vdes një njeri nga shkaqe që lidhen me urinë.

▪ Çdo tri sekonda vdes një fëmijë nën moshën pesë vjeç.

[Kutia në faqen 4]

PËRPJEKJE E KOTË

Më 9 nëntor 1949, Xhejms Kidi, një 70-vjeçar që punonte në një minierë bakri, u zhduk në malet e Arizonës, SHBA. Disa vjet më vonë, pasi ishte shpallur ligjërisht i vdekur, u gjet testamenti i tij i shkruar me laps, bashkë me letrat me vlerë që vlenin qindra mijë dollarë. Në testament Kidi vinte si kusht që paratë e tij të përdoreshin si fonde për të gjetur «ndonjë provë shkencore për ekzistencën e një shpirti i cili largohet nga trupi i njeriut pas vdekjes».

Jo shumë kohë më pas, më tepër se 100 studiues dhe shkencëtarë të famshëm bënë kërkesë për këto fonde. Për muaj të tërë u zhvilluan seanca gjyqësore dhe u paraqitën mijëra supozime se ekziston një shpirt i padukshëm. Në fund, gjykatësi ua dha fondet dy organizatave kërkimore të famshme. Edhe pse ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli, këta studiues ende nuk kanë gjetur «ndonjë provë shkencore për ekzistencën e një shpirti i cili largohet nga trupi i njeriut pas vdekjes».