Të jetë vërtet pemë?!
Të jetë vërtet pemë?!
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI
BULLAFIQ dhe ulur këmbëkryq në një terren të ashpër e të thatë, boabi australian, ose siç quhet ndryshe druri-shishe, mund të duket i çuditshëm, madje i shëmtuar. Gjatë stinës së thatë kur është zhveshur nga gjethet, më shumë se një pemë, boabi i rritur mund të duket si krijesë e çuditshme me tentakula që zgjaten drejt qiellit. Një gojëdhënë aborigjene thotë se pema ishte mallkuar dhe ishte kthyer kokëposhtë.
Kur është e re, kjo pemë është pak a shumë truphollë dhe tërheqëse. Por duke u rritur, trungu i saj ngjyrë gri rrumbullakoset si qepë, plasaritet dhe mbushet tërë vraga. Boabi «ngjan si i sëmurë»,—shkroi eksploruesi Xhorxh Grei në vitin 1837. Pse boabi është kaq i ndryshëm nga pjesa më e madhe e pemëve të tjera dhe pse banorët e shkretëtirës australiane, përfshirë edhe aborigjenët, e çmojnë dhe e duan aq shumë?
Sa më i shkurtër, aq më mirë
Boabi rritet vetvetiu në Afrikë, Madagaskar dhe në veriperëndim të Australisë. Në mjaft vende ai quhet baobab, por australianët kanë kohë që e quajnë boab. Bushmenëve (siç quhen vendësit) u pëlqente t’i shkurtonin emrat, se mos gëlltitnin ndonjë mizë që ishte gjithmonë vërdallë, siç thonë disa me shaka. Kështu, e shkurtuan nga baobab në boab, dhe emri i ri zuri rrënjë shumë shpejt në gjuhën e tyre.
Boabi quhet edhe pema e minjve të ngordhur. Pse ky emër aspak i këndshëm? Kur shihen nga larg, boçet e farave në formë bishtaje që varen nga pema, ngjajnë si minj të ngordhur të kapur nga bishti. Gjithashtu, kur lulet dëmtohen, fermentohen shpejt dhe lëshojnë erë të qelbur si mish i prishur. Por, kur janë të shëndetshme, lulet janë të mëdha, të bardha e me aromë të këndshme.
Projektuar për kushte ekstreme
Boabi rritet me shumicë në viset e thella të Kimbërlisë, në Australinë Perëndimore, dhe në shtetin fqinj të Territorit Verior. Atje ka dy stinë: ajo e lagësht, stina relativisht e shkurtër e shirave të rrëmbyeshëm të musoneve, dhe stina e thatë.
Boabi është i famshëm për aftësitë e tij përtëritëse. Zakonisht jeton për shekuj të tërë. «Edhe i zgavruar nga zjarri ose plotësisht i zhvoshkur, boabi në përgjithësi mbijeton, dhe pasi përtërin dëmin, vazhdon * Më pas, shton: «Kjo pemë është aq e fortë, sa po t’i shpëtojë shkatërrimit të plotë, vazhdon rritjen gati-gati normalisht.» I vendosur të mbijetojë, një boab i futur në një arkë ambalazhi që priste të transportohej përtej detit, lëshoi rrënjë nëpër të çarat e arkës dhe i futi në tokë.
rritjen»,—thotë fiziologu i bimëve D. A. Hërn.Boabi rritet në shtretërit gurorë të përrenjve, në rrëpira shkëmbore ose në fusha ranore dhe shpesh është më i lartë se pemët përreth. Në Rrafshnaltën e Kimbërlisë, rriten disa boabë që arrijnë deri në 25 metra lartësi ose më shumë dhe pothuaj të njëjtin perimetër.
Sekreti i përmasave të boabit qëndron tek uji. Ashtu si sfungjeri, druri i boabit është i butë, fijezor dhe i aftë të mbajë një sasi shumë të madhe uji. Pasi thith ujin e shiut të musoneve, trungu i boabit fryhet dukshëm. Gjatë stinës së thatë, pema kthehet dalëngadalë në përmasat e saj të mëparshme.
Në muajt e ashpër të dimrit, drurët gjetherënës mbijetojnë duke rrëzuar gjethet. Boabit kjo i ndodh gjatë stinës së thatë e të gjatë. Nga fundi i stinës së thatë dalin lulet dhe shpërthen gjethnaja. Përderisa ky është një sinjal i dukshëm që lajmëron afrimin e stinës së lagësht, ndonjëherë vendësit e quajnë boabin pema «kalendar».
Lulet çelin vetëm natën, zgjatin veç pak orë dhe zënë e fishken pas lindjes së diellit. Ato piqen dhe formojnë kokrra të mëdha plot fara, ose boçe, që bien përtokë, çahen dhe shpërndajnë farat.
Pema e jetës
Aborigjenët e Kimbërlisë prej kohësh i kanë çmuar si burime të rëndësishme ushqimi farat, gjethet, rrëshirën dhe rrënjët e boabit. Para se të thahen, farat kanë një si tul të bardhë e të butë me shije të mirë. Në kohë thatësire, aborigjenët përtypnin drurin fijezor dhe rrënjët e kësaj peme për të marrë lëngun e saj aq të çmuar. Gjatë stinëve shumë të lagështa, vendësit nganjëherë gjenin ujë nëpër zgavrat e pemës dhe në pjesën ku bashkohet dega me trungun.
Në vitin 1856, disa anëtarë të ekspeditës së August Gregorit në Rrafshnaltën e Kimbërlisë u sëmurën nga skorbuti dhe zien palcën e kokrrave të boabit për të bërë një «marmelatë të shijshme». Duke qenë i pasur me vitaminë C, tuli i shëroi shumë shpejt.
Hedhin dritë mbi të kaluarën
Në të kaluarën, boabët shërbenin si tabela ku linin mesazhe aborigjenët dhe evropianët. Në vitin 1820, anija kërkimore Sirena doli për riparime në brigjet e Kimbërlisë. Duke iu bindur udhëzimeve të marinës për të lënë ndonjë shenjë të pagabueshme që provonte se ata kishin qenë atje, kapiteni Filip Parker King gdhendi në trungun e një boabi të madh mbishkrimin «HMC Sirena 1820».
Asokohe, perimetri i Pemës së Sirenës, siç u quajt më pas, ishte 8,8 metra. Sot, perimetri i saj është më shumë se 12,2 metra. Ndonëse tani më pak i qartë, ai mbishkrim vazhdon të jetë përkujtimore e atyre eksploruesve të hershëm. Gdhendjet e thella në disa boabë të vjetër vazhdojnë të jenë të lexueshme edhe sot e kësaj dite, dhe i kanë parë turistë nga e gjithë bota.
Kur arritën në Rrafshnaltën e Kimbërlisë të shpërngulurit nga Evropa, boabët e stërmëdhenj u bënë tabela rrugore, vende takimi e kampesh në një tokë të panjohur. Lopçarë shtegtues i linin gjedhët të pushonin poshtë boabëve ku ishin skalitur emra mjaft grishës, si Hotel Oriental, Hotel Klub ose Hotel Mbretëror.
Kur aborigjenët agresivë vodhën anijen e kolonizatorit gjerman August Lukani, në 1886-n, grupi që udhëtonte me të bëri 100 kilometra rrugë të vështirë për në qytetin e Uindëmit. Rrugës i pritnin lumenj dhe përrenj plot krokodilë. Më vonë, Lukani shkroi se ai dhe grupi që ishte me të, dinin nga ditari i një eksploruesi më të hershëm «se kishte groposur disa vegla zdrukthi afër Pit Springsit nën një boab të madh, ku ishin gdhendur inicialet e tij». Për habi, ata i gjetën pemën dhe veglat. Pastaj, «prenë një boab të madh e të mirë» dhe brenda pesë ditëve ndërtuan një kanoe. Ajo pluskonte mbi ujë pa problem dhe të gjithë u kthyen në shtëpi shëndoshë e mirë.
Dy nga boabët më të famshëm janë ai që quhet Pema e Burgut të Derbit dhe Pema e Burgut të Uindëmit, që e kanë marrë emrin nga qytetet aty pranë. Shumë njerëz besojnë se këta gjigantë të zgavërt, brenda të cilëve mund të strehohen disa njerëz, shërbenin si burgje në shekullin e 19-të. Megjithatë, disa historianë të sotëm i vënë në dyshim këto pohime. Sidoqoftë, këto pemë janë specie të mahnitshme e mjaft të njohura për turistët.
Arti i boabit
Dikur njerëzit gdhendnin figura dhe mesazhe në trungjet e këtyre pemëve. Kurse sot, artistët në thellësi të vendit i kursejnë ato dhe shpalosin talentin duke gdhendur kokrrat e tyre vezake që mund të arrijnë deri në 25 cm të gjata dhe 15 cm të gjera.
Pasi këput nga pema një kokërr të përshtatshme, artisti gdhend figura mbi lëvozhgën ngjyrë kafe me një thikë xhepi. Figurat më të pëlqyera janë kafshët e atyre viseve, skena gjuetie nga aborigjenët, fytyra dhe pamje njeriu. Punimet më të bukura shpesh kërkohen nga koleksionistët. Blerës të tjerë janë turistët dhe dyqanet rreth e qark.
Vërtet, boabi mund të mos jetë i madh sa sekuoja, i hijshëm si plepi ose plot ngjyra si panja në vjeshtë. Por prapëseprapë, kjo pemë e fortë dhe e paepur është një thesar i pashoq për vendësit, nderon Krijuesin dhe, pse jo, tregon se ai ka një ndjenjë të hollë humori.
[Shënimi]
^ par. 10 Pema zhvoshket kur rreth e përqark trungut hiqet një rrip lëvoreje. Kjo i heq lëngësirën dhe vret pjesën më të madhe të pemëve.
[Figura në faqen 17]
Lulet çelin natën dhe fishken pas pak orësh
[Figura në faqen 18]
Hardhucë qaferashkë gdhendur në një kokërr boabi