Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si është Perëndia?

Si është Perëndia?

Pikëpamja e Biblës

Si është Perëndia?

«PERËNDIA është Frymë, dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë»,—shpjegon Bibla. Ky pohim zbulon një të vërtetë themelore rreth Perëndisë: ai është frymë. (Gjoni 4:19-24) Megjithatë, në Bibël ai përshkruhet si një person, si individ. Emri i tij është Jehova.—Psalmi 83:18.

Disa lexues të Biblës janë shprehur se nuk e kanë edhe aq të qartë si është Perëndia. Meqë Perëndia është një qenie frymore e padukshme dhe jo një qenie fizike, atëherë, pse Bibla në shumë vende e përshkruan Perëndinë sikur ka sy, veshë, hundë, zemër, krahë, duar, gishtërinj dhe këmbë? * Disa mund të nxjerrin përfundimin se Perëndia ka trup si njeriu, ngaqë Bibla thotë se njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Por një shqyrtim më i thellë i Biblës mund ta fashitë këtë paqartësi.—Zanafilla 1:26.

Pse përshkruhet me tipare njerëzore?

Për t’i ndihmuar njerëzit që të kuptojnë si është Perëndia, shkrimtarët e Biblës u frymëzuan nga ai që ta përshkruanin të Plotfuqishmin me tipare njerëzore. Sipas studiuesve, këta lloj termash përdoren për të përshkruar ose përfytyruar dikë a diçka sikur të kishte pamjen a cilësitë e njeriut. Ata tregojnë se gjuha njerëzore është e kufizuar kur vjen puna për të përshkruar Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Synimi i këtyre termave ishte të kapeshin aspektet thelbësore të pamjes dhe të personalitetit të Perëndisë dhe të përcilleshin në një mënyrë që njerëzit mund t’i kuptonin. Kjo nuk do të thotë që t’i marrim këta terma në kuptimin e mirëfilltë, ashtu siç nuk do të bënim me fjalë të tilla, si «Shkëmbi», ‘dielli’ a ‘mburoja’, që Bibla i përdor për Perëndinë.—Ligji i përtërirë 32:4; Psalmi 84:11.

Po kështu, për të përcjellë idenë se njeriu i zotëron në mënyrë të kufizuar ato cilësi që Jehovai i zotëron plotësisht, Bibla thotë se njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Natyrisht, kjo nuk do të thotë që njerëzit janë qenie frymore ose që Perëndia ka pamje njerëzore.

A është Perëndia mashkull apo femër?

Ashtu si fjalët që përdoren për të përshkruar Perëndinë me tipare njerëzore nuk duhen marrë në kuptimin e mirëfilltë, po kështu edhe gjinia mashkullore që përdoret për Perëndinë nuk duhet marrë në kuptimin e mirëfilltë. Ndarja në gjini është vetëm për krijesat fizike dhe është një mjet gjuhësor që pasqyron sa e kufizuar është gjuha njerëzore për të përshkruar plotësisht Perëndinë e Plotfuqishëm, Jehovain.

Cilësimi që i bën Bibla Krijuesit me termin Atë, na ndihmon të kuptojmë se ai mund të krahasohet me një baba të dashur, mbrojtës dhe të kujdesshëm. (Mateu 6:9) Kjo nuk do të thotë që Perëndinë ose krijesat e tjera në qiell t’i konsiderojmë meshkuj a femra. Gjinia në kuptimin e seksit, nuk është karakteristikë e qenies së tyre. Është interesante se Bibla tregon që ata të cilët thirren si bashkëtrashëgimtarë me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore, nuk presin të mbajnë gjininë që kanë si njerëz kur të marrin lavdi si bij frymorë të Perëndisë. Apostulli Pavël u kujtoi atyre se mes tyre «nuk ka as mashkull, as femër» kur t’u jepet lavdi si bij frymorë të Perëndisë. Në mënyrë figurative ata janë përshkruar edhe si ‘nusja’ e Qengjit, e Jezu Krishtit. Të gjitha këto ilustrojnë se tiparet njerëzore që i vishen Perëndisë—si edhe Birit të tij të vetëmlindur, Jezuit, e krijesave të tjera frymore—nuk duhen marrë në kuptimin e mirëfilltë.—Galatasve 3:26, 28; Zbulesa 21:9; 1 Gjonit 3:1, 2.

Duke e kuptuar siç duhet rolin e burrit, shkrimtarët e Biblës përdorën gjininë mashkullore për Perëndinë. Ata e dinin se burri që e përmbushte siç duhet rolin e tij ishte një pasqyrim i mirë i interesimit të dashur atëror që ka Jehovai për fëmijët e tij tokësorë.—Malakia 3:17; Mateu 5:45; Luka 11:11-13.

Cilësia mbizotëruese e Perëndisë

Ndonëse është qenie frymore, Sovrani suprem nuk është aspak i ftohtë, i mbështjellë me mister ose natyrë që nuk komunikon. Fakti që ai është frymë nuk i pengon individët me zemër të drejtë ta njohin dashurinë, fuqinë, mençurinë dhe drejtësinë e tij. Edhe këto cilësi tregojnë si është Perëndia dhe shihen qartë në krijim.—Romakëve 1:19-21.

Gjithsesi natyra e Perëndisë mund të përmblidhet me cilësinë e tij mbizotëruese, dashurinë. Kaq e jashtëzakonshme është dashuria e tij, saqë thuhet se ai është personifikimi i saj. (1 Gjonit 4:8) Kjo cilësi përmbledh veçori të tjera të natyrës së tij, si: mëshirën, faljen dhe shpirtgjerësinë. (Dalja 34:6; Psalmi 103:8-14; Isaia 55:7; Romakëve 5:8) Jehovai është vërtet Perëndi i dashurisë dhe na fton ne njerëzit t’i afrohemi.—Gjoni 4:23.

[Shënimi]

A DONI TË DINI?

▪ Cili është emri i Perëndisë?—Psalmi 83:18.

▪ Ku mund t’i shohim të shfaqura cilësitë e Perëndisë?—Romakëve 1:19-21.

▪ Cila është cilësia mbizotëruese e Perëndisë?—1 Gjonit 4:8.