Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bekime më të mëdha se pasuria

Bekime më të mëdha se pasuria

XHONI kishte bërë goxha karrierë në Shtetet e Bashkuara. Që kur ishte i ri, ai udhëtonte nëpër botë dhe fitonte shumë para. Xhoni dhe e shoqja kishin një shtëpi të bukur dhe bënin një jetë të rehatshme. Në sytë e shumë njerëzve ata ishin të bekuar.

Ja edhe një rast tjetër. Nga më shumë se 5.000 kandidatë për një vend pune në një bankë të shquar evropiane, u zgjodhën vetëm 80, ndër të cilët edhe Kosta *. Vetëm në pak vjet ai çau përpara dhe si përfundim u bë shef i një departamenti të rëndësishëm në një bankë tjetër. Në një vit fitonte para më tepër nga ç’fitojnë shumë njerëz një jetë të tërë. Pastaj e la atë punë dhe hapi kompaninë e vet. Ndihej fatlum.

Prapëseprapë, të dy këta burra janë të bindur se ka bekime më të mëdha se pasuria. Sot Xhoni shërben pa pagesë si një mësues i Biblës dhe i ndihmon të tjerët të lidhen ngushtë me Perëndinë. «E kam parë dhe provuar personalisht se pasuria nuk të çon drejt lumturisë,—thotë Xhoni.—Lufta që bën për ta fituar e për ta ruajtur, nuk të lë kohë për asgjë. Nga ana tjetër, jeta sipas parimeve biblike u hap udhën mjaft bekimeve, si një martesë shumë më të lumtur, paqe mendore dhe një ndërgjegje të qetë.»

Edhe Kosta thotë: «Perëndia nuk dëshiron që ne të jepemi pas luksit. Jam plotësisht i bindur se gjithçka që na jep përtej nevojave tona të përditshme, na vë në detyrimin që ta përdorim sipas vullnetit të tij.» Kohët e fundit, Kosta e familja e tij i hynë një gjuhe të huaj që t’u mësonin më shumë njerëzve parimet biblike. Ai thotë: «Kemi kuptuar se jemi më të lumtur kur japim, sesa kur marrim.»​—Veprat 20:35.

Që të dy, Xhoni dhe Kosta, kanë nxjerrë si përfundim se bekimet që vijnë nga marrëdhënia me Perëndinë kanë shumë më tepër vlerë se pasuria. Daniel Gilberti, profesor në Harvard, thotë se specialistët e shëndetit mendor «kanë harxhuar dekada të tëra duke studiuar lidhjen mes pasurisë dhe lumturisë. Në përgjithësi kanë arritur në konkluzionin se pasuria ia shton lumturinë njeriut kur e nxjerr nga varfëria e mjerueshme dhe e fut në shtresën e mesme». Por më tej shton: «Pas kësaj nuk ka ndonjë ndikim të madh te lumturia.»

Shpesh mëson nga zhgënjimi

Një studiues i mençur vërejti: «Me të dalë nga varfëria, rritja e të ardhurave çuditërisht nuk lidhet shumë me lumturinë.» Në fillim të shekullit të kaluar një gazetari iu ngulit në mendje ky mësim kur intervistoi Endru Karnegin, një nga pionierët e industrisë së çelikut, asokohe ndër njerëzit më të pasur të botës. «Mos më kini zili,—i tha atij Karnegi.—E si mund të më ndihmojë pasuria?! Jam gjashtëdhjetë vjeç dhe s’e tret dot ushqimin. Do të jepja gjithë milionat, vetëm të isha i ri dhe i shëndetshëm.»

Gazetari shtoi: «Befas z. Karnegi u kthye dhe me hidhësi e i prekur sa s’ka, më pëshpëriti: ‘Jam gati të shes gjithçka, veç ta nisja jetën nga e para.’» Një tjetër multimilioner, industrialist i fuqishëm i naftës, Xh. Pol Geti, shprehu të njëjtin mendim më vonë: «Paratë nuk kanë domosdoshmërisht ndonjë lidhje me lumturinë. Ndoshta kanë me palumturinë.»

Edhe ti mund të jesh plotësisht dakord me shkrimtarin biblik që i kërkoi Perëndisë: «Mos më jep as varfëri, as pasuri. Më lër të ha aq sa më nevojitet, që të mos ngopem e pastaj të të mohoj dhe të them: ‘Kush është Jehovai?’ e të mos bie në varfëri dhe pastaj të vjedh e të përdhos emrin e Perëndisë tim.»​—Proverbat 30:8, 9.

Mbreti Solomon në Izraelin e lashtë shpjegoi: «U madhërova dhe u begatova më shumë se kushdo që kishte qenë para meje në Jerusalem.» Megjithatë shtoi: «Çdo gjë ishte kotësi dhe një rropatje pas erës.» Veç kësaj Solomoni tha: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe ai nuk shton asnjë dhembje.»​—Eklisiastiu 2:9-11; 5:12, 13; Proverbat 10:22.

Kur i përdor paratë me mençuri, jeta sjell më shumë kënaqësi

Udha drejt bekimeve të përhershme

Është e qartë se lumturinë e vërtetë e të qëndrueshme mund ta gjejmë vetëm po të plotësojmë siç duhet nevojat tona shpirtërore. Nëse vëmë Perëndinë në vend të parë, jeta jonë do të bëhet më e pasur dhe më e bukur në çdo drejtim.

Sa mirë që paraja nuk do të jetë gjithnjë burim shqetësimesh! Bibla na siguron se, në të ardhmen, lakmia dhe tregtia shfrytëzuese do të marrin fund një herë e mirë. (1 Gjonit 2:15-17) Pas kësaj, sistemi i ri i Perëndisë do të drejtohet nga parimet e tij të drejta. Toka do të kthehet në parajsë, siç ishte qëllimi i Perëndisë kur vendosi në të çiftin e parë. Çfarë bekimi do të jetë ta shohim mbarë tokën plot me lumturi, paqe dhe dashuri!​—Isaia 2:2-4; 2 Pjetrit 3:13; 1 Gjonit 4:8-11.

Nëse vëmë Perëndinë në vend të parë, jeta jonë mund të bëhet më e bukur

Atëherë jeta nuk do të jetë e zymtë ose e mërzitshme. Dora-dorës që Perëndia do të plotësojë qëllimin e tij që njerëzit të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore, përveç bekimeve shpirtërore, do të na japë edhe begati. Jemi të sigurt se do të ketë për të gjithë ushqim, shtëpi dhe punë të kënaqshme. Varfëria do të çrrënjoset.​—Psalmi 72:16; Isaia 65:21-23; Mikea 4:4.

Kushdo që tregon besim me gjithë zemër te Jehovai, Perëndia i Biblës, nuk do të zhgënjehet. (Romakëve 10:11-13) Sa e mençur është të synojmë qysh tani bekimet që janë më të mëdha se pasuria!​—1 Timoteut 6:6-10.

^ par. 3 Emri është ndryshuar.