Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të keni frikë nga të vdekurit?

A duhet të keni frikë nga të vdekurit?

Pikëpamja e Biblës

A duhet të keni frikë nga të vdekurit?

Pjesëtarët e fisit anang në Nigeri besojnë se, po të mos i varrosin të vdekurit me lëvdatat dhe nderimin e duhur, shpirtrat e tyre do t’u sjellin telashe familjarëve e ndoshta edhe vdekjen. Edhe disa kinezë besojnë se, po të mos ndiqen zakonet e varrimit, shpirti i të vdekurve do të sulmojë, e madje do të vrasë të tjerë.

BINDJA se, kur vdes njeriu, diçka e quajtur shpirt ose frymë del nga trupi, është e përhapur në mjaft kultura anembanë botës. Gjithashtu, shumë veta besojnë se ky shpirt mund të ndikojë në jetën e familjarëve a të miqve.

Gjithsesi, a ekziston vërtet diçka e vetëdijshme që jeton pas vdekjes së njeriut? A mund t’i dëmtojë ajo të gjallët? Cila është pikëpamja e Biblës?

A janë të vetëdijshëm të vdekurit?

Bibla thotë se të vdekurit «s’janë të vetëdijshëm për asgjë». Veç kësaj thotë se «vdekja i ka bërë të pafuqishëm». (Eklisiastiu 9:5; Isaia 26:14) Fjala e Perëndisë shpjegon për njeriun e parë, Adamin: «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës, dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.»Zanafilla 2:7.

Vini re se Adami u krijua të ishte një shpirt, pra një njeri i gjallë. Sipas Biblës, Adamit nuk iu dha një shpirt që mund të jetonte i ndarë nga trupi. Pra, kur Adami vdiq ngaqë mëkatoi, ai u bë një ‘shpirt i vdekur’. (Numrat 6:6) Gjithashtu Bibla thotë: «Ai shpirt që mëkaton, do të vdesë.» (Ezekieli 18:4) Të gjithë ne kemi trashëguar mëkatin ose papërsosmërinë nga njeriu i parë, Adami. Pra, kur ne vdesim, shpirti vdes.—Romakëve 5:12.

Kur Bibla përshkruan gjendjen e të vdekurve, nuk përdor terma misteriozë, por shprehje që kuptohen, si për shembull, «bie në gjumin e vdekjes». (Psalmi 13:3) Njëherë Jezui tha për një vajzë 12-vjeçare: «Ajo nuk ka vdekur, por po fle.» Njerëzit «nisën ta qeshnin me qesëndi, sepse e dinin që ajo kishte vdekur». Megjithatë, Bibla tregon se Jezui e zgjoi atë nga gjumi i vdekjes.—Luka 8:51-54.

Një shprehje e ngjashme u përdor edhe kur vdiq Lazari. Jezui u tha dishepujve se po shkonte te Lazari ‘që ta zgjonte nga gjumi’. Dishepujt nuk e kuptuan ç’donte të thoshte ai, prandaj «Jezui ua tha troç: ‘Lazari ka vdekur.’» Edhe apostulli Pavël foli për ata ‘që po flinin në gjumin e vdekjes’ dhe tha se në kohën që ka caktuar Perëndia, do të vijnë sërish në jetë. —Gjoni 11:11-14; 1 Selanikasve 4:13-15.

Është domethënës fakti që Bibla nuk tregon asgjëkundi se ka një shpirt që jeton pas vdekjes së njeriut. Pra nuk kemi arsye përse të frikësohemi nga të vdekurit. Atëherë, nga erdhi kjo bindje kaq e përhapur se një pjesë e njeriut jeton pas vdekjes? Çfarë qëndron pas frikës se të vdekurit mund t’u bëjnë keq të gjallëve?

Mashtrimi

Fetë e rreme kanë përhapur idenë se njerëzit nuk vdesin në të vërtetë. Në fillim të historisë së njerëzimit, doktrina e pavdekësisë së shpirtit u pranua gjerësisht. Për rrjedhojë, kur vdisnin disa sundimtarë, si faraonët e Egjiptit të lashtë, skllevërit e tyre vriteshin në mënyrë që t’i shërbenin sundimtarit edhe në një jetë të ardhshme.

Shumë veta janë shqetësuar nga ata që, sipas asaj që u kanë mësuar, janë shpirtrat e të vdekurve. Këta njerëz janë të bindur se ngacmimet u kanë ardhur nga shpirtrat e të afërmve të vdekur a të tjerëve që janë zemëruar me ta. Sidoqoftë, siç e tregojnë qartë Shkrimet, kjo nuk është e vërtetë. Prapa këtyre sulmeve fshihen forca të padukshme frymore që quhen demonë. Ata kënaqen kur i ngacmojnë dhe i frikësojnë njerëzit.—Luka 9:37-43; Efesianëve 6:11, 12.

Bibla thotë se Satanai është «ati i gënjeshtrës» që «vazhdon të shndërrohet në engjëll drite». Ai me demonët e tij po «mashtron gjithë tokën e banuar». (Gjoni 8:44; 2 Korintasve 11:14; Zbulesa 12:9) Në të vërtetë, prapa gënjeshtrës se shpirti është i pavdekshëm dhe se mund të dëmtojë të gjallët, fshihet Satanai.

Megjithatë, ata që besojnë Biblën, nuk mashtrohen nga gënjeshtra të tilla. Ata kanë mësuar të vërtetën se Satanai orvatet t’i mashtrojë njerëzit që të besojnë se të vdekurit mund të komunikojnë me të gjallët. E vërteta është siç thotë Bibla: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» (Eklisiastiu 9:5) Po, Fjala e Perëndisë përmban të vërteta që na çlirojnë nga gënjeshtrat për gjendjen e të vdekurve.—Gjoni 8:32.

A DONI TË DINI?

▪ A janë të vetëdijshëm të vdekurit?—Eklisiastiu 9:5; Isaia 26:14.

▪ Nga erdhi bindja kaq e përhapur se një pjesë e njeriut jeton pas vdekjes? —Gjoni 8:44.

▪ Ku e gjejmë të vërtetën për gjendjen e të vdekurve? —Gjoni 8:32; 17:17.

[Diçitura në faqen 23]

Janë krijesat e liga frymore ato që kënaqen duke i shqetësuar njerëzit, dhe jo të vdekurit