Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besnike ndaj Perëndisë më shumë se 70 vjet

Besnike ndaj Perëndisë më shumë se 70 vjet

Besnike ndaj Perëndisë më shumë se 70 vjet

Treguar nga Jozefina Eliasi

«Mos ki merak,—më pëshpëriti im shoq prapa hekurave të burgut.—Sido që të jetë, më vrasin a më lirojnë, do t’i qëndroj besnik Jehovait.» Edhe unë isha e vendosur të qëndroja besnike. Ende jam po kaq e vendosur.

LINDA më 1916-n në Sukabum, një qytet i vogël në malet e Javës Perëndimore, Indonezi. Prindërit ishin kinezë të pasur dhe jetonin në një shtëpi të madhe me shërbëtorë. Kisha pesë vëllezër, tre më të mëdhenj dhe dy më të vegjël. Isha e vetmja vajzë, kështu që u bëra si çun. Hipja majë çative dhe më pëlqente sporti. Gjithsesi diçka më shqetësonte pa masë.

Tmerrohesha nga ideja se mund të digjesha në ferr. Mësueset thoshin se vajzat e prapa shkonin në ferr. Meqë isha e prapë, mendoja se atje do të përfundoja. Më pas, kur ndiqja shkollën e mesme në Xhakartë (që atëherë quhej Batavi), u sëmura. Mjeku mendonte se s’kisha shpresë, kështu pronarja e shtëpisë mundohej të më ngushëllonte duke më thënë se shpejt do të shkoja në qiell. Megjithatë, kisha frikë se më priste ferri.

Ime më, Kang Nio, dhe im vëlla Dodo, më i madh se unë, erdhën me vrap në Xhakartë për të më marrë. Kur po shkonim në shtëpi, Dodoja më pyeti: «A e di që Bibla nuk thotë se ka ferr të zjarrtë?»

«Nga e di ti?»—e pyeta. Mami më lexoi nga Bibla shkrime që tregonin se të vdekurit janë të pavetëdijshëm dhe se do të ringjallen. (Eklisiastiu 9:5, 10; Gjoni 5:28, 29) «Na e mësuan Dëshmitarët e Jehovait»,—thanë. Ata më zgjatën një broshurë të vogël për gjendjen e të vdekurve, të cilën e fillova menjëherë. * Pa arritur në shtëpi, u thashë e bindur: «Kjo është e vërteta!»

Shpall besimin tim

Asokohe ishim shpërngulur familjarisht në Bandung, qytet i madh në Javën Perëndimore. Atje dalëngadalë e mora veten. Në mars të 1937-s, në shtëpinë tonë erdhi Klem Deshampi, një Dëshmitar australian që shërbente në Xhakartë. Gjatë vizitës së tij, unë, mamaja, vëllezërit e mëdhenj—Feliksi, Dodoja e Pengu—u pagëzuam për të simbolizuar kushtimin ndaj Perëndisë. Më pas u bënë Dëshmitarë edhe vëllezërit e vegjël, Hartantoja dhe Jusaku, si dhe babai, Tan Gim Hoku. *

Pasi u pagëzuam, shkuam me Klemin në një fushatë predikimi nëntëditore. Na mësoi si të predikonim me kartën e dëshmisë që kishte një mesazh të thjeshtë nga Bibla në tri gjuhë. Gjithashtu u flitnim për Perëndinë edhe të afërmve e miqve. Grupi ynë i vogël në Bandung shpejt u bë kongregacion, i dyti në gjithë Indonezinë.

Po atë vit si familje u transferuam në Xhakartë që t’u predikonim 80.000 kinezëve që jetonin atje. Unë, mamaja dhe Feliksi u bëmë pionierë dhe ia kushtonim shumicën e kohës predikimit të krishterë. Gjithashtu predikova në Bandung, Surbajë e vende të tjera. Pjesën më të madhe të kohës predikoja vetëm. Isha e re, e fortë dhe e lumtur që i shërbeja Perëndisë. Por në horizont dukeshin retë e luftës dhe besimi shpejt do të më sprovohej.

Lufta sjell sprova

Në dhjetor të 1941-shit, Azia u zhyt papritur në kaosin e Luftës II Botërore. Indonezia ra në darën e Ushtrisë Perandorake Japoneze. Literatura jonë biblike u ndalua dhe nuk mund të predikonim haptas. Kur shkoja në shtëpitë e të interesuarve, merrja me vete një kuti shahu, që të tjerët të mendonin se po luanim.

Më 1943 u martova me Andrenë, një pionier i guximshëm me zë kumbues që të bënte përshtypje. Së bashku u shpërndanim fshehurazi literaturë biblike Dëshmitarëve anekënd Javës. Po të na kapnin, na prisnin torturat dhe vdekja. Shumë herë shpëtuam për fije.

Një herë, kur po merrnim trenin në Sukambi, na ndaloi Kempeitai, Policia Ushtarake Japoneze, që ngjallte shumë frikë. Thellë në çantë kisha literaturë të ndaluar. «Çfarë ke në çantë?»—pyeti një polic.

«Rroba»,—u përgjigj Andrea.

«Po poshtë rrobave?»—tha ai?

«Rroba të tjera»,—ia ktheu Andrea.

«Po në fund të çantës?»—kërkoi llogari polici. Më ngriu gjaku dhe iu luta në heshtje Jehovait. «Kontrollo vetë po deshe»,—iu përgjigj Andrea.

Vartësi i policit e futi dorën thellë në çantë. Befas ulëriti nga dhembja dhe e nxori vrik dorën nga çanta. E kishte shpuar një gjilpërë. Polici s’e bëri të gjatë dhe tërë siklet na urdhëroi të mbyllnim çantën e të hipnim në tren.

Kur shkuam një herë tjetër në Sukabum, Kempeitai mori vesh se isha Dëshmitare dhe më thirrën në komandën e tyre. Me mua erdhi Andrea dhe vëllai im, Feliksi. I pari u mor në pyetje Andrea. Atë e bombarduan me një breshëri pyetjesh. «Çfarë janë Dëshmitarët e Jehovait? A je kundër qeverisë japoneze? A je spiun?»

«Ne i shërbejmë Perëndisë së Plotfuqishëm dhe s’kemi bërë asgjë të keqe»,—u përgjigj Andrea. Komandanti ushtarak mori një shpatë samurai të varur në mur dhe e ngriti.

«Po sikur të të vras tani?»—iu hakërrua. Andrea vuri kokën mbi tavolinë dhe u lut në heshtje. Pas një pauze të gjatë shpërtheu një e qeshur. «Qenke trim!»—tha oficeri. Pastaj Andrean e la të lirë dhe më thërriti mua dhe Feliksin. Kur pa se dëshmia jonë përputhej me atë të Andreas, oficeri bërtiti: «Zhdukuni, ju s’jeni spiunë!»

Rrugës për në shtëpi të tre lëvdonim me gëzim Jehovain. E nga ta dinim se në prag na prisnin sprova të tjera?!

Sprova të tjera besimi

Disa muaj më vonë, Andrean e spiunuan ca ‘vëllezër të rremë’ dhe e arrestoi Kempeitai. (2 Korintasve 11:26) Shkova ta takoja në burg. Ishte kockë e lëkurë dhe i pafuqishëm. E kishte mbajtur frymën gjallë duke mbledhur mbeturina ushqimesh në kanalin e kullimit. Ata nuk ia kishin thyer dot besnikërinë. Siç thashë në fillim, ai më pëshpëriti nga hekurat: «Mos ki merak. Sido që të jetë, më vrasin a më lirojnë, do t’i qëndroj besnik Jehovait. Që këtej mund të dal i vdekur, por jo tradhtar.»

Pasi e mbajtën gjashtë muaj në burg, Andrean e nxorën para Gjykatës së Lartë të Xhakartës. Familjarët dhe miqtë tanë e mbushën sallën plot. Atmosfera ishte e tensionuar.

«Pse nuk shkon në ushtrinë japoneze?»—i kërkoi llogari gjykatësi.

«Jam ushtar i Mbretërisë së Perëndisë,—iu përgjigj Andrea,—dhe një ushtar nuk mund t’u shërbejë dy ushtrive njëkohësisht.»

«A do t’u thoshe të tjerëve të mos shkonin ushtar?»—pyeti gjykatësi.

«Jo,—tha Andrea,—secili vendos vetë.»

Andrea vazhdoi mbrojtjen duke cituar shumë vargje nga Bibla. Gjykatësit, një mysliman i devotshëm, i bëri shumë përshtypje. «Nuk kemi të njëjtin besim, por s’detyroj njeri të mos i bindet ndërgjegjes,—tha ai.—Je i lirë.»

Një valë lehtësimi përshkoi gjithë sallën dhe zemra më gufoi nga gëzimi. Andrea erdhi e më kapi për dore. Familjarë dhe miq u mblodhën rreth nesh dhe na uronin të gëzuar.

Predikojmë lirinë e vërtetë

Kur mbaroi Lufta II Botërore, në Indonezi shpërtheu një revolucion katërvjeçar kundër sundimit kolonial holandez. Mijëra njerëz u vranë, shumë fshatarë ia mbathën nga shtëpitë dhe në fshatra të tëra s’mbeti këmbë njeriu. Patriotët u përpoqën të na detyronin të thërritnim sloganin e tyre të luftës «Merdeka» që do të thotë «Liri». Por u thamë se nuk përziheshim në çështje politike.

Me gjithë situatën e dhunshme, filluam sërish predikimin shtëpi më shtëpi. Përdornim kartat e vjetra të dëshmisë dhe literaturën që na kish mbetur që para luftës. Në maj të 1948-s, kur ujërat u qetësuan, unë dhe Andrea nisëm përsëri shërbimin si pionierë dhe u bëmë të vetmit pionierë në Indonezi. Tre vjet më pas patëm një gëzim të madh. Pritëm në Xhakartë 14 Dëshmitarë të diplomuar në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit që ndodhet në veri të Nju-Jorkut, Shtetet e Bashkuara. Stërvitja që na dhanë na përgatiti për përgjegjësi të tjera.

Në qershor të vitit 1952, unë dhe Andrea pranuam të shërbenim si pionierë specialë në Semarang, në Javën Qendrore. Vitin pasues edhe ne ndoqëm klasën e 22-të të Galaadit. Pas diplomimit u kthyem në Indonezi dhe na caktuan në Kupang të Timorit. Në caktimet e tjera shkuam edhe në Celebesin e Jugut dhe në Celebesin e Veriut. Atje besimi ynë u sprovua prapë.

Përsëri të ndaluar

Më 1965-n, një përçapje për grusht shteti çoi në vdekjen e qindra mijë njerëzve. Në këtë përpjekje u përfshinë edhe disa klerikë të të ashtuquajturit krishterim, që thanë se Dëshmitarët e Jehovait ishin komunistë. Fatmirësisht autoritetet nuk u mashtruan kollaj. Prapëseprapë, klerikët nuk hoqën dorë nga sulmet dinake kundër Dëshmitarëve derisa, më 25 dhjetor 1976, Dëshmitarët e Jehovait u ndaluan.

Pak pasi u shpall ndalimi, prokurori i Manados e thirri në zyrë Andrean. «A e di se Dëshmitarët e Jehovait janë ndaluar?»—pyeti ai.

«Po»,—iu përgjigj Andrea.

«Do e ndërrosh besimin tani?»—pyeti prokurori.

Andrea u përkul drejt tij dhe goditi gjoksin. «Mund të ma shkulni zemrën, por kurrë s’ma ndryshoni dot fenë!»—tha me zë kumbues.

I shtangur prokurori pyeti: «Çfarë të shkruaj në raport?»

«Shkruaj se jam akoma Dëshmitar i Jehovait dhe s’kam bërë asgjë të keqe»,—u përgjigj Andrea.

«Duhet t’ju konfiskoj literaturën»,—tha prokurori.

Atë natë, të rinj Dëshmitarë morën literaturën nga shtëpia jonë dhe lanë vetëm kuti bosh. Vazhduam predikimin duke përdorur Biblën. Ndërsa prokurori nuk na ra më në qafë.

Jetë e mrekullueshme

Më pas unë dhe Andrea shërbyem si pionierë në Surabajë, në ishullin e Javës dhe në Bankë, një ishull në juglindje të Sumatrës. Megjithatë, më 1982, për shkak të shëndetit të dobët u kthyem në Xhakartë, ku në vitin 2000 Andrea vdiq në moshën 85-vjeçare. Ai shërbeu me zell si pionier deri në fund. Vitin pasues ndalimi u hoq.

Ç’jetë të mrekullueshme kam pasur! Sot jam 93 vjeçe dhe kam mbi 70 vjet që shërbej si pioniere. Kur u pagëzova në 1937-n, kishte vetëm 25 Dëshmitarë të Jehovait në të gjithë Indonezinë. Sot ka afro 22.000. Më bëhet zemra mal që kam ndihmuar edhe unë për këtë rritje. Por jeta ime sapo ka filluar. Dua t’i shërbej me besnikëri Perëndisë, përgjithmonë.

[Shënimet]

^ par. 7 Broshura Ku janë të vdekurit?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, tani nuk shtypet më në asnjë gjuhë.

^ par. 9 Gjithë familja i qëndroi besnike Jehovait. Jozefina dhe Jusaku, të vetmit që janë ende gjallë i shërbejnë akoma me zell Jehovait në Xhakartë.

[Diçitura në faqen 13]

«Jam ushtar i Mbretërisë së Perëndisë dhe një ushtar nuk mund t’u shërbejë dy ushtrive njëkohësisht.»

[Diçitura në faqen 14]

«Mund të ma shkulni zemrën, por kurrë s’ma ndryshoni dot fenë!»

[Harta në faqen 15]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Vende ku jetuam dhe predikuam

INDONEZI

Celebes

Manado

Sumatër

Bankë

Javë

XHAKARTË

Sukabum

Bandung

Semarang

Surabajë

Timor

Kupang

[Figura në faqen 15]

Me Andrean në vitet 70

[Figurat në faqen 15]

Kur isha 15 vjeçe, broshura e vogël «Ku janë të vdekurit?» më bindi për të vërtetën biblike