Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të bashkëjetojmë para martesës?

A duhet të bashkëjetojmë para martesës?

Pikëpamja e Biblës

A duhet të bashkëjetojmë para martesës?

A DO ta blije një kostum ose një fustan pa e provuar? Ka shumë të ngjarë që jo. Po të shihje pastaj që nuk të rri mirë, do të kishe harxhuar kot kohën dhe paratë.

Shumë njerëz përdorin të njëjtën logjikë për martesën. Ata mendojnë se është më mirë që një çift të bashkëjetojë para se të marrë ligjërisht angazhimin si burrë e grua. Ata arsyetojnë: «Nëse punët nuk shkojnë mirë, çifti mund të ndahet pa angarinë e procedurave të ndërlikuara e të kushtueshme të divorcit.»

Mbase disa që mendojnë kështu, kanë parë ndonjë shok a shoqe të martuar që ka duruar keqtrajtime. Ose ata vetë mund të kenë parë pasojat tronditëse të një martese ku dashuria është shuar. Si rrjedhojë mund ta shohin bashkëjetesën si maturi, si një masë mbrojtëse.

Cila është pikëpamja e Biblës për këtë çështje? Për t’u përgjigjur, së pari duhet të shqyrtojmë çfarë thotë Fjala e Perëndisë për institucionin e martesës.

«Një mish i vetëm»

Bibla ushqen një pikëpamje fisnike për martesën, dhe kjo nuk na habit, pasi ky institucion u autorizua dhe u themelua nga vetë Perëndia Jehova. (Zanafilla 2:21-24) Qysh në fillim, Perëndia kishte si qëllim që burri dhe gruaja të bëheshin «një mish i vetëm» nëpërmjet martesës. (Zanafilla 2:24) Pasi citoi fragmentin biblik ku tregohet kjo, Jezui shtoi: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Mateu 19:6.

Është e vërtetë se disa që martohen, më vonë divorcohen. * Sidoqoftë kjo nuk ndodh ngaqë institucioni i martesës ka ndonjë të metë në vetvete, por ngaqë njëri ose të dy bashkëshortët nuk i kanë mbajtur siç duhet premtimet që bënë ditën e dasmës.

Për ta ilustruar, ta zëmë se një burrë e një grua kanë një makinë, por nuk e mirëmbajnë sipas udhëzimeve të prodhuesit. Kush e ka fajin nëse makina prishet? Prodhuesi apo pronarët që nuk e mirëmbajtën rregullisht?

I njëjti parim vlen për martesën. Kur burri dhe gruaja e mirëmbajnë marrëdhënien e tyre dhe janë të vendosur t’i zgjidhin problemet duke zbatuar parimet biblike, ka shumë më pak gjasa të divorcohen. Martesa krijon një ndjenjë sigurie, pasi të dy bashkëshortët kanë marrë një zotim ndaj njëri-tjetrit. Kështu ajo bëhet baza e një marrëdhënieje të dashur.

«Rrini larg nga kurvëria»

Gjithsesi, disa mund të pyesin: «Ç’të keqe ka bashkëjetesa? A nuk tregon respekt për shenjtërinë e martesës fakti që një lidhje vihet në provë para se të merret ky zotim?»

Përgjigja e Biblës është e qartë. Pavli shkroi: «Rrini larg nga kurvëria.» (1 Selanikasve 4:3) Fjala «kurvëri» nënkupton të gjitha marrëdhëniet seksuale jashtë martesës. Këtu përfshihet edhe seksi mes një çifti që bashkëjeton, edhe sikur të kenë ndër mend të martohen. Pra, sipas Biblës, është e gabuar që një çift të bashkëjetojë, edhe sikur kjo të bëhet me synimin për t’u martuar më vonë.

A ka dalë jashtë mode pikëpamja e Biblës? Disa mendojnë kështu. Në fund të fundit, në mjaft vende, bashkëjetesa me ose pa synimin për t’u martuar quhet normale. Por mendo për pasojat. A e kanë gjetur kyçin për të pasur sukses në jetën familjare ata që bashkëjetojnë? A janë më të lumtur se çiftet që martohen? A janë pas martesës çiftet që bashkëjetojnë më besnike sesa çiftet e tjera? Studimet flasin ndryshe. Në të vërtetë është parë se çiftet e martuara që më parë bashkëjetonin, kanë më tepër probleme në martesë dhe përfundojnë më shpesh në divorc.

Disa specialistë thonë se këto studime janë të pasakta. Për shembull, një psikologe tha se rrethanat e njerëzve që në fillim vendosin të bashkëjetojnë ndryshojnë nga rrethanat e atyre që martohen pa bashkëjetuar më parë. Ajo thotë se janë këto ndryshime që ndikojnë në statistikat e divorcit dhe jo bashkëjetesa. Kjo psikologe pohon se ajo që ka rëndësi është «vlerësimi që ke për faktin që je i martuar».

Edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, thjesht nxjerr në pah sa e rëndësishme është të kultivosh pikëpamjen e Perëndisë për martesën. Bibla thotë: «Martesa të nderohet nga të gjithë.» (Hebrenjve 13:4) Kur burri dhe gruaja premtojnë se do të mbeten një mish i vetëm dhe tregojnë respekt për martesën, kanë një lidhje që s’këputet kollaj.—Eklisiastiu 4:12.

Le t’i kthehemi ilustrimit të përmendur në fillim. Vërtet, është logjike ta provosh kostumin ose fustanin para se ta blesh. Megjithatë, dukuria paralele nuk është bashkëjetesa, por të lësh kohë të mjaftueshme ta njohësh njeriun me të cilin mendon të martohesh. Ky hap jetësor, por që shpesh anashkalohet, është një nga sekretet e shumta të suksesit në familje.

[Shënimi]

^ par. 9 Bibla e lejon divorcin dhe rimartesën nëse njëri nga bashkëshortët kryen marrëdhënie seksuale jashtë martesës.—Mateu 19:9.

A DONI TË DINI?

▪ Pse Bibla e kufizon intimitetin seksual vetëm mes të martuarve? —Psalmi 84:11; 1 Korintasve 6:18.

▪ Çfarë cilësish duhet të kërkosh te një bashkëshort?—Rutha 1:16, 17; Proverbat 31:10-31.

[Kutia në faqen 29]

«MËKATON KUNDËR TRUPIT TË VET»

Bibla thotë: «Ai që praktikon kurvërinë, mëkaton kundër trupit të vet.» (1 Korintasve 6:18) Në dekadat e fundit ka dalë në pah sa të vërteta janë këto fjalë, duke parë se miliona veta kanë vdekur nga SIDA dhe nga sëmundjet e tjera të transmetueshme seksualisht. Por nuk mbaron me kaq. Studimet tregojnë se depresioni dhe tentativat për vetëvrasje hasen më dendur te të rinjtë aktivë seksualisht. Seksi me disa partnerë çon edhe në shtatzëni të padëshiruara dhe, kur gjenden përballë këtij realiteti, disa tundohen të abortojnë. Duke marrë parasysh faktet, dalim në përfundimin se kodi moral i Biblës nuk është aspak jashtë mode.