Një mik i rremë
Një mik i rremë
Ke një «mik» që e ke njohur që në rini. Me të ndiheshe më i rritur dhe dukej se të bënte më të pranuar ndër bashkëmoshatarët. Kur ishe i mërzitur, gjithmonë mbështeteshe tek ai për të gjetur «ngushëllim». Vërtet, je bërë i varur prej tij në shumë drejtime.
Por me kalimin e kohës, zbulove sa i rrezikshëm është. S’të ndahet për asnjë çast, edhe pse kjo të bën të padëshiruar për disa vende. Vërtet të ka bërë të ndihesh më i rritur, por këtë e ka arritur në kurriz të shëndetit tënd. Si për t’i vënë vulën, të vjedh një pjesë të rrogës.
Kohët e fundit, je përpjekur t’i presësh lidhjet me të, por ai nuk të ndahet. Në njëfarë mënyre, të është bërë padron. Do të doje të mos e kishe njohur kurrë.
KËTË lidhje kanë shumë veta me duhanin. Erlina, që kishte 50 vjet që pinte duhan, kujton: «Cigarja më ndihmonte më shumë se njerëzit. Për mua ishte më shumë se një shoqe e vjetër—ndonjëherë ishte shoqja e vetme.» Megjithatë Erlina filloi të kuptonte se në të vërtetë cigarja jo vetëm që nuk është shoqe, por është edhe e rrezikshme. Po, fjalët hapëse mund të thuhen fare mirë edhe për Erlinën, por me një përjashtim. Kur mësoi se Perëndia e dënon pirjen e duhanit, ngaqë ndot trupin që ai na ka dhënë, ajo e la.—2 Korintasve 7:1.
Edhe Franku vendosi ta linte duhanin që t’i pëlqente Perëndisë. Por një a dy ditë pasi kishte pirë cigaren e fundit, e gjeti veten këmbadoras poshtë shtëpisë duke kërkuar për bishta cigaresh që mund të kishin rënë nga hapësirat e dërrasave të dyshemesë. «Kjo i vuri kapak,—tha Franku.—Kur e pashë veten këmbadoras duke gërmuar në dhé për bishta cigaresh, m’u shpif vetja. Pas kësaj nuk vura më cigare në gojë.»
Pse është kaq e vështirë ta lësh duhanin? Studiuesit kanë zbuluar një sërë arsyesh: (1) Varësia që krijohet nga duhani mund të jetë e njëjtë me atë të drogës. (2) Nikotina mund të arrijë në tru vetëm shtatë sekonda pasi thithet. (3) Duhani shpesh bëhet pjesë e pandashme e njerëzve, sepse e pinë rregullisht kur hanë, kur pinë, kur bisedojnë, kur duan të heqin stresin e kështu me radhë.
Prapëseprapë, ashtu siç treguan edhe Erlina e Franku, nuk është e pamundur ta lësh këtë ves të dëmshëm. Nëse pi duhan, por do që ta lësh, leximi i artikujve vijues mund të jetë për ty fillimi i një jete të re.