A duhet të japin mësim gratë në kongregacion?
Pikëpamja e Biblës
A duhet të japin mësim gratë në kongregacion?
«MË HABIT dhe më ngre nervat fakti që asgjë nuk ka ndryshuar për sa i përket përfshirjes së grave në radhët e klerikëve»,—i shkroi një katolike gazetës USA Today. Shumë njerëz mendojnë kështu. Në fund të fundit, në fe të tjera gratë shërbejnë si dhjake, priftëresha, peshkope dhe rabine.
Fetë në të dyja krahët e polemikës—ata që nuk i lejojnë dhe ata që i lejojnë gratë të predikojnë nga katedra—pretendojnë se u përmbahen Shkrimeve. Megjithatë Bibla nuk mbështet asnjërën nga këto pikëpamje. Si është e mundur? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të kuptojmë në fillim se si e përdor Bibla fjalën greke diákonos, që në përgjithësi i referohet atij që shërben në kongregacion.
Në shekullin e parë
Çfarë do të thotë për ju fjala diákonos? Shumë vetave do t’u shkonte mendja menjëherë te një udhëheqës fetar, burrë a grua, që drejton një kongregacion në adhurim. Por Bibla e përdor këtë fjalë në një kuptim më të gjerë. Mendoni për Febën, që apostulli Pavël e prezantoi si «motrën tonë, që është dhjake e kishës që ndodhet në Kenkrea».—Romakëve 16:1, Diodati i Ri.
A e imagjinoni dot Febën para kongregacionit duke drejtuar një shërbesë fetare? Në të vërtetë, çfarë shërbimi kryente Feba? Në letrën e tij drejtuar Filipianëve, Pavli shkruan për disa gra që «bashkëpunonin me [të] . . . për përhapjen e lajmit të mirë».—Kursivi është yni; Filipianëve 4:2, 3, Contemporary English Version.
Mënyra kryesore se si të krishterët e shekullit të parë përhapnin lajmin e mirë ishte «publikisht dhe shtëpi më shtëpi». (Veprat 20:20) Ata që merrnin pjesë në këtë vepër ishin mësues. Këtu futeshin gra si Prishila, e cila bashkë me burrin «i shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë» një burri me frikë Perëndie që nuk ishte pagëzuar ende si i krishterë. (Veprat 18:25, 26) Ashtu si Feba, me sa duket Prishila ishte një mësuese e efektshme, siç ishin shumë gra.
Një rol i nderuar
A ishte predikimi publik një caktim i parëndësishëm, një detyrë dytësore që u ngarkohej grave ndërkohë që burrat bënin punën e rëndësishme të drejtimit në kongregacion? Aspak. E themi këtë për dy arsye. Së pari, Bibla thotë qartë se të gjithë të krishterët—përfshirë burrat që kishin përgjegjësi me peshë në kongregacion—duhej të merrnin pjesë në predikimin publik. (Luka 9:1, 2) Së dyti, predikimi publik ishte dhe është ende mënyra kryesore me anë të së cilës të krishterët e të dyja gjinive përmbushin urdhrin e Jezuit ‘për të bërë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i mësuar’.—Mateu 28:19, 20.
Gratë kanë edhe një rol tjetër të rëndësishëm në kongregacion. Pavli shkroi: «Gratë e moshuara [të jenë] . . . mësuese të së mirës, që t’i sjellin në vete të rejat që të duan burrat, të duan fëmijët.» (Titit 2:3, 4) Pra, gratë e pjekura me përvojë në jetën e krishterë kanë privilegjin t’i ndihmojnë më të rejat dhe ato me pak përvojë që të fitojnë pjekuri. Edhe ky është një rol me dinjitet dhe me peshë.
Mësimdhënia në kongregacion
Por askund në Bibël nuk flitet se grave u thuhet të qëndrojnë para kongregacionit për të dhënë mësim. Përkundrazi, apostulli Pavël i udhëzoi «të heshtin» në mbledhje. Pse? Sipas tij, një arsye ishte se kjo ndihmonte që gjërat të bëheshin «si ka hije dhe me rregull». (1 Korintasve 14:34, 40) Që gjërat në kongregacion të ecin mirë, Perëndia ia ka caktuar punën e mësimdhënies një grupi. Megjithatë, vini re se askujt nuk i jepet privilegji i mbikëqyrjes në kongregacion vetëm sepse është mashkull; i jepet vetëm atij që kualifikohet vërtet. *—1 Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9.
A i ul gratë roli që u ka caktuar Perëndia? Jo. Mos harroni se Perëndia Jehova u ka caktuar një detyrë të lartë: të japin publikisht dëshmi për të. (Psalmi 68:11) Ndër Dëshmitarët e Jehovait sot, burrat e gratë që predikojnë publikisht kanë ndihmuar miliona njerëz të pendohen dhe të arrijnë shpëtimin. (Veprat 2:21; 2 Pjetrit 3:9) Kjo s’është gjë e vogël.
Ky rregullim për burrat dhe gratë nxit paqen dhe nderon të dyja gjinitë. Ta ilustrojmë: sytë dhe veshët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin që ta ndihmojnë këmbësorin të kalojë një rrugë plot makina. Po kështu, kur burrat dhe gratë përmbushin vullnetin e Perëndisë sipas roleve që u janë caktuar, Perëndia e bekon kongregacionin me paqe.—1 Korintasve 14:33; Filipianëve 4:9. *
[Shënimet]
^ par. 13 Vini re se edhe autoriteti i një burri në kongregacion është i kufizuar. Ai i nënshtrohet Krishtit dhe duhet të veprojë në përputhje me parimet biblike. (1 Korintasve 11:3) Ata që kanë përgjegjësi në kongregacion duhet të jenë «të nënshtruar ndaj njëri-tjetrit», duke shfaqur një frymë të përulur dhe bashkëpunuese.—Efesianëve 5:21.
^ par. 15 Duke nderuar rolin që Perëndia u ka dhënë burrave në kongregacion, gratë e krishtere janë shembuj për engjëjt në qiej.—1 Korintasve 11:10.
A DONI TË DINI?
● Si jepnin mësim gratë e krishtere të kongregacionit të hershëm? —Veprat 18:26.
● Cilët janë caktuar për të mbikëqyrur kongregacionin?—1 Timoteut 3:1, 2.
● Si e konsideron Perëndia shërbimin e grave të krishtere sot?—Psalmi 68:11.
[Diçitura në faqen 29]
«Jehovai jep urdhrin. Gratë që shpallin lajmin e mirë, janë një ushtri e madhe.»—PSALMI 68:11