Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Mos ji në ankth për të nesërmen’

‘Mos ji në ankth për të nesërmen’

‘Mos ji në ankth për të nesërmen’

Rëneja nuk mbante dot më. I shoqi, Luka, kishte më shumë se tre vjet pa punë të qëndrueshme. Rëneja kujton: «Nga brenda po shpërtheja. Pasiguria e asaj që do të vinte më bënte të ndihesha përtokë.» Luka përpiqej ta qetësonte duke i shpjeguar se nevojat e tyre ishin plotësuar gjithnjë. «Por ti je ende i papunë. Na duhen para»,​—i përgjigjej Rëneja.

SIGURISHT, humbja e punës sjell ankth. I papuni vret mendjen: «Edhe për sa kohë do të jem pa punë? Po tani, si do ta shtyjmë muajin?»

Megjithëse është normale të shqetësohesh për gjërat e mësipërme, Jezu Krishti dha këshilla realiste që mund të na e lehtësojnë ankthin. Ai tha: «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen. . . . Secilës ditë i mjafton e keqja e vet.»​—Mateu 6:34.

Kupto çfarë të tremb

Jezui nuk po thoshte që të sillemi sikur problemi të mos ekzistonte. Megjithatë, nëse shqetësohemi për atë që mund të ndodhë të nesërmen, vetëm sa do të shtojmë ankthin e së sotmes. E thënë hapur, kemi fare pak në dorë për të përcaktuar se ç’do të ndodhë nesër, e mirë a e keqe qoftë. Por ama, ajo që mund të bëjmë, është të marrim masa për të tashmen.

Është më e lehtë ta thuash se ta bësh. Rebeka, burri i së cilës humbi punën që e kishte prej 12 vjetësh, thotë: «Kur je i rënduar emocionalisht, është e vështirë të mendosh me kthjelltësi. Por duhet. Kështu që u përpoqa ta mblidhja veten. Kur gjërat që kisha më shumë frikë nuk ndodhën, kuptova se s’ia vlen të shqetësohesh. Duke u përqendruar te problemet e së tashmes, shmangëm gjithë atë stres.»

Pyet veten: «Çfarë më tremb më shumë? Sa mundësi ka që kjo të ndodhë? Sa energji harxhoj duke e vrarë mendjen për gjëra që mund ose mund të mos ndodhin?»

Të kënaqemi me aq sa kemi

Ajo që mendojmë ndikon te ndjenjat tona. Prandaj Bibla nxit këtë qëndrim mendor: «Nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» (1 Timoteut 6:⁠8) Të kënaqemi do të thotë të kufizojmë dëshirat e të mjaftohemi kur nevojat e përditshme na plotësohen. Përpjekjet për të plotësuar dëshirën për të pasur më shumë, vetëm sa do të pengojnë përpjekjet për të jetuar më thjesht.​—Marku 4:​19.

Rëneja mësoi të kënaqej me pak kur e pa situatën në mënyrë realiste. Ajo thotë: «Kurrë nuk na kanë munguar dritat dhe gazi, as na kanë nxjerrë në rrugë të madhe. Problemi i vërtetë ishte se nuk ishim mësuar të jetonim kështu dhe dëshira jorealiste për të mbajtur nivelin e dikurshëm të jetesës, ma shtonte ankthin.»

Shpejt Rëneja kuptoi se ishte pikëpamja që ia bënte gjërat t’i dukeshin të papërballueshme, jo rrethanat. Ajo thotë: «Duhej të përballesha me realitetin dhe të mos mendoja vazhdimisht si do të doja të ishte. Kur mësova të kënaqesha me gjërat që Perëndia na jepte çdo ditë, isha shumë më e lumtur.»

Pyet veten: «A janë plotësuar nevojat e mia për sot? Nëse po, a mund të rri e qetë me besimin se do të plotësohen edhe nesër?»

Pikëpamja e duhur është hapi i parë për të përballuar vështirësitë e jetesës me pak të ardhura. * Por ç’hapa mund të marrësh nëse të ardhurat të janë kufizuar për shkak të papunësisë?

[Shënimi]

^ par. 14 Për më shumë informacion se si të gjesh dhe të mbash një punë, shih Zgjohuni! të 8 korrikut 2005, faqet 3-11.

[Kutia në faqen 5]

Këmbëngulja shpërblehet

Pas javë e javë përpjekjesh të kota për punë, Fredi mendoi se i ishin mbyllur të gjitha dyert. Ai thotë: «Ishte si të prisje në një stacion autobusi, por askush nuk vinte.» Ai vendosi të përqendrohej te e vetmja gjë që kishte vërtet në dorë: veprimet e veta. U dërgoi një CV edhe atyre kompanive që dukeshin se kishin fare pak nevojë për aftësitë e tij. Shqyrtoi të gjitha përgjigjet e tyre dhe u përgatit mirë për çdo intervistë, i bindur se «planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim». (Proverbat 21:⁠5) Fredi thotë: «Në një kompani bëra dy intervista radhazi ku menaxherët më bombarduan me pyetje.» Por këmbëngulja e tij u shpërblye. Ai thotë: «Më morën në punë!»

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Diçka më e rëndësishme se të ardhurat

Çfarë ka më shumë rëndësi: morali yt apo të ardhurat e tua? Shqyrto dy proverba biblikë.

«Më mirë është i vobekti që ecën me integritet, se njeriu dredharak, edhe pse i pasur.»​Proverbat 28:6.

«Më mirë një pjatë me perime aty ku ka dashuri, se një dem i majmur bashkë me urrejtje.»​—Proverbat 15:17.

Qartë, normat morale dhe vlera jonë si njerëz nuk kanë pse të humbasin bashkë me të ardhurat. Kur burri i Rënesë mbeti pa punë, ajo u tha fëmijëve: «Shumë baballarë i kanë braktisur familjet. Kurse babai juaj është ende këtu për ju. Ju e dini sa shumë ju do dhe ju ka ndihmuar në të gjitha problemet. Baba më të mirë nuk mund të gjenit!»