Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Njihuni me «njeriun e pyllit» në Indonezi

Njihuni me «njeriun e pyllit» në Indonezi

Njihuni me «njeriun e pyllit» në Indonezi

VARUR në një degë që dukej shumë e hollë për të mbajtur gjithë atë trup, krijesa gjigante na nguli sytë. Ngrimë në vend duke mos ia shqitur sytë. Ai dukej indiferent, kurse ne ngelëm gojëhapur. Ishim ballë për ballë me një orangutang, kafshën më të madhe që jeton në pemë.

Orangutangët bëjnë pjesë te majmunët trupmëdhenj, bashkë me gorillat dhe shimpanzetë. Këto krijesa të buta e të vetmuara jetojnë në xhunglat e dendura të Borneos dhe Sumatrës, dy nga ishujt më të mëdhenj të Azisë Juglindore. Emri i tyre formohet nga dy fjalë indoneziane orang dhe hutan, që do të thotë «njeri i pyllit».

A do të donit të dinit më shumë për këta majmunë të kuq, gjigantë dhe që të mahnitin? Atëherë na ndiqni në udhëtimin tonë thellë në Borneo teksa i vizitojmë në habitatin e tyre.

Takimi me orangutangët

Për të parë orangutangët, udhëtuam deri në Parkun Kombëtar të Tanxhung-Putingut, shtëpia e shumë e shumë kafshëve. Ata që tërheqin më tepër turistë janë mijëra orangutangët që jetojnë atje.

Vizita jonë filloi në portin e vogël të Kumaes, ku i hipëm një varke me motor të quajtur klotok. Përmes lumit gjarpërues u futëm thellë e më thellë në tunelin e ngushtë të krijuar nga gjethnaja e dendur. Përgjatë lumit rriteshin zabelet e palmave dhe krokodilët zinin pritë në ujërat e qeta e të errëta. Nëpër xhunglën përreth nesh jehonin zhurma të çuditshme që na emociononin.

Sapo zbritëm nga varka, u lyem me solucion kundër insekteve dhe u futëm në pyll. Brenda pak minutash takuam orangutangun e parë, mashkullin gjigant që përmendëm më lart. Gëzofi i kuq i shkëlqente si bakër i lustruar nën diellin e pasdites. Muskujt e tij të fryrë poshtë gëzofit na mrekulluan.

Meshkujt e rritur në natyrë arrijnë gjatësi 1,7 metra dhe peshojnë rreth 90 kilogramë, sa dyfishi i peshës së femrave. Ata që e kanë kaluar fazën e rritjes, kanë mollëza shumë të gjera që i japin fytyrës formën e diskut. Kanë edhe një gushë të varur, që e përdorin për ulërimat e vrumbullimat. Ndonjëherë lëshojnë një varg buçimash që mund të zgjatë deri në pesë minuta dhe të dëgjohet më shumë se dy kilometra larg. Ja pse quhet «thirrje e gjatë». Meshkujt ulërijnë kryesisht për të tërhequr femrat që duan të çiftohen dhe për të trembur rivalët.

Banorë të majave të pemëve

Ndërsa çanim rrugën përgjatë shtegut, na zunë sytë orangutangë që koloviteshin nga një pemë në tjetrën. Orangutangët kanë këmbë dhe duar të forta, elastike dhe si grremça. Katër gishta të dorës i kanë të gjatë dhe gishtin e madh të shkurtër, kurse gishtat e këmbës i kanë të mëdhenj. Kapen kollaj pas degëve dhe vijnë përreth tyre me hijeshi e me një qëllim dhe duken se nuk nxitojnë kurrë.

Orangutangët janë ekspertë për t’u kamufluar, shkrihen si hije nën kurorën e pemëve. Kur janë në tokë lëvizin aq ngadalë sa edhe njerëzit mund t’ua kalojnë pa problem.

Këto kafshë kalojnë pothuajse gjithë jetën në majat e pemëve dhe janë të vetmit majmunë të mëdhenj që e bëjnë këtë. Në pjesën më të madhe të mbrëmjeve, në kohën e perëndimit, zgjedhin një degë të madhe e të fortë, bashkojnë degëzat dhe ndërtojnë një krevat të rehatshëm gati 20 metra lart nga toka. Për t’u mbrojtur nga shiu, nganjëherë bëjnë edhe «çati», diçka që shimpanzetë dhe gorillat nuk e bëjnë asnjëherë. Dhe për të gjitha këto u duhen rreth pesë minuta.

Pemët u sigurojnë orangutangëve edhe ushqimin e tyre të preferuar: frutat. Kanë kujtesë të fortë dhe e dinë mirë se kur dhe ku të gjejnë fruta të pjekura. Në menunë e tyre përfshihen edhe gjethet, lëvoret, bisqet, mjalti dhe insektet. Orangutangët ndonjëherë përdorin një shkop për të nxjerrë mjalt ose insekte nga vrimat e pemëve. Ata hanë më shumë se 400 lloje ushqimesh.

Teposhtë shtegut pamë një tjetër pamje spektakolare: orangutangë që ushqeheshin në pirgje bananesh. Këto kafshë janë rritur në rezervate dhe pastaj i kanë lënë të lirë. Ngaqë nuk i kanë zhvilluar aftësitë për të mbijetuar si orangutangët e tjerë, u kanë dhënë ushqim tjetër përveç atij që gjejnë vetë.

Jeta në familje

Pamë foshnjat e lezetshme të kapura fort pas nënave dhe mistrecët e vegjël teksa lodronin në tokë ose nëpër pemë. Femrat jetojnë deri në 45 vjet. Pas fazës së rritjes, në moshën 15 ose 16-vjeçare, lindin çdo shtatë ose tetë vjet. Gjatë gjithë jetës ato nuk lindin më shumë se tre herë. Kjo i bën një nga gjitarët më të ngadaltë në shumim.

Lidhja midis nënës dhe të sapolindurit është tepër e fortë. Nënat i mëndin dhe i stërvitin të rinjtë për tetë vjet ose më shumë. Vitin e parë foshnja qëndron thuajse ngjitur pas trupit të nënës. Pas kësaj, nuk largohet shumë prej saj derisa lind motra ose vëllai. Femrat adoleshente mund të qëndrojnë pak më gjatë për të vëzhguar të ëmën ndërsa kujdeset për të sapolindurin.

Ndërsa meshkujt akoma të rinj, nënat i përzënë sapo lindin foshnjën tjetër. Pastaj enden vetëm nëpër pyll dhe mbulojnë një zonë rreth 15 kilometra katrorë a më shumë. Zakonisht i shmangin meshkujt e tjerë dhe takohen me femrat vetëm për t’u çiftuar.

Femrat zakonisht qëndrojnë në një zonë më të vogël pylli gjatë gjithë jetës. Me raste, ushqehen në të njëjtën pemë me femrat e tjera, por edhe në këto raste shoqërohen shumë pak ose aspak. Jeta e vetmuar i bën orangutangët unikë ndër majmunët e tjerë. Por që të mësonim më shumë për «njeriun e pyllit», duhej të vizitonim edhe një vend tjetër.

Në fije të perit

Brenda parkut kombëtar ndodhet kampi «Liki», një rezervat që përdoret si qendër kërkimesh dhe mbrojtjeje, që ka marrë emrin e antropologut Luis Liki. Këtu i ke shumë afër orangutangët. Disa na afroheshin dhe pozonin ose bënin numra akrobacie. Madje një femër e rritur u përpoq t’i rrëmbente xhaketën njërit prej nesh. Ishte drithëruese t’i kishe kaq afër këto kafshë të bukura.

Megjithatë, kampi «Liki» jep një paralajmërim serioz: orangutangët po shkojnë drejt zhdukjes. Disa ambientalistë mendojnë se jetëgjatësia e tyre në natyrë nuk është shumë premtuese—dhjetë vjet ose më pak. Le të shohim tri kërcënimet kryesore.

Shpyllëzimi. Rreth 80 për qind e habitatit të përshtatshëm për orangutangun është zhdukur në 20 vitet e fundit. Në Indonezi shpyllëzohen çdo ditë mesatarisht 51 kilometra katrorë sipërfaqe, domethënë pesë fusha futbolli në minutë.

Gjuetia e paligjshme. Teksa njeriu pushton pyllin, orangutangët rrezikohen gjithnjë e më shumë nga gjuetarët. Kafka e një orangutangu kushton deri në 50 euro në tregun e zi të suvenirëve. Disa e konsiderojnë orangutangun si kërcënim për të mbjellat. Të tjerë i vrasin për t’i ngrënë.

Tregtia e kafshëve. Në tregun e zi, një orangutang i vogël e i lezetshëm shitet me çmime që shkojnë nga disa qindra deri në dhjetëra mijë euro. Sipas llogaritjeve, çdo vit shiten rreth një mijë orangutangë të vegjël.

Si qeveritë, ashtu edhe agjencitë private po përpiqen ta shpëtojnë orangutangun nga zhdukja. Janë bërë fushata sensibilizimi me anë të programeve edukative, janë hapur rezervate e parqe kombëtare dhe po kontrollohet shpyllëzimi i paligjshëm.

Bibla thotë se së shpejti Perëndia ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’ dhe do ta kthejë mbarë tokën në parajsë. (Zbulesa 11:18; Isaia 11:4-9; Mateu 6:10) Atëherë do të përmbushen fjalët e psalmistit: «Tërë drurët e pyllit le të shpërthejnë në britma gëzimi.» (Psalmi 96:12) Kafshët—si për shembull orangutangu, «njeriu i pyllit» i Indonezisë—do të shtohen pa u kërcënuar nga njeriu.

[Harta në faqen 15]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

MALAJZI

Borneo

INDONEZI

Sumatër

AUSTRALI

[Figura në faqen 16]

Në fytyrën e një mashkulli të rritur bien në sy mollëzat e gjera

[Burimi]

© imagebroker/Alamy

[Figurat në faqen 17]

Orangutangët lëvizin lehtësisht nga pema në pemë, kurse në tokë janë mjaft të ngadaltë

[Burimet]

Sipër: © moodboard/Alamy; poshtë: orangutangë në kampin «Liki» në Parkun Kombëtar të Tanxhung-Putingut, i drejtuar nga BTNTP, UPT Ditjen PHKA Dephut

[Burimi i figurës në faqen 15]

Orangutang në kampin «Liki» në Parkun Kombëtar të Tanxhung-Putingut, i drejtuar nga BTNTP, UPT Ditjen PHKA Dephut

[Burimi i figurës në faqen 18]

Orangutang në kampin «Liki» në Parkun Kombëtar të Tanxhung-Putingut, i drejtuar nga BTNTP, UPT Ditjen PHKA Dephut