Rreziku i lartësive—Si të trajtohet sëmundja akute e maleve?
Rreziku i lartësive—Si të trajtohet sëmundja akute e maleve?
«Në Peru gjendet një vargmal shumë i lartë që quhet Pariakaka . . . Kur ngjita Shkallët, siç quhet pjesa më e lartë e këtij vargmali, pothuajse në çast u ndjeva kaq keq sa mendoja të hidhesha nga mali që të shpëtoja. . . . Menjëherë pas kësaj më përzihej aq shumë sa m’u duk se [do të vdisja]. Mund të them se po të kishte vazhduar, do të kisha vdekur me siguri, por zgjati vetëm tre a katër orë derisa zbritëm goxha dhe arritëm një lartësi më të durueshme.»—Hose de Akosta, nga libri Historia natyrore dhe morale e Indive, anglisht.
ATY nga fundi i shekullit të 16-të, jezuiti spanjoll Hose de Akosta i kaloi peripecitë e përshkruara më sipër ndërsa i ngjitej Pariakakës në Andet e Perusë. Në ato kohë, mendohej se këto simptoma zakonisht vinin ose nga gazet helmuese që çlironin mineralet në male ose nga frymënxjerrja e perëndive të liga. Nga ajo që dimë sot, De Akosta kishte simptomat tipike të një sëmundjeje që në ato vende quhet soroçe—sëmundja akute e maleve.
Kjo sëmundje vjen nga pamjaftueshmëria e oksigjenit në lartësi të mëdha. Atje presioni barometrik bie dhe mushkëritë thithin më pak oksigjen. *
Simptomat e kësaj sëmundjeje shpesh shfaqen rreth katër orë pasi njeriu arrin në lartësi të madhe dhe mund të zgjatin nga një deri katër ditë. Gjatë kësaj periudhe, oksigjeni i paktë në gjak nxit prodhimin e më shumë rruazave të kuqe, që pak nga pak të ndihmojë
sistemin e qarkullimit të gjakut të sigurojë më shumë oksigjen.Por, nëse njeriu ngjitet në lartësi të mëdha shumë shpejt ose sforcohet para se të përshtatet me trysninë, në mushkëri ose përreth trurit mund të grumbullohen lëngje. Në rast se nuk merren masa, kjo gjendje mund të jetë fatale.
Si të parandalohet?
Udhëtarët dhe alpinistët kanë provuar shumë metoda për të parandaluar ose për të trajtuar sëmundjen akute të maleve. Disa prej masave që mund të merren janë si vijon:
● Mos udhëto në lartësi të mëdha nëse vuan nga sëmundje të frymëmarrjes ose nga anemia.
● Për të trajtuar ose parandaluar simptomat e saj rekomandohen shpesh ilaçe diuretike, antipezmatuese ose ilaçe të tjera. Konsultohu me mjekun.
● Ilaçi më i mirë në këtë rast është të zbresësh më poshtë. Nëse është e mundur, mbaje trupin ngrohtë gjatë zbritjes dhe pusho sapo të mbërrish.
Disa nga pamjet më mahnitëse gjenden lart në malet dhe në vargmalet e botës. (Psalmi 148:9, 13) Nëse tregon kujdes kur udhëton, nuk do të kesh probleme me shëndetin ndërsa shijon bukuritë e krijimit.
[Shënimi]
^ par. 4 Shumë njerëz mund të udhëtojnë pa problem deri në një lartësi 2.400 metra mbi nivelin e detit.
[Diçitura në faqen 20]
Simptomat e kësaj sëmundjeje shpesh shfaqen rreth katër orë pasi njeriu arrin në lartësi të madhe dhe mund të zgjatin nga një deri katër ditë
[Diçitura në faqen 20]
Ilaçi më i mirë është të zbresësh më poshtë