Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ejani e njihuni me Batakët

Ejani e njihuni me Batakët

Ejani e njihuni me Batakët

Kur eksploruesi italian i shekullit të 13-të Marko Polo vizitoi ishullin e Sumatrës, në Indonezi, ai foli për një «popull malesh» të cilët «jetonin . . . si egërsira . . . dhe hanin mish njeriu». Mendohet se populli për të cilin po fliste, ishin batakët. Megjithatë, unë dhe gruaja ime kemi një pikëpamje krejt ndryshe për ta. Ju ftojmë të mësoni më shumë rreth këtyre njerëzve që tani i njohim dhe i duam.

«HORAS!» Me këtë përshëndetje të ngrohtë na pritën miqtë tanë të rinj batakë në veri të Sumatrës, Indonezi, kur shkuam për caktimin tonë të ri misionar afër liqenit Tobë, një nga bukuritë natyrore më spektakolare të Sumatrës. Ky është liqeni vullkanik më i madh në botë dhe për batakët është zemra e vendit.—Shih  kutinë më poshtë.

Batakët janë një nga grupet indigjene më të mëdha të Indonezisë. Popullsia prej tetë milionë banorësh përbëhet nga ndoshta gjashtë grupe etnike të pavarura, por të lidhura ngushtë: tobët, simalungunët, kerot, dairët, ankolët dhe mandeilingët. Secili prej grupeve përbëhet nga klane të mëdha. Kur batakët takojnë njëri-tjetrin, zakonisht pyetja e parë që bëjnë është: «Nga cili klan je?» Kështu kuptojnë menjëherë sa të afërm janë si kushërinj.

Rregullat për martesën

Martesat tradicionale të batakëve zakonisht bashkojnë jo vetëm dy njerëz, por edhe dy klane. Lidhja e kushërinjve të parë nga nëna konsiderohet një lidhje ideale. Por martesa me një kushëri të parë nga ana e babait ose me dikë të të njëjtit klan, është tabu. Përndryshe, martesat ndjekin këtë rregull: burrat nga klani A marrin gra nga klani B, burrat nga klani B marrin gra nga klani C dhe burrat nga klani C marrin gra nga klani A. Këto aleanca që ndjekin ciklin e mësipërm forcojnë jashtë mase lidhjet familjare të batakëve dhe të sapomartuarit shtojnë lidhjet farefisnore.

Edhe nëse martohen ligjërisht dhe bëjnë fëmijë, bashkimi i tyre nuk njihet nga klanet përkatëse derisa të bëjnë një dasmë tradicionale me klanet. Në këto ceremoni plot zakone përfshihen qindra të afërm dhe mund të zgjatin disa orë.

Për shembull, në dasmat e kerove, çmimi që paguhet për nusen nga familja e dhëndrit, numërohet dhe u shpërndahet me kujdes grupeve të caktuara në çdo klan. Vetëm pasi mbaron kjo, vazhdon dasma. Pjesëtarë të klanit mbajnë fjalime të gjata për jetën martesore. Dhëndri dhe nusja dëgjojnë me respekt. Dasma mbaron me festime dhe kërcime.

Parajsë për një bujk

Në të kaluarën shumë familje batake jetonin në komunitet, në shtëpi të mëdha me çati karakteristike me dy maja që ngjan me brirët e buallit. Disa nga këto ndërtesa të zbukuruara—të bëra me dru, bambu dhe fibra të palmës së sheqerit—ndërtoheshin mbi shtylla dhe disa ishin aq të mëdha sa mbanin 12 familje. Gozhdë nuk përdoreshin fare. Shumë prej disa ndërtesave 300-vjeçare banohen akoma. Nën katin e parë të ngritur nga toka mbajnë kafshë shtëpiake, si gjedhë, pula, qen, derra dhe buaj uji.

Ekonomia e vendit bazohet kryesisht te bujqësia, peshkimi, blegtoria dhe turizmi. Në fakt, amfiteatri i madh natyror përreth liqenit Tobë është parajsë për bujqit. Brezaret e orizoreve ngjyrë smeraldi vijnë duke u ngritur përreth liqenit. Përgjatë fushave të harlisura lulëzojnë kafeja, frutat dhe erëzat që rriten në tokën e pasur dhe të errët vullkanike. Peshkatarët me kanoe prej druri gjejnë peshk me bollëk në ujërat e ftohta dhe të pastra të liqenit.

Në fund të ditës, fëmijët gjithë gëzim pllaquriten dhe notojnë në liqen, burrat takohen në kafene dhe muzika jehon në ajrin e freskët të natës. Batakët njihen për këngët e fuqishme dhe prekëse. U pëlqen shumë edhe të kërcejnë—veç burrat, veç gratë—duke lëvizur plot hijeshi krahët dhe duart.

Një e kaluar famëkeqe

Që nga koha e Marko Polos e deri në shekullin e 19-të, gojëdhënat tregojnë se batakët kanë qenë kanibalë të frikshëm që i hanin kriminelët dhe luftëtarët armiq sipas një rituali. Megjithatë, siç thotë Leonard Andaja, profesor historie, disa «hollësi tmerruese të kësaj praktike mund të jenë sajuar nga vetë batakët me qëllim që të huajt të mos hynin në tokat e tyre». Sidoqoftë, «në shekullin e 19-të qeveria koloniale holandeze e ndaloi me ligj kanibalizmin në zonat që kishin nën kontroll»,—thuhet në librin Batakët—Banorë të ishullit të Sumatrës, anglisht.

Batakët ishin animistë dhe adhuronin një sërë perëndish dhe frymërash. Gjithashtu bënin rite flijuese, seanca spiritiste dhe merreshin me falle dhe shtrigëri. Magjitë, librat e fallit dhe formulat e shërimit i shkruanin mbi lëvore pemësh që arrinin deri rreth 15 metra dhe i palosnin si fizarmonikë, duke formuar kështu njëfarë libri. Përveç këtyre, thurnin copa të shenjta të zbukuruara për të përzënë frymërat e liga dhe për të parashikuar të ardhmen.

Nga sa thuhet, misionarët e parë perëndimorë në vendin e batakëve ishin baptistët R. Bërtoni dhe N. Uardi, të cilët mbërritën në vitin 1824. Dhjetë vjet më vonë, ndërsa ushtria holandeze përpiqej të pushtonte disa pjesë të Indonezisë, dy misionarë të tjerë, amerikanët H. Lajmani dhe S. Mansëni, provuan të hynin në territorin e batakëve, por i vranë menjëherë. Edhe dy misionarë katolikë, që nuk ua vunë veshin paralajmërimeve për të qëndruar larg zonave të rrezikshme, mund të kenë pasur të njëjtin fund.

Megjithatë, misionari gjerman Ludvig Nomensen, që në vitin 1862 filloi të punonte në mes të batakëve, mbijetoi dhe pati goxha sukses. Në fakt, ai respektohet ende nga mjaft vendës. Sot shumica e batakëve thonë se janë të krishterë, kurse pjesa tjetër kryesisht myslimanë ose animistë. Gjithsesi, shumë nuk i kanë lënë akoma disa praktika të bindjeve të tyre tradicionale.

Mbërrin lajmi i mirë i së vërtetës

Aty nga viti 1936, Dëshmitarët e Jehovait mbërritën në vendin e batakëve dhe sollën lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, që Jezui paratha se do të predikohej «në gjithë tokën e banuar». (Mateu 24:14) Shumë batakë e mirëpritën këtë mesazh biblik dhe i lanë besëtytnitë e tyre. Si rezultat, në këtë vend tani ka rreth 30 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait.—Shih kutinë përbri.

Ndërkohë që me gruan u japim vendësve lajmin e mirë, shpesh takojmë turistë që mrekullohen nga peizazhi spektakolar i liqenit Tobë dhe nga klima fantastike. U themi që jemi më se dakord me ta. Por shtojmë se gjëja më e bukur këtu janë njerëzit—batakët e ngrohtë dhe miqësorë.

[Kutia në faqen 17]

 NJË LIQEN I FTOHTË ME NJË TË KALUAR TË ZJARRTË

Liqeni Tobë është 87 kilometra i gjatë dhe 27 kilometra i gjerë. Është pa dyshim liqeni më i madh vullkanik në botë. Ai ka aq ujë të ëmbël sa të mbulojë gjithë Mbretërinë e Bashkuar deri në një thellësi prej rreth 1 metër. Në mes të majave të gjelbra vullkanike që janë pjesë e maleve Barisein, ky liqen spektakolar, nga çdo kënd, është ëndrra e një fotografi.

Ai u formua nga një ose më shumë gërryerje masive vullkanike, që shkencëtarët besojnë se mund të kenë qenë ndër më të fuqishmet në historinë e tokës. Me kalimin e kohës, krateri gjigant u mbush me ujë, dhe kështu u formua ai që sot njihet si liqeni Tobë. Pastaj, nga ngritjet e kores së tokës, në shtratin e liqenit u formua ishulli i bukur i Samosirit, i cili ka një sipërfaqe prej 647 kilometrash katrorë, sa Republika e Singaporit.

[Kutia në faqen 18]

PARAJSË ME KLIMË FANTASTIKE

Liqeni Tobë është rreth 300 kilometra larg ekuatorit, por çuditërisht ka një klimë të freskët. Kjo sepse liqeni ndodhet 900 metra mbi nivelin e detit. Palmat dhe pishat harlisen përbri njëra-tjetrës në këtë parajsë me klimë të butë.

Liqeni është një vijë ndarëse për disa lloje kafshësh. Për shembull, orangutangët, gibonët kokëbardhë dhe majmunët Presbytis thomasi jetojnë në veri të liqenit, kurse tapirët, majmunët Tarsius bancanus dhe Presbytis melalophos jetojnë në jug.

[Kutia dhe figura në faqen 19]

NGA MEDIUME BËHET E KRISHTERË E VËRTETË

Nursia ishte një dukun ose një magjistare shëruese. Ajo përdorte magjinë për të shëruar të sëmurët, për të larguar frymërat e liga dhe për të komunikuar me të vdekurit. * Biznesi i ecte shumë mirë dhe, megjithëse merrej me okultizëm, ishte pjesëtare e respektuar e kishës protestante.

Kur Nursia takoi Dëshmitarët e Jehovait, u habit kur mësoi se emri i Perëndisë është Jehova. (Psalmi 83:18) Më vonë lexoi në Bibël se shumë nga ata që ishin bërë besimtarë në shekullin e parë, hoqën dorë nga magjia dhe i dogjën librat e spiritizmit, që t’i shërbenin Perëndisë në mënyrë të pranueshme. (Veprat 19:18, 19) Me gjithë kundërshtimet e forta, ajo vendosi të vepronte njësoj, duke pasur besim të plotë te fjalët e Jezuit: «E vërteta do t’ju lirojë.»—Gjoni 8:32.

Sot, Nursia dhe i biri, Besli, janë Dëshmitarë të pagëzuar dhe i shoqi, Nenkusi, ndjek rregullisht mbledhjet e krishtere. Ajo thotë: «Tani që i shërbej Jehovait bëj një jetë shumë më të mirë. Kur isha dukun, dëshiroja fort të dija të vërtetën. Tani jam më se e kënaqur që e kam njohur.»

[Shënimi]

[Figura]

Nursia me të shoqin dhe të birin

[Hartat në faqen 16]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Sumatër

Liqeni Tobë

[Burimi]

Bazuar në një fotografi të NASA-s/Visible Earth imagery

[Figura në faqet 16, 17]

Pamje e liqenit Tobë nga shpatet e malit Pusuk-Buhit në pjesën kontinentale

[Figura në faqen 18]

Ujëvara Sipisopiso, që ndodhet në veri të liqenit Tobë, arrin në 110 metra lartësi