Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është diçka abstrakte Perëndia?

A është diçka abstrakte Perëndia?

Pikëpamja e Biblës

A është diçka abstrakte Perëndia?

TË MAHNITUR nga natyra, shumë njerëz besojnë te një fuqi e mbinatyrshme, një hyjni. A të bën përshtypje mënyra komplekse si është ndërtuar universi? A mahnitesh nga mrekullitë natyrore të planetit tonë dhe nga ndërtimi kompleks i trupit njerëzor?

Nëse po, ndoshta edhe ti je bindur se ka një fuqi hyjnore dhe beson tek ai. Në disa fe, mësohet se ai gjendet në male, në pemë, në qiell dhe në pjesë të tjera të universit. Të tjerë besojnë se shpirtrat e paraardhësve, disa të mirë e disa të këqij, bashkohen në një fuqi të mistershme dhe të gjithë së bashku formojnë vetëm një Qenie Supreme: Perëndinë.

Të gjitha këto teori kanë të përbashkët bindjen se kjo fuqi e mbinatyrshme nuk ka një personalitet. Disa njerëz e kanë të vështirë të besojnë se Perëndia ka mendime, emocione, qëllime dhe dëshira. A është diçka abstrakte Perëndia? Bibla, një nga librat e shenjtë më të vjetër që qarkullojnë në mbarë botën sot, na jep një përgjigje të qartë.

Vetë natyra njerëzore dëshmon për natyrën e Perëndisë

Bibla tregon se njeriu u krijua për të pasqyruar cilësitë e Perëndisë. Zanafilla 1:27 thotë se «Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet».

Kuptohet, këto fjalë nuk tregojnë se njerëzit e parë ishin 100 për qind kopje e Perëndisë. Bibla thotë se Perëndia është një qenie frymore e padukshme, kurse njerëzit janë bërë nga elementet përbërëse të dukshme të tokës. (Zanafilla 2:7; Gjoni 4:24) Përveç këtij ndryshimi bazë midis Perëndisë dhe njerëzve, një shqyrtim i mirë i cilësive njerëzore duhet të hedhë dritë mbi natyrën e vërtetë të Perëndisë.

Njerëzit kanë aftësinë të përdorin fuqinë e tyre dhe të kryejnë veprime të menduara mirë dhe të qëllimshme. Këto veprime mund të motivohen nga cilësi të tilla, si dashamirësia, aftësia për të menduar, mençuria praktike dhe ndjenja e drejtësisë. Njerëzit provojnë një sërë emocionesh, që nga dashuria e përzemërt e deri te urrejtja e zemërimi. Kombinime të ndryshme të këtyre cilësive na bëjnë paksa të ndryshëm nga njëri-tjetri. Po, secili prej nesh ka një personalitet unik.

A ka kuptim të mendojmë se Perëndia na krijoi si persona kompleks, nëse ai vetë do të ishte një forcë abstrakte që endet kuturu në një sferë frymore? Nëse njerëzit janë bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, atëherë në shumë drejtime Perëndia duhet të ketë një natyrë të ngjashme me natyrën njerëzore. Ju ftojmë të shqyrtoni provat e mëposhtme.

Perëndia ka një emër të përveçëm. Te Isaia 42:8 Bibla thotë: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im.» Ai dëshiron që emri i tij të bëhet i njohur. Gjithashtu Bibla thotë: «Qoftë i bekuar emri i Jehovait tani e përgjithmonë! Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij do të lëvdohet emri i Jehovait.» (Psalmi 113:​2, 3) Sipas këtij shkrimi, duke përdorur shpesh emrin e Perëndisë, adhuruesit e tij e konsiderojnë si një person real.

Perëndia është unik. Bibla mëson se Perëndia është vërtet unik. (1 Korintasve 8:​5, 6) «Ti je vërtet i madh, o Zotëri Sovran Jehova. Nuk ka tjetër si ti dhe nuk ka Perëndi veç teje»,​—thotë Bibla. (2 Samuelit 7:22) Gjithashtu, shkrimet e përshkruajnë Jehovain si ‘Perëndinë e vërtetë lart në qiej dhe poshtë në tokë. Nuk ka tjetër’.​—Ligji i përtërirë 4:39.

Perëndia Jehova e urren të keqen. Vetëm një qenie me personalitet mund të ndiejë urrejtje. Bibla tregon se Krijuesi urren gjëra të tilla, si «sytë krenarë, gjuha gënjeshtare dhe duart që derdhin gjak të pafaj, zemra që sajon plane të dëmshme, këmbët që turren drejt së keqes, dëshmitari i rremë që përhap gënjeshtra dhe kushdo që mbjell grindje mes vëllezërve». (Proverbat 6:​16-19) Vër re se Perëndia urren ato sjellje të njerëzve që lëndojnë të tjerët. Nga kjo, mësojmë se Perëndisë i intereson mirëqenia jonë dhe i urren ato gjëra që na dëmtojnë.

Jehovai është Perëndi i dashur. Bibla shpjegon se Perëndia i do shumë «njerëzit e kësaj bote». (Gjoni 3:​16, Contemporary English Version) Ajo e portretizon si një Atë me personalitet të butë, i cili dëshiron më të mirën për fëmijët e tij njerëzorë. (Isaia 64:8) Njerëzit mund të korrin shumë bekime duke pranuar rolin e Perëndisë si Atin e tyre të dashur.

Mund të jesh mik me Perëndinë

Bibla tregon se Krijuesi është një person më vete, i cili ka një emër dhe një personalitet. Ai ka aftësinë të përdorë fuqinë dhe të kryejë veprime të qëllimshme dhe të menduara mirë, i nxitur nga cilësi të larta si dashamirësia mençuria dhe ndjenja e drejtësisë. Nuk është i largët ose i paarritshëm. Përkundrazi, ai thotë: «Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’»​—Isaia 41:13.

Perëndia ka një qëllim për njerëzimin. Bibla thotë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psalmi 37:29) Duke ditur se Jehovai është unik dhe se ka një identitet të tijin, është më e lehtë për ne të kemi një marrëdhënie personale me të dhe të gëzojmë bekimet që ai u ofron atyre që bëhen miqtë e tij.​—Ligji i përtërirë 6:​4, 5; 1 Pjetrit 5:​6, 7.

A DONI TË DINI?

● A ka një emër Perëndia?​—Isaia 42:8.

● A ka shumë perëndi?​—1 Korintasve 8:​5, 6.

● A mund të kenë njerëzit një marrëdhënie personale me Perëndinë e vërtetë?​—1 Pjetrit 5:​6, 7.

[Figura në faqen 29]

A do të na krijonte Perëndia si persona kompleks nëse ai vetë do të ishte një forcë abstrakte?