Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E vërteta rreth Krishtlindjeve

E vërteta rreth Krishtlindjeve

E vërteta rreth Krishtlindjeve

A DO të habiteshit nëse dikush do t’ju thoshte se Krishtlindjet nuk kanë lidhje fare me Jezu Krishtin? A do donit të merrnit përgjigjet e këtyre pyetjeve? (1) A lindi vërtet më 25 dhjetor Jezui? (2) Cilët ishin «dijetarët» dhe a ishin vërtet tre? (3) Çfarë «ylli» ishte ai që i drejtoi për te Jezui? (4) A ka lidhje Plaku i Krishtlindjeve me Jezuin dhe lindjen e tij? (5) Si e sheh Perëndia traditën e dhënies së dhuratave për Krishtlindje ose më saktë, shkëmbimin e dhuratave?

Le t’i shqyrtojmë këto pyetje nën dritën e Biblës dhe të fakteve historike.

(1) A lindi vërtet më 25 dhjetor Jezui?

Tradita: Sipas traditës, Jezui lindi më 25 dhjetor dhe lindja e tij festohet pikërisht në këtë datë. Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe Krishtlindja është «një nga festat kryesore të të krishterëve, e cila . . . njihet si dita e lindjes së Krishtit».

Origjina: «Vendosja e 25 dhjetorit nuk erdhi nga ajo që thotë Bibla,—thuhet te The Christmas Encyclopedia,—por nga festat pagane romake që mbaheshin në fund të vitit», domethënë rreth periudhës së solsticit të dimrit në Hemisferën Veriore. Në këto festa përfshiheshin Saturnalet, në nder të Saturnit, perëndisë së bujqësisë «dhe festat e ndërthurura të perëndisë-diell të romakëve, Sol, dhe të perëndisë-diell të persëve, Mitra», siç shprehet e njëjta enciklopedi. Ditëlindjet e tyre festoheshin më 25 dhjetor, kur binte solstici i dimrit sipas kalendarit julian.

Këto festa pagane filluan të bëheshin «të krishtere» në vitin 350, kur papa Juli I shpalli 25 dhjetorin si ditëlindjen e Krishtit. «Lindja e Krishtit dalëngadalë përvetësoi ose zëvendësoi gjithë ritet e tjera të solsticit,—thotë Encyclopedia of Religion.—Imazhet e diellit filluan gjithnjë e më shumë të përdoreshin për të portretizuar Krishtin e ringjallur (që u quajt edhe Sol Invictus [Dielli i pamposhtur]) dhe disku i mëparshëm diellor . . . u bë aureola e shenjtorëve të krishterë.»

Çfarë thotë Bibla? Bibla nuk e tregon datën e lindjes së Krishtit. Por mund të themi me siguri se ai nuk lindi më 25 dhjetor. Pse themi kështu? Bibla tregon se kur lindi Jezui, barinjtë «jetonin jashtë» dhe i ruanin kopetë natën në rrethinat e Betlehemit. (Luka 2:8) Stina e ftohtë e me shira zakonisht fillonte në tetor dhe i ftohti i madh, ndonjëherë me reshje dëbore, arrinte kulmin në dhjetor. Barinjtë, sidomos në rajonet malore, si ato përreth Betlehemit, natën i futnin delet brenda. *

Ja pse, të krishterët e hershëm, shumë prej të cilëve e kishin shoqëruar Jezuin në shërbim, nuk e festonin kurrë lindjen e tij në ndonjë datë. Por, në përputhje me urdhrin e Jezuit, ata kremtonin vetëm vdekjen e tij. (Luka 22:17-20; 1 Korintasve 11:23-26) Prapëseprapë, disa mund të thonë: «A ka vërtet rëndësi nëse të krishterët përvetësojnë zakonet pagane?» Për Perëndinë po. Jezu Krishti tha: «Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë.»​—Gjoni 4:23.

(2) «Dijetarët»​—Sa ishin dhe cilët ishin?

Tradita: Të udhëhequr nga një «yll» në lindje, tre «dijetarë» përshkruhen duke i paraqitur dhurata Jezuit në grazhdin e një stalle. Ndonjëherë paraqitet sikur edhe barinjtë janë aty.

Origjina: Përveç tregimit të shkurtër në Bibël, siç thotë The Christmas Encyclopedia, «çdo gjë tjetër e shkruar për Dijetarët vjen kryesisht nga legjendat».

Çfarë thotë Bibla? Bibla nuk thotë se sa «dijetarë» i shkuan për vizitë Jezuit. Mund të kenë qenë dy, mund të kenë qenë tre, katër a më shumë. Megjithëse në disa përkthime të Biblës quhen «dijetarë», fjala që përdoret në gjuhën origjinale është magoi, që do të thotë astrologë ose magjistarë—zanate që Bibla thotë se ‘janë të pështira për Jehovain’. (Ligji i përtërirë 18:10-12) Ngaqë bënë rrugë të gjatë që nga Lindja, astrologët nuk mbërritën në kohë për të vizituar Jezuin në stallë. Por, pas ndoshta muajsh udhëtimi, ata ‘hynë në shtëpinë’ ku po qëndronte Jezui. Aty panë «fëmijën me të ëmën, Marinë».—Mateu 2:11.

(3) Çfarë «ylli» ishte ai që i drejtoi astrologët për te Jezui?

Këtë mund ta kuptojmë nga ajo që bëri ky yll. Së pari, ai nuk i çoi këta burra menjëherë në Betlehem, por në Jerusalem, ku përpjekjet e tyre për të gjetur Jezuin tërhoqën vëmendjen e mbretit Herod. Pas kësaj, Herodi «i thirri fshehurazi astrologët», të cilët i treguan për ‘mbretin e judenjve’ që sapo kishte lindur. Ai u tha: «Kërkojeni me kujdes fëmijën dhe, pasi ta keni gjetur, kthehuni e më njoftoni.» Interesimi i Herodit për Jezuin nuk ishte aspak fisnik. Përkundrazi, ky sundimtar krenar dhe i pamëshirshëm ishte i vendosur ta vriste Jezuin.—Mateu 2:1-8, 16.

Është interesante që «ylli» pastaj i drejtoi astrologët në jug të Betlehemit derisa «u ndal» mbi shtëpinë ku ndodhej Jezui.—Mateu 2:9, 10.

Kuptohet që ky nuk ishte një yll i zakonshëm. Po pse Perëndia që kishte përdorur engjëjt për të njoftuar barinjtë e thjeshtë për lindjen e Jezuit, tani do të përdorte një yll për të drejtuar astrologët paganë—në fillim për tek armiku i Jezuit e pastaj te vetë fëmija? I vetmi përfundim i arsyeshëm është se ylli ishte një mjet i lig në dorë të Satanait, që është i aftë për këto marifete. (2 Selanikasve 2:9, 10) Është paradoksale, por zakonisht në majë të pemëve të Krishtlindjeve vënë një zbukurim të quajtur ylli i Betlehemit.

(4) A ka lidhje Plaku i Krishtlindjeve me Jezuin dhe lindjen e tij?

Tradita: Në mjaft vende, Plaku i Krishtlindjeve shihet si ai që u sjell dhurata fëmijëve. Shpesh, fëmijët me anë të letrave i kërkojnë atij dhurata, që sipas traditës, i bën me ndihmën e elfëve në qendrën e tij në Polin e Veriut.

Origjina: Sipas pikëpamjes së përhapur, miti i Plakut të Krishtlindjeve ose i Santa Klausit e ka origjinën nga shën Nikolla, kryepeshkopi i Mirës në Azinë e Vogël, Turqia e sotme. «Gati çdo gjë e shkruar për shën Nikollën bazohet në legjenda»,—thotë The Christmas Encyclopedia. Emri «Santa Klaus» mund ta ketë origjinën nga fjala Sinterklaas, një formë e ndryshuar e versionit në holandisht të emrit «shën Nikolla». Nga ana historike dhe biblike, Santa Klausi nuk ka asgjë të përbashkët me Jezu Krishtin.

Çfarë thotë Bibla? «Tani që keni flakur tej gënjeshtrën, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij.» ‘Të afërmit’ tanë më të ngushtë janë pjesëtarët e familjes. (Efesianëve 4:25) Bibla thotë edhe se duhet ‘ta duam të vërtetën’, ‘të themi të vërtetën që kemi në zemër’. (Zakaria 8:19; Psalmi 15:2) Në fakt, t’u themi fëmijëve që Plaku i Krishtlindjeve (ose fëmija Jezu) është ai që sjell dhuratat për Krishtlindje, mund të duket si një lojë naive, por a është e drejtë ose e mençur të mashtrosh fëmijët, edhe pa pasur qëllim të keq? A nuk ju duket paradoksale që një rast që mendohet se bëhet për nder të Jezuit, kthehet në një rast për të mashtruar fëmijët?

(5) Si e sheh Perëndia traditën e dhënies së dhuratave dhe dëfrimet?

Tradita: Dhënia me rastin e Krishtlindjeve është diçka e jashtëzakonshme pasi bëhen shkëmbime dhuratash dhe periudha e Krishtlindjeve karakterizohet nga dëfrimet dhe të pirët.

Origjina: Festimet e Saturnaleve të lashta romake fillonin më 17 dhe mbaronin më 24 dhjetor, dita kur shkëmbeheshin dhuratat. Shtëpitë dhe rrugët gumëzhinin nga banketet, të pirët me tepri dhe sjelljet e shfrenuara. Saturnalet pasoheshin nga kremtimi i ditës së parë të janarit. Edhe kjo karakterizohej nga festimet, që zakonisht zgjasnin rreth tri ditë. Saturnalet dhe dita e parë e janarit ka të ngjarë që përbënin një rast të vetëm festiv.

Çfarë thotë Bibla? Adhurimi i vërtetë karakterizohet nga gëzimi dhe bujaria. Bibla thotë: «Ngazëlloni, o të drejtë! Lëshoni britma gëzimi.» (Psalmi 32:11) Ky lloj gëzimi shpesh karakterizohet nga fryma bujare. (Proverbat 11:25) Jezu Krishti tha: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Ai gjithashtu tha: «Bëjeni zakon të jepni» ose jepni rregullisht.—Luka 6:38.

Kjo lloj dhënieje nuk ka asgjë të përbashkët me dhënien rituale ose me dhënien e detyruar ndoshta nga traditat e shoqërisë. Duke përshkruar frymën e duhur të bujarisë, Bibla thotë: «Secili nga ju të dhurojë aq sa ka ndër mend të japë. Për këtë nuk duhet t’i vijë keq, e kjo nuk duhet të bëhet me pahir. Perëndia do ata që japin me gëzim.» (2 Korintasve 9:7, ECM) Ata që u vënë veshin këtyre parimeve të shkëlqyera biblike, japin të shtyrë nga zemra, dhe këtë mund ta bëjnë në çdo periudhë të vitit. Pa dyshim, kjo lloj dhënieje ka miratimin e Perëndisë dhe nuk është kurrë një barrë.

Veçse një farsë

Kur shqyrtohen nën dritën e Biblës, pothuajse çdo aspekt i Krishtlindjeve është ose me origjinë pagane ose një shtrembërim i tregimeve biblike. Pra, traditat e Krishtlindjeve vetëm emrin kanë të krishterë. Po si ndodhi kjo? Shekuj pas vdekjes së Krishtit, dolën shumë mësues të rremë, pikërisht siç ishte parathënë në Bibël. (2 Timoteut 4:3, 4) Këtyre njerëzve pa parime u interesonte më shumë ta bënin krishterimin sa më të pranueshëm për masat pagane, sesa t’u mësonin të tjerëve të vërtetën. Kështu, dalëngadalë adoptuan festat fetare pagane të përhapura dhe i etiketuan «të krishtere».

Këta «mësues të rremë», siç paralajmëron Bibla, «do t’ju shfrytëzojnë me fjalë të shtira. Megjithatë, gjykimi i shpallur për ta në kohën e lashtë nuk po lëviz ngadalë dhe shkatërrimi i tyre nuk po dremit.» (2 Pjetrit 2:1-3) Dëshmitarët e Jehovait i marrin seriozisht këto fjalë, ashtu si gjithë Biblën, që e konsiderojnë si Fjalën e shkruar të Perëndisë. (2 Timoteut 3:16) Prandaj, ata nuk i pranojnë traditat ose festimet e rreme fetare. Por a i pengon kjo të jenë të lumtur? Aspak. Siç do ta shohim, ata e dinë nga përvoja se e vërteta biblike të liron.

[Shënimi]

^ par. 8 Me sa duket, Jezui lindi gjatë muajit ethanim (shtator-tetor), sipas kalendarit të lashtë judaik.​—Shih veprën e referimit Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 2, faqja 56, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

PO MBOLLE EGJRA, DO TË KORRËSH EGJRA

Një herë e një kohë, autoritetet e kishës luftonin «me mish e me shpirt kundër mbetjeve të paganizmit», citon libri Traditat dhe zakonet e Krishtlindjeve—Historia dhe domethënia e tyre. Por me kalimin e kohës, krerët e kishës preferonin më mirë të mbushnin kishat sesa t’u mësonin të tjerëve të vërtetën. Kështu, ata filluan «të mbyllnin një sy» para këtyre praktikave pagane. Më vonë, i përqafuan edhe vetë këto praktika.

‘Ç’të mbjellësh, do të korrësh’,—thotë Bibla. (Galatasve 6:7) Pasi kanë mbjellë farat e paganizmit në tokat e tyre, kishat nuk duhet të çuditen që «egjrat» shumohen. Ja pse një festë gjoja për nder të lindjes së Krishtit kthehet në sebep për dehje dhe ahengje të shfrenuara, qendrat tregtare frekuentohen më shumë se kishat, familjet hyjnë thellë në borxhe për të blerë dhurata dhe fëmijët ngatërrojnë përrallat me realitetin, Plakun e Krishtlindjeve me Jezu Krishtin. Po, me të drejtë Perëndia tha: «Mjaft e prekët gjënë e papastër.»​—2 Korintasve 6:17.

[Figurat në faqen 7]

Periudha e Krishtlindjeve, ashtu si festa e lashtë e Saturnaleve, karakterizohet nga dëfrimet dhe të pirët

[Burimi]

© Mary Evans Picture Library