Pse po përhapen kaq shumë Krishtlindjet?
Pse po përhapen kaq shumë Krishtlindjet?
A I PRET me padurim Krishtlindjet? Apo afrimi i tyre të shkakton ankth? Miliona njerëz vrasin mendjen: «Cilëve do t’u blej dhurata? Çfarë t’u blej? A ma mban xhepi? Nëse marr borxh, sa kohë do të më duhet për ta shlyer?»
Pavarësisht nga këto andralla, Krishtlindjet mbeten mjaft të përhapura. Në fakt, edhe vendet jo të krishtere kanë filluar t’i festojnë. Në Japoni, shumica e familjeve i bëjnë Krishtlindjet, jo për domethënien e tyre fetare, por vetëm si rast festiv. Gazeta The Wall Street Journal thotë se në Kinë «fytyra e qeshur me faqe të kuqe e Plakut të Krishtlindjeve (Santa Klausi) shihet kudo nëpër vitrinat e dyqaneve të qyteteve të mëdha». Ajo shton: «Ethet e Krishtlindjeve po mbërthejnë klasën e mesme gjithnjë e në rritje të qyteteve, e cila i përdor si sebep për të blerë, për të ngrënë e për të festuar.»
Krishtlindjet i kanë dhënë hov ekonomisë së shumë vendeve. Kjo vlen sidomos për Kinën, që sipas kësaj gazete, tani është «një prej eksportueseve më të mëdha të pemëve artificiale, shiritave të ndritshëm, dritave festive dhe xhingla-minglave të tjera».
Shpesh, edhe vendet myslimane bëjnë festa të ngjashme me Krishtlindjet, megjithëse jo medoemos më 25 dhjetor. Në Ankara të Turqisë dhe Bejrut të Libanit, nuk është e pazakontë të shohësh vitrina plot pemë të zbukuruara dhe pako dhuratash. Në Indonezi, hotelet dhe qendrat tregtare sponsorizojnë raste festive dhe fëmijët mund të hanë ose të bëjnë fotografi me Plakun e Krishtlindjeve.
Në vendet perëndimore, Krishtlindjet tani janë kthyer kryesisht në raste jofetare dhe tregtare, me shumë reklama që, sipas Royal Bank Letter të Kanadasë, «kanë për qëllim të joshin fëmijët». Sigurisht, disa njerëz shkojnë ende në kishë për të ndjekur shërbesat fetare të Krishtlindjeve. Por qendrat tregtare, që oshtijnë nga këngët e Krishtlindjeve, janë bërë tempujt e rinj. Pse ky ndryshim? A mund të ketë lidhje arsyeja me origjinën e Krishtlindjeve? Cila është origjina e tyre?
Para se t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve, do të ishte mirë të shqyrtonim tregimet biblike ku mendohet se bazohen skenat e lindjes së Krishtit.
[Kutia dhe figura në faqen 4]
ÇFARË THONË SHKRIMTARËT E UNGJIJVE?
Apostulli Mate: «Pas lindjes së Jezuit në Betlehem të Judesë, në ditët e mbretit Herod, disa astrologë nga vende lindore shkuan në Jerusalem, dhe pyetën: ‘Ku është mbreti i judenjve që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij kur ishim në lindje dhe kemi ardhur për t’i bërë nderime.’ Kur e dëgjoi këtë, mbreti Herod u turbullua.» Kështu që Herodi pyeti «krerët e priftërinjve . . . se ku do të lindte Krishti». Kur mësoi se do të lindte «në Betlehem», Herodi u tha astrologëve: «Shkoni, kërkojeni me kujdes fëmijën dhe, pasi ta keni gjetur, kthehuni e më njoftoni. . . .
Ata u nisën. Ylli që kishin parë kur ishin në lindje, shkonte përpara tyre, derisa u ndal mbi vendin ku gjendej fëmija. . . . Kur hynë në shtëpi, panë fëmijën me të ëmën, Marinë.» Pasi i paraqitën Jezuit dhurata, «në ëndërr [morën] një paralajmërim hyjnor që të mos ktheheshin te Herodi, [kështu që] ata u larguan për në vendin e tyre nga një udhë tjetër.
Pasi ishin larguar, engjëlli i Jehovait iu shfaq Jozefit në ëndërr dhe i tha: ‘Ngrihu, merre fëmijën dhe nënën e tij, dhe ik për në Egjipt. . . . ’ Kështu, ai u ngrit dhe natën mori me vete fëmijën dhe të ëmën e u largua. . . . Kur pa se astrologët ia kishin hedhur, Herodi u tërbua fare. Pastaj dërgoi njerëz që të vritnin gjithë djemtë në Betlehem dhe në tërë krahinën e tij, nga dy vjeç e poshtë.»—Mateu 2:1-16.
Dishepulli Lukë: «Jozefi u ngjit nga qyteti galileas i Nazaretit, në Jude, në qytetin e Davidit, i cili quhet Betlehem . . . që të regjistrohej bashkë me Marinë. . . . Ndërsa ishin atje, . . . [ajo] lindi një djalë, të parëlindurin, e mbështolli me pelena dhe e vuri në një grazhd, sepse në bujtinë nuk kishte vend për ta.
Në të njëjtin vend ishin edhe disa barinj që jetonin jashtë dhe natën ruanin me radhë kopetë e tyre. Befas, engjëlli i Jehovait zuri vend pranë tyre . . . e ata u frikësuan shumë. Por engjëlli u tha: ‘Mos kini frikë, se unë po ju shpall lajmin e mirë për një gëzim të madh që do të ketë tërë populli, sepse sot, në qytetin e Davidit, ju lindi një Shpëtimtar, që është Krisht, Zotëria.’» Sakaq barinjtë «shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë e Jozefin, si edhe foshnjën të shtrirë në grazhd».—Luka 2:4-16.