Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Italia hapi panairin e parë të divorcit. Vizitorët u këshilluan me agjenci martesore që të gjenin një partner tjetër, me agjenci udhëtimi për të organizuar pushime për beqarët dhe me agjenci divorci për të gjetur avokatë, financierë, psikologë e ndërmjetës familjarë.​—CORRIERE DELLA SERA, ITALI.

«Hendeku i mosbesimit», i krijuar ngaqë Kisha Katolike «nuk veproi siç duhet në rastin e krizës së abuzimeve seksuale të klerikëve», i ka sjellë «Kishës si institucion krizën më të madhe prej shekujsh, e mbase në krejt historinë e saj».​—NATIONAL CATHOLIC REPORTER, SHBA.

Shkencëtarët deshifruan ADN-në e flokëve të ngrirë të një grënlandezi që vdiq rreth 4.000 vjet më parë dhe zbuluan se, «me sa duket, e kishte origjinën nga Siberia».​—AGJENCIA E LAJMEVE ROJTERS, SHBA.

Bie ndjeshëm besimi te Kisha

Sipas një artikulli në The Irish Times, «shumica e njerëzve nuk i zënë më besë Kishës [Katolike]». Artikulli e vendos Kishën Katolike në një kategori me institucione të tjera—si qeveria dhe bankat—të cilave shumica e irlandezëve nuk u besojnë më. Në një vend legjendar për besnikërinë ndaj kishës, më shumë se gjysma e të intervistuarve në një anketë të kohëve të fundit thanë se o nuk i zinin besë «fare» kishës (32 për qind), o nuk i zinin besë «edhe aq» (21 për qind). Faji për ‘rënien e ndjeshme’ të besimit të popullatës te Kisha u vihet skandaleve që kanë tronditur së fundi Kishën.

Të diplomuar të papunë

A është arsimi i lartë garanci se do të gjesh punë? Sipas gazetës Manila Bulletin, për shumë të diplomuar përgjigjja është jo. Ajo citon Herbert Bautistën, kryetar bashkie i Keson-Sitit, i cili tha: «Çdo vit nga kolegjet e universitetet tona dalin miliona të diplomuar që vetëm sa shtojnë radhët e të papunëve, pasi arsimimi i tyre nuk përputhet me punët që janë në dispozicion.» Shumë përfundojnë si shitës ose punojnë në restorante fast food. Qeveria po i nxit ata që mbarojnë gjimnazin, të bëjnë kurse të shkurtra, që të fitojnë aftësi praktike ose teknike në fusha ku mund të gjejnë punë më lehtë.

Ura gërryhet nga pështyma

Në Kalkutë, Indi, ura Hourah me gjatësi 457 m është në rrezik nga pështyma e këmbësorëve. Pse? Gutka—një përzierje e përhapur me gjethe të arrës së betelit, me arrë të arekës dhe me gëlqere të shuar—ka veti të forta gërryese, e shumë qytetarë e përtypin dhe e pështyjnë. Sipas gazetës së Kalkutës The Telegraph, «që nga viti 2007, nga pështyma e gjithë atyre që kalojnë, janë ngrënë këllëfët prej çeliku që mbrojnë shtyllat [e urës] dhe kanë shkuar nga gjashtë në tre mm». Çdo ditë, rreth 500.000 këmbësorë dhe 100.000 automjete e kalojnë lumin te kjo urë.