Gjeta dashuri dhe paqe të vërtetë
Gjeta dashuri dhe paqe të vërtetë
Treguar nga Ezhidio Nahakbria
Teksa rritesha, ndihesha i braktisur dhe sikur s’më donte njeri. Kurse sot ndiej që më duan dhe kam paqe të vërtetë brenda meje. Si ndodhi ky ndryshim? Po jua shpjegoj.
ERDHA në jetë më 1976 në një kasolle me dysheme balte në malet e Timorit Lindor, që atëherë ishte pjesë e Indonezisë. Isha i teti nga dhjetë fëmijët që u lindën prindërve tanë të vobektë. Ngaqë nuk na ushqenin dot të gjithëve, prindërit mbajtën vëllanë që është binjaku im identik dhe i kërkuan një kushëriri të më rriste.
Në dhjetor 1975, pak para se të lindja, Timorin Lindor e pushtoi Indonezia, dhe kjo ndezi një luftë civile që zgjati më se dy dekada. Kështu, kujtimet e para të vegjëlisë sime janë dhuna dhe vuajtjet. Më duket sikur i kam para syve ushtarët që sulmuan fshatin tonë dhe na detyruan të gjithëve t’ia mbathnim për të shpëtuar kokën. Unë dhe kushëriri çamë drejt një shpati malor të veçuar ku ishin fshehur mijëra timorezë.
Megjithatë, ushtarët e zbuluan vendin ku ishim fshehur dhe pas pak mbi ne u derdhën breshëri bombash të armikut. Kam kujtime të llahtarshme nga terrori, vdekjet dhe shkatërrimi që pasuan. Kur u kthyem në fshat, jetoja ditë e natë në panik. Shumë fqinj u zhdukën ose u vranë, dhe kisha frikë se do të më vinte radha edhe mua.
Kur isha 10 vjeç, kushëriri u sëmur dhe vdiq, prandaj prindërit më dërguan të jetoja me gjyshen, një vejushë e vrerosur nga jeta. Ajo më shihte si barrë dhe më vinte të punoja si skllav. Një ditë, kur isha aq i sëmurë sa s’punoja dot, më rrahu dhe më la të vdisja. Shyqyr që një nga dajat më mori të jetoja me familjen e tij!
Në moshën 12-vjeçare, më në fund hyra në shkollë. Pak më vonë, gruaja e dajës zuri shtratin, kurse daja ra në depresion të rëndë. Ngaqë s’doja t’ua rëndoja më tepër barrën, ika nga shtëpia dhe u bashkova me një grup ushtarësh indonezianë që e kishin bazën në xhungël. I ndihmoja duke u larë rrobat, duke gatuar dhe duke pastruar kampin. Më trajtonin mirë dhe ndihesha i dobishëm. Por, pas disa muajsh, të afërmit më gjetën dhe u bënë presion ushtarëve të më kthenin në fshat.
Aktivist politik
Si mbarova shkollën e mesme, u transferova në kryeqytetin e Timorit Lindor, Dili, dhe
u futa në universitet. Atje takova plot të rinj me një të shkuar të ngjashme me timen. Arritëm në përfundimin se e vetmja rrugë për të fituar pavarësinë kombëtare e për të sjellë ndryshime shoqërore ishte veprimtaria politike. Grupi ynë studentor organizoi mjaft demonstrata politike, një pjesë e mirë e të cilave përfunduan në trazira. Shumë nga shokët e mi u plagosën, e disa madje u vranë.Më 2002, kur Timori Lindor fitoi pavarësinë, vendi ishte bërë gërmadhë, dhjetëra mijë njerëz kishin vdekur dhe qindra mijë ishin detyruar të shpërnguleshin. Shpresoja që kushtet të përmirësoheshin. Mirëpo, papunësia e madhe, fukarallëku dhe trazirat e pareshtura politike vazhduan.
Një drejtim i ri
Në atë periudhë jetoja me disa të afërm, mes të cilëve edhe një farefis i largët më i ri se unë që quhej Andrea. Ai studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Si katolik i devotshëm, s’më pëlqente fare që i afërmi im ishte përzier me një fe tjetër. Sidoqoftë, isha kureshtar për Biblën dhe lexoja nganjëherë Biblën që mbante Andrea në dhomën e gjumit. Nga ato që lexova, m’u ngjall më shumë interesi.
Më 2004, kur Andrea më dha një ftesë për në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit, vendosa të shkoja. S’e lexova mirë ftesën, kështu që vajta në vendin e mbledhjes dy orë para. Kur mbërritën Dëshmitarët, vendës dhe të huaj, më takuan me ngrohtësi dhe u ndjeva i mikpritur. Kjo më la mbresa. Gjatë fjalimit të Përkujtimit shënova në një bllok çdo shkrim që u përmend dhe pastaj i kontrollova në Biblën time katolike për të parë nëse ato që tha oratori ishin të vërteta. Ishin që ç’ke me të!
Javën tjetër, shkova të ndiqja meshën në kishën time. Ngaqë unë dhe disa të tjerë arritëm me vonesë, prifti rrëmbeu një dru dhe na dëboi tërë inat nga kisha. Ndërkohë që ne rrinim jashtë, prifti e mbylli shërbesën duke iu drejtuar kongregacionit: «Paqja e Jezuit qoftë me ju!» Një grua e guximshme thirri: «Po si na flitke për paqe kur sapo i dëbove ata njerëz nga kisha?!» Prifti nuk ia vari fare. Ika nga kisha dhe s’u ktheva kurrë.
S’kaloi shumë dhe nisa të studioja Biblën e të ndiqja mbledhjet e Dëshmitarëve bashkë me Andrean. Të afërmit tanë u alarmuan dhe zunë të na kundërviheshin. Gjyshja e Andreas na paralajmëroi: «Do t’jua bëj gropën nëse vazhdoni të studioni me këtë fenë e re.» Por kërcënimet e saj nuk na stepën. Ishim të vendosur të forconim besimin dhe marrëdhënien me Perëndinë.
Bëj ndryshime
Tek studioja Biblën, nisa të ndieja se kurrë s’kisha provuar me të vërtetë dashuri. Isha tip i vrazhdë, vihesha gjithnjë në mbrojtje dhe mezi u besoja njerëzve. Prapëseprapë, Dëshmitarët interesoheshin sinqerisht për mua. Kur u sëmura rëndë dhe të afërmit as që donin t’ia dinin, Dëshmitarët më vinin për vizitë e më ndihmonin. Dashuria e tyre nuk ishte «veç fjalë të bukura», por «dashuri e vërtetë, që tregohet me vepra».—1 Gjonit 3:18, Today’s English Version.
Me gjithë hijen time të rëndë dhe tipin e rreptë, Dëshmitarët treguan «ndjenja të përbashkëta» dhe «përzemërsi vëllazërore» ndaj meje. (1 Pjetrit 3:8) Për të parën herë në jetë, fillova të ndieja se më donin. Personaliteti m’u zbut dhe brenda nisi të më rritej dashuria për Perëndinë e për të tjerët. Prandaj, në dhjetor 2004, e simbolizova kushtimin tim ndaj Jehovait duke u pagëzuar në ujë. Pak më vonë u pagëzua edhe Andrea.
Bekime mes halleve
Pas pagëzimit, digjesha nga dëshira të ndihmoja njerëz të tjerë që s’e kishin njohur kurrë dashurinë dhe drejtësinë e vërtetë. Ja pse nisa predikimin në kohë të plotë, ose shërbimin si pionier, siç e quajnë Dëshmitarët e Jehovait. T’u jepja të tjerëve mesazhin inkurajues të Biblës ishte shumë më përtëritëse se të merrja pjesë në demonstrata e trazira politike. Më në fund, po i ndihmoja vërtet njerëzit.
Më 2006, në Timorin Lindor shpërthyen sërish konfliktet politike dhe etnike. Fraksionet
luftonin me njëra-tjetrën për inate të vjetra. Qyteti i Dilit u rrethua dhe shumë banorë nga lindja e vendit ia mbathën që të shpëtonin jetën. Unë ika tok me Dëshmitarë të tjerë në Baukau, një qytet i madh afro 120 km në lindje të Dilit. Atje peripecia jonë u shndërrua në bekim, pasi u formua një kongregacion i ri—i pari përveç atij të Dilit.Tre vjet më vonë, më 2009, më ftuan të merrja pjesë në një shkollë për predikuesit në kohë të plotë në Xhakartë, Indonezi. Dëshmitarët në Xhakartë më hapën shtëpitë dhe zemrat e tyre. Dashuria e tyre e çiltër më la mbresa të pashlyeshme. U ndjeva pjesë e një ‘vëllazërie’ mbarëbotërore, e një familjeje ndërkombëtare që interesohej vërtet për mua.—1 Pjetrit 2:17.
Më në fund, paqe!
Pas shkollës, u ktheva në Baukau, ku jetoj edhe sot. Këtu kënaqem duke i ndihmuar njerëzit të njohin Perëndinë, ashtu siç më ndihmuan edhe mua dikur. Për shembull, në një fshat të izoluar në rrethinat e Baukaut, unë e disa të tjerë u mësojmë Biblën rreth 20 vetave, mes të cilëve shumë të moshuar që nuk dinë shkrim e këndim. I gjithë grupi ndjek mbledhjet që mbahen çdo javë, dhe 3 prej tyre i janë bashkuar familjes sonë të besimit si pjesëtarë të pagëzuar të kongregacionit.
Para disa vitesh, takova Felizardën, një vajzë zemërmirë që kishte pranuar të vërtetën e Biblës dhe kishte përparuar shpejt drejt pagëzimit. U martuam në vitin 2011. Jam i lumtur që Andrea, i afërmi im, shërben në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Timorin Lindor. Shumica e të afërmve, ndër të cilët edhe gjyshja e Andreas, që dikur donte të na bënte varrin, tani e respektojnë besimin tim.
Në të kaluarën, vloja nga zemërimi, ndihesha sikur s’më donte askush dhe sikur nuk meritoja të më donin. Por, falë Jehovait, më në fund kam gjetur dashuri e paqe të vërtetë!
[Figura në faqen 19]
Ezhidio kur ishte aktivist politik
[Figura në faqen 21]
Ezhidio dhe Felizarda me pjesëtarë të Kongregacionit të Baukaut, Timori Lindor