Një vështrim rreth botës
Shtetet e Bashkuara
Gjatë javës që filloi më 29 tetor 2012, në qytetin e Nju-Jorkut pati një rënie drastike të numrit të vrasjeve, të sulmeve kriminale dhe të vjedhjeve në krahasim me të njëjtën javë më 2011-n. Pse? Sepse uragani Sandy, stuhia e fuqishme që bëri kërdinë në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara, shkaktoi shkëputje masive të energjisë elektrike. «Pas një katastrofe natyrore ose një tragjedie në shkallë të madhe, [si sulmi terrorist më 11 shtator 2001], vëmë re rënie të krimit»,—tha Pol Brauni, zëdhënësi i Rajonit të Policisë së Nju-Jorkut. Por ka pasur një rritje të vjedhjeve të shtëpive ngaqë shumë përfitojnë nga situata, dhe kjo nuk e habit Braunin. «Ka shumë zona pa ndriçim»,—arsyetoi ai.
Antarktidë
Shkencëtarët janë të shqetësuar se ekologjia e Antarktidës po kërcënohet nga pushtimi i bimëve të huaja. Është llogaritur se dhjetëra mijë vizitorët që hyjnë çdo vit në kontinent, pa dashje sjellin me vete rreth 9,5 fara secili. Shpesh këto ngjiten pas çizmeve ose çantave. Tashmë në Gadishullin Perëndimor të Antarktidës janë gjetur popullata të bimëve të huaja.
Holandë
Një 83-vjeçare është e para me nofull artificiale prej titani, të prodhuar nga një printer 3-D me lazer. Pacientja, së cilës nofulla i ishte prishur nga një infeksion në kockë, tani mund të hajë, të marrë frymë dhe të flasë si zakonisht. Printeri me lazer bashkoi grimcat e titanit, shtresë pas shtrese, që të krijonte sërish një nofull si e saja, e cila iu vendos në mënyrë kirurgjikale.
Gjermani
Brenda një viti që në Gjermani u ndalua duhani në vendet e punës, nga studimet e bëra në një grup, numri i të shtruarve në spital për angina pectoris (dhembje kraharori) ra 13,3 për qind. Ndërsa numri i atyre me infarkt në zemër ra në 8,6 për qind.