Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 INTERVISTË | ELDAR NEBOLSINI

Një pianist i muzikës klasike flet për besimin e tij

Një pianist i muzikës klasike flet për besimin e tij

Eldar Nebolsini nga Uzbekistani është një pianist me famë botërore. Ka luajtur si solist me orkestra në Londër, Moskë, Shën-Pjetërburg, Nju-Jork, Paris, Romë, Sidnei, Tokio dhe Vienë. U rrit si ateist në Bashkimin Sovjetik. Por më vonë arriti në përfundimin se njerëzit janë vepër e një Krijuesi të dashur. Revista Zgjohuni! e pyeti për muzikën dhe besimin e tij.

Si u bëre muzikant?

Prindërit e mi janë të dy pianistë. Filluan të ma mësonin pianon që kur isha pesë vjeç. Më vonë studiova në shkollën e muzikës për fëmijët e talentuar në Tashkent.

Cilat janë sfidat kur luan me një orkestër?

Nuk ka dy orkestra njësoj. Ato janë si vegla muzikore gjigante që «luhen» nga dirigjentët. Ndoshta sfida kryesore për solistin është bashkëveprimi i ekuilibruar me dirigjentin. Është si një bisedë midis miqsh, asnjëri nuk merr drejtimin gjithë kohën, por të dy i lënë radhë njëri-tjetrit. Zakonisht bëjmë vetëm një ose dy herë prova për të vendosur këtë raport.

Sa orë praktikohesh?

Të paktën tri orë në ditë, dhe këtu nuk përfshihet vetëm praktikimi i pjesëve të vështira. Studioj edhe strukturën e pjesës që po përgatis, por pa e luajtur në piano. Përveç këtyre, dëgjoj edhe vepra të tjera të të njëjtit kompozitor, pasi kështu kuptoj më tepër për pjesën që po përgatis.

Sipas teje, çfarë e bën të shkëlqyer një pianist?

Aftësia për ta bërë pianon «të këndojë». Më lejoni të shpjegohem. Pianoja futet te instrumentet e perkusionit. Kur i bie një note, volumi i tingullit vetëm ulet, ndryshe nga instrumentet frymore ose nga zëri i njeriut, që mund të mbajnë një notë e madje mund ta rritin volumin e saj. Sfida për pianistët është të kapërcejnë prirjen e notës për t’u zbehur. Këtë e arrijnë me lëvizjet mjeshtërore  të gishtave dhe të kyçeve dhe me bashkëveprimin e ndërlikuar të pedales së djathtë, që zgjat tingullin e notës dhe i ndryshon timbrin. Kur pianistët i zotërojnë mirë këto teknika të vështira, e bëjnë pianon të tingëllojë si flaut, trombë e madje si orkestër. Mund ta bëjnë edhe t’i ngjajë instrumentit më të bukur në botë: zërit njerëzor.

Duket qartë që e ke pasion muzikën.

Për mua, muzika është gjuha që ngjall dhe i shpreh më drejtpërdrejt ndjenjat që janë të vështira, në mos të pamundura, për t’u shprehur me fjalë.

Çfarë të zgjoi interesin për besimin te Perëndia?

Në shtëpinë tonë gjeje gjithmonë shumë libra, që babai i sillte nga Moska. Një libër që më tërhoqi në mënyrë të veçantë kishte tregime biblike për zanafillën e historisë njerëzore dhe për kombin e Izraelit. Më ra në dorë edhe libri Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. * Qartësia me të cilën paraqiste mësimet biblike, më mahniti. Kur u transferova në Spanjë në vitin 1991 për të studiuar muzikë, e mora me vete këtë libër dhe e lexova disa herë. Aty zbulova një besim që bazohej jo vetëm në emocione, por edhe në logjikë të shëndoshë e në prova bindëse.

Një mësim që më tërhiqte shumë ishte premtimi i Biblës se njerëzit mund të jetojnë përgjithmonë mbi tokë. Ishte kaq logjik! Duhet të shtoj se nuk i kisha takuar akoma Dëshmitarët e Jehovait. Por vendosa që, kur t’i takoja, do t’u kërkoja të studioja Biblën me ta.

Si u takove me Dëshmitarët?

Pak ditë pasi kisha marrë atë vendim, pashë dy zonja me Bibla në dorë. Mendova: «Duken si ata për të cilët kam lexuar në librin tim. Po predikojnë tamam si të krishterët në kohët biblike.» Pa kaluar shumë, fillova të studioja Biblën me një Dëshmitar. Sot, gjëja që më kënaq më tepër është të ndihmoj të tjerët të mësojnë për Krijuesin tonë.

Çfarë të bindi ty, një ish-ateist, të besoje se ka një Krijues?

Vetë muzika. Pothuajse të gjithë e vlerësojnë muzikën, gjë që asnjë kafshë nuk e bën dot. Me muzikë mund të shprehësh gëzimin, vetëbesimin, butësinë dhe gati çdo ndjenjë tjetër. Natyrshëm na vjen të lëvizim sipas ritmit të muzikës. Por a varet jeta jonë nga muzika? A ndikon në «mbijetesën e më të aftit», siç mësojnë evolucionistët? Nuk besoj. Sipas pikëpamjes sime, është e paarsyeshme të arrish në përfundimin se truri i njeriut, me aftësinë për të krijuar e vlerësuar muzikë si ajo e Moxartit dhe e Bethovenit, ka ardhur me evolucion. Një shpjegim tejet i arsyeshëm është se truri ynë është vepër e një Krijuesi të mençur dhe të dashur.

Bibla është si një simfoni me strukturë elegante, një orkestrim mjeshtëror dhe një mesazh prekës për gjithë njerëzimin

Çfarë të bëri të besosh se Bibla vjen nga Perëndia?

Bibla është një përmbledhje e 66 librave të vegjël të shkruar nga rreth 40 burra gjatë një harku kohor prej rreth 1.600 vjetësh. Pyeta veten: «Kush mund ta ketë orkestruar këtë kryevepër të harmonishme?» E vetmja përgjigje e arsyeshme është Perëndia. Në mendjen time, Bibla është si një simfoni me strukturë elegante, një orkestrim mjeshtëror dhe një mesazh prekës për gjithë njerëzimin.

^ par. 15 Tani Dëshmitarët e Jehovait përdorin librin Çfarë mëson vërtet Bibla? për të studiuar Biblën. Mund ta gjesh në adresën www.mt1130.com/sq.