Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 NDIHMË PËR FAMILJEN | TË RINJTË

Si t’i bësh ballë presionit të moshatarëve?

Si t’i bësh ballë presionit të moshatarëve?

VËSHTIRËSIA

«Në 9-vjeçare ndihesha keq se asnjë nuk donte të rrinte me mua. Prandaj, kur hyra në shkollë të mesme, ndryshova pamje dhe sjellje, por jo për mirë. Doja me çdo kusht të kisha shoqëri, kështu që iu dorëzova presionit të bashkëmoshatarëve, vetëm e vetëm që t’u pëlqeja.»—Xheni, 16 vjeçe. *

Po ty, a të bëjnë presion moshatarët? Nëse po, ky artikull do të të ndihmojë shumë.

Kur i dorëzohesh presionit, bëhesh si robot i pamend ngaqë i lejon të tjerët të të kontrollojnë. Pse t’i lësh të kenë këtë autoritet mbi ty?!Romakëve 6:16.

ÇFARË DUHET TË DISH?

Nga presioni, edhe njerëzit e mirë mund të bëjnë gjëra të këqija.

«Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»1 Korintasve 15:33.

«Teorikisht mund ta dimë se është e gabuar të ndjekim një rrugë të caktuar, por kur ndodhemi në një situatë konkrete, na komandojnë ndjenjat sepse duam t’u pëlqejmë të tjerëve!»—Dena.

Presioni nuk vjen vetëm nga të tjerët.

«Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe, është brenda meje.»Romakëve 7:21.

«Presioni që ndiej, shpesh vjen nga unë; në të vërtetë, jam unë ajo që i dëshiroj gjërat për të cilat flasin moshatarët dhe i bëjnë të duken kaq të bukura.»—Diana.

Përballimi i presionit të moshatarëve është një arritje për të cilën mund të krenohesh.

«Mbani një ndërgjegje të mirë.»1 Pjetrit 3:16.

«Më parë e kisha shumë të vështirë ta përballoja presionin e moshatarëve, por tani nuk kam frikë të jem ndryshe dhe jam e sigurt për vendimet që marr. Kur vë kokën në jastëk e kam ndërgjegjen të qetë, dhe kjo s’ka të paguar.»—Karla.

 ÇFARË MUND TË BËSH?

Kur të shtyjnë të bësh diçka të gabuar, përpiqu të veprosh si më poshtë:

Mendohu mirë për pasojat. Pyet veten: «Po nëse i dorëzohem presionit? Po unë, çfarë do të mendoj për veten? Çfarë do të mendojnë prindërit për mua kur të më zbulojnë?»Parimi biblik: Galatasve 6:7.

«Prindërit më bëjnë pyetje, si: ‘Nëse dorëzohesh, çfarë mund të të ndodhë?’ Më ndihmojnë të kuptoj si mund të më futë në rrugë të keqe presioni i moshatarëve.»—Olta.

Forco bindjet. Pyet veten: «Pse mendoj se kjo rrugë është e dëmshme, qoftë për mua, qoftë për të tjerët?»Parimi biblik: Hebrenjve 5:14.

«Kur isha e vogël, përgjigjesha vetëm me një ‘jo’ ose i bija shkurt, por tani mund ta shpjegoj mirë pse do ta bëj diçka dhe pse jo. Jam e vendosur në bindjet e mia për të drejtën e të gabuarën. Përgjigjen e gjej te vetja, jo te të tjerët.»—Anita.

Mendo kush je. Pyet veten: «Ç’lloj njeriu dua të jem?» Pastaj mendo për presionin që po has dhe pyet: «Çfarë do të bënte një njeri i tillë në këtë situatë?»—Parimi biblik: 2 Korintasve 13:5.

«Jam e kënaqur që jam kjo që jam, prandaj nuk më intereson shumë se çfarë mendojnë të tjerët. Përveç kësaj, shumë njerëzve u pëlqen të rrinë me Alisian e vërtetë.»—Alisia.

Mendo për të ardhmen. Nëse je në shkollë, pas pak vjetësh a madje muajsh, ata njerëz që po përpiqesh t’u bësh përshtypje, ndoshta s’do të jenë më pjesë e jetës sate.

«Pashë një fotografi nga koha e shkollës dhe s’më kujtoheshin as emrat e disa prej shokëve të klasës. Por, kur isha në shkollë, mendimi i tyre më interesonte më tepër sesa t’u qëndroja besnike bindjeve të mia. Ç’budallallëk!»—Dona, tani 22 vjeçe.

Ji i përgatitur. Bibla thotë: «Të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit.»Kolosianëve 4:6.

«Prindërit më ndihmojnë mua dhe motrën ta vëmë veten në situata të ndryshme dhe pastaj t’i demonstrojmë që të dimë si të veprojmë kur të na ndodhin në jetën reale.»—Krista.

^ par. 4 Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.