Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE

Sekretet e lumturisë

Sekretet e lumturisë

«Do të jem i lumtur kur të martohem dhe të bëhem me fëmijë.»

«Do të jem i lumtur kur të kem shtëpinë time.»

«Do të jem i lumtur kur ta kem atë vend pune.»

«Do të jem i lumtur kur . . . »

A KE menduar ndonjëherë kështu? Kur arrite synimin ose kur more atë që doje, të zgjati lumturia apo nisi të të venitej? Sigurisht, arritja e një synimi ose fitimi i diçkaje që duam mund të na bëjë të lumtur, por kjo lloj lumturie mund të jetë si flluskë sapuni. Lumturia afatgjatë nuk bazohet vetëm në arritje e në gjëra që blihen. Ashtu si shëndeti i mirë, edhe lumturia e vërtetë varet nga një sërë faktorësh.

Secili nga ne është unik. Ajo që të bën ty të lumtur, nuk e bën një tjetër. Veç kësaj, ndryshojmë me kalimin e viteve. Ama, provat tregojnë se në përgjithësi disa aspekte ndikojnë te lumturia më shumë se të tjera. Për shembull, nëse gjejmë kënaqësi, shmangim zilinë, zhvillojmë dashuri për të tjerët e mësojmë të rimëkëmbemi mendërisht dhe emocionalisht, do ta kemi më të lehtë të jemi të lumtur. Le të shohim pse themi kështu.

 1. GJEJ KËNAQËSI

Një studiues i mençur i natyrës njerëzore komentoi: «[Paraja] është mbrojtje.» Por shtoi edhe se «ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura. Edhe kjo është kotësi». (Eklisiastiu 5:10; 7:12) Ç’donte të thoshte? Ndonëse paratë na duhen për të jetuar, duhet të shmangim lakminë pasi ajo nuk ka të ngopur. Në fakt, vetë shkrimtari i këtyre fjalëve, mbreti Solomon i Izraelit të lashtë, ka eksperimentuar vetë për të kuptuar nëse pasuria dhe jeta luksoze sjellin lumturi të vërtetë. Ai shkroi: «Çdo gjë që sytë e mi e dëshiruan, nuk ua mohova. Nuk ia kurseva zemrës asnjë lloj gëzimi.»—Eklisiastiu 1:13; 2:10.

Meqë kishte grumbulluar pasuri të shumta, Solomoni ndërtoi shtëpi të mëdha, parqe të bukura e rezervuarë, si edhe mori mjaft shërbëtorë. Kishte çdo gjë që dëshironte. Në ç’përfundim arriti? Kjo përvojë e bëri disi të lumtur, por jo për shumë kohë. Ai vërejti se «çdo gjë ishte kotësi» dhe se «s’kishte asnjë përfitim». Madje, filloi ta urrente jetën. (Eklisiastiu 2:11, 17, 18) Po, Solomoni kuptoi se një jetë e përqendruar te dëshirat egoiste në fund të fundit na lë me një ndjenjë boshllëku dhe zhgënjimi. *

A e mbështetin studimet e sotme këtë këshillë të mençur të lashtësisë? Një artikull i botuar në Journal of Happiness Studies komenton se «pasi dikush plotëson nevojat bazë, çdo e ardhur tjetër nuk ndikon shumë në mirëqenien e tij». Në të vërtetë, studimet tregojnë se sa më shumë gjëra të blejmë, sidomos në kurriz të vlerave morale e shpirtërore, aq më të palumtur mund të bëhemi.

PARIMI BIBLIK: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat që keni.»Hebrenjve 13:5.

2. SHMANG ZILINË

Zilia përkufizohet si «vetëdije e dhembshme dhe e hidhur për një të mirë që gëzon tjetri, bashkë me dëshirën për ta pasur atë të mirë». Si një tumor malinj, zilia mund të të pllakosë jetën dhe të të grabitë lumturinë. Si mund të zërë rrënjë zilia? Si mund ta pikasësh? Dhe si mund ta luftosh?

Encyclopedia of Social Psychology vëren se njerëzit priren të jenë ziliqarë ndaj atyre që kanë të njëjtën moshë, përvojë ose shtresë shoqërore me ta. Për shembull, një shitës mund të mos ketë zili një yll kinemaje të famshëm. Por mund të ketë zili një shitës tjetër të suksesshëm.

Ja edhe ky rast: disa zyrtarë të lartë në Persinë e lashtë nuk kishin zili mbretin, por një tjetër zyrtar tejet të shkëlqyer që quhej Daniel. E shfaqën aq hapur pakënaqësinë saqë komplotuan për ta vrarë, por dështuan. (Danieli 6:1-24) Enciklopedia e përmendur më lart thotë: «Është e rëndësishme të kuptojmë natyrën dashakeqe të zilisë. Kjo dashaligësi shpjegon  arsyen pse zilia ka pasur lidhje me shumë raste sulmesh gjatë historisë.» *

Zilia mund të helmojë aftësinë e dikujt për të gëzuar gjërat e bukura në jetë

Si mund ta pikasësh zilinë? Pyet veten: «Më gëzon apo më shkurajon suksesi i një bashkëmoshatari? Trishtohem apo kënaqem nëse motra, vëllai, një shok klase i talentuar a koleg pune dështon në njëfarë mënyre?» Nëse u përgjigje «më shkurajon» dhe «kënaqem», ndoshta po ushqen zili. (Zanafilla 26:12-14) Encyclopedia of Social Psychology thotë: «Zilia mund të helmojë aftësinë e dikujt për të gëzuar gjërat e bukura në jetë dhe të shuajë ndjenjat e mirënjohjes për dhuratat e shumta të jetës. . . . Këto prirje zor se çojnë në lumturi.»

E luftojmë zilinë nëse zhvillojmë përulësi dhe modesti të vërtetë. Këto cilësi do të na ndihmojnë të çmojmë e të vlerësojmë aftësitë dhe cilësitë e mira të të tjerëve. Bibla thotë: «Duke mos bërë asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, duke i parë të tjerët si më të lartë se veten.»—Filipianëve 2:3.

PARIMI BIBLIK: «Le të mos kemi frymën e unit dhe të mos ngjallim konkurrencë me njëri-tjetrin, duke e pasur zili njëri-tjetrin.»Galatasve 5:26.

3. ZHVILLO DASHURI PËR TË TJERËT

Libri Social Psychology thotë: «Ndjenjat e njerëzve për marrëdhëniet mes tyre ndikojnë te kënaqësia që provojnë në jetë më tepër sesa puna, të ardhurat, komuniteti, e madje edhe shëndeti.» E thënë thjesht, që të jenë vërtet të lumtur njerëzit kanë nevojë të japin e të marrin dashuri. Një shkrimtar i Biblës tha: «Sikur . . . të mos kem dashuri, nuk do të jem asgjë.»—1 Korintasve 13:2.

Nuk është kurrë tepër vonë të zhvillosh dashuri. Për shembull, Vanesa kishte baba të dhunshëm e të alkoolizuar. Kur ishte 14 vjeçe, iku nga shtëpia dhe ndenji me disa familje që kujdeseshin për të. Pastaj shkoi në një strehim të përkohshëm aspak të mirë, dhe kujton t’i jetë përgjëruar Perëndisë për ndihmë. Më vonë, ndoshta si përgjigje të lutjeve të saj, u sistemua te një familje që jetonte sipas parimit biblik: «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse.» (1 Korintasve 13:4) Ky ambient, bashkë me atë që po mësonte nga Bibla, e ndihmuan Vanesën të shërohej emocionalisht e të zhvillohej nga ana intelektuale. Ajo tregon: «Në shkollë notat m’u përmirësuan; nga 4-a dhe 5-a, merrja 9-a e 10-a.»

Vanesa ka ende vraga emocionale. Gjithsesi, tani është një bashkëshorte dhe nënë e lumtur me dy vajza.

PARIMI BIBLIK: «Vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.»Kolosianëve 3:14.

 4. MËSO TË RIMËKËMBESH

E kush nuk ka probleme sot?! Siç thotë Bibla, ka «një kohë për të qarë» dhe «një kohë për të vajtuar». (Eklisiastiu 3:4) Aftësia për t’u rimëkëmbur na ndihmon t’i përballojmë këto kohë e ta marrim veten pavarësisht nga vështirësitë. Shqyrto rastin e Kerolës dhe të Mildredit.

Kerola vuan nga një sëmundje degjeneruese në shtyllën kurrizore, diabeti, apnea e gjumit dhe degjenerimi i makulës që i ka verbuar syrin e majtë. Prapëseprapë, ajo thotë: «Përpiqem të mos më lëshojë zemra për një kohë të gjatë. Ia lejoj vetes të ndihem përtokë në ca momente, ama pastaj i lë mënjanë ndjenjat e mia dhe falënderoj Zotin për atë që arrij të bëj, sidomos për të tjerët.»

Edhe Mildredi vuan nga disa sëmundje, si artriti, kanceri i gjirit dhe diabeti. Por, ashtu si Kerola, përpiqet të mos përqendrohet te problemet. Ajo shkruan: «Kam mësuar t’i dua njerëzit dhe t’u jap zemër kur sëmuren. Kjo më ndihmon edhe mua. Në fakt, kam vënë re se, kur ngushëlloj të tjerët, nuk shqetësohem për veten.»

Kerola dhe Mildredi kënaqen duke u dhënë zemër të tjerëve

Edhe pse të dyja gratë marrin kujdes të mirë shëndetësor, nuk përqendrohen aty, por te qëndrimi dhe te mënyra si e përdorin kohën. Si pasojë, ndiejnë një kënaqësi të brendshme që askush s’mund t’ua rrëmbejë. Për më tepër, të tjerët i duan shumë dhe, ata që kalojnë vështirësi, marrin zemër nga shembulli i tyre.

PARIMI BIBLIK: «Lum kush vazhdon të qëndrojë në sprovë, sepse, kur të miratohet, do të marrë kurorën e jetës!»Jakovi 1:12.

Kur mençuria biblike zbatohet, është «një pemë jete për ata që e rrokin dhe të lumtur kanë për t’u quajtur ata që e mbajnë fort». (Proverbat 3:13-18) Pse të mos e provosh vetë këtë duke vënë në jetë mençurinë e Biblës? Në fund të fundit, Autori i këtij libri të shenjtë, ‘Perëndia i lumtur’, dëshiron që edhe ti të jesh i lumtur.—1 Timoteut 1:11.

^ par. 11 Tregimi për përvojën e Solomonit gjendet tek Eklisiastiu 2:1-11.

^ par. 17 Një rast i mirënjohur në histori ka të bëjë me Jezu Krishtin. Marku 15:10 thotë se ‘nga zilia krerët e priftërinjve’ e dorëzuan Jezuin për ta vrarë.