Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Picirruku me sy të mëdhenj

Picirruku me sy të mëdhenj

SHUMICA do ta quanin të lezetshëm, kurse disa ndoshta të çuditshëm. Ka këmbë të gjata e të holla, gëzof të butë dhe sy të stërmëdhenj plot shkëlqim. Është rreth 12,5 centimetra i gjatë dhe peshon pak a shumë 114 gramë. Kush është? Tarsieri!

Le të ndalemi te një prej këtyre krijesave, te tarsieri i Filipineve. Sytë, veshët, duart, shputat, këmbët dhe bishti duken ca si tepër të mëdhenj për shtatin e tij picirruk. Gjithsesi, një vështrim më nga afër i kësaj krijese të pazakontë zbulon një projektim gjenial.

DËGJIMI: Veshët e hollë si fletë mund të palosen, të shpalosen dhe të kthehen për të diktuar edhe tingullin më të lehtë. Dëgjimi i tij i mprehtë e ndihmon jo vetëm të shmangë gjahtarët, si macen e egër, por edhe të pikasë prenë. Pasi errësohet, tarsieri ngre veshët nga vjen zhurma e bulkthave, e termiteve, e brumbujve, e zogjve dhe e bretkosave. Pastaj kthen gjithë kokën duke ndjekur me sytë e tij si poçe vaktin e shumëpritur.

KAPJA: Duart e tarsierit janë projektuar si me porosi për të mbërthyer degëzat. Majat e gishtërinjve kanë mollëza të veçanta me ndarje të theksuara që ngjajnë me të thelluarat e rrotave, të cilat e ndihmojnë makinën të mos rrëshqasë nga rruga. Edhe kur fle, tarsieri duhet të kapet fort pas një dege. Ndarjet e theksuara në pjesën e brendshme të bishtit të gjatë e ndihmojnë të qëndrojë në vend deri kur zgjohet.

 SHIKIMI: S’ka gjitar tjetër me sy kaq të mëdhenj në krahasim me përmasat e trupit. Në fakt, secili nga sytë e tarsierit është më i madh se truri i tij. Kokërdhokët e syrit të tarsierit s’mund të rrotullohen, shohin vetëm drejt përpara. A ka ndonjë minus në këtë projektim? Faktikisht jo. Qafa elastike, që i jep mundësi tarsierit ta kthejë kokën 180 gradë në të dyja drejtimet, e kompenson mjaftueshëm.

ZHDËRVJELLTËSIA: Këmbët e gjata i japin forcë tarsierit të hidhet deri në 6 metra—mbi 40 herë më shumë se gjatësia e tij. Kur kërkon ushqim, ky grabitqar i vockël hidhet pupthi në errësirë me gishtërinjtë gati për të mbërthyer prenë e tij me saktësi marramendëse.

Tarsierët rrallë mbijetojnë në duar të njerëzve, pjesërisht për shkak të urisë së pangopshme për insekte të gjalla, si edhe ngaqë nuk kanë qejf t’i prekin. Prapëseprapë, kjo krijesë unike vazhdon t’i lërë gojëhapur filipinasit. Pothuajse çdo pjesë e trupit të këtij banori të lezetshëm pyjesh me sy të mëdhenj të habit.