Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | A ËSHTË E DALË MODE BIBLA?

Vlera enkas për njeriun në çdo kohë—Dashuria

Vlera enkas për njeriun në çdo kohë—Dashuria

PARIMI BIBLIK: «Vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.»Kolosianëve 3:14.

DOBITË: Dashuria për të cilën flet më shumë Bibla nuk është as romantike, as ajo që lidhet me ndjenjat seksuale. Përkundrazi, është dashuri e bazuar në parime që karakterizohet nga cilësi të tilla, si dhembshuria, falja, përulësia, besnikëria, mirëdashja, butësia dhe durimi. (Mikea 6:8; Kolosianëve 3:12, 13) Duke lënë mënjanë dashuriçkat, që zbehen me kohë, dashuria mund të rritet në pafundësi.

Brenda, e martuar prej gati 30 vjetësh, thotë: «Dashuria që kanë të sapomartuarit për njëri-tjetrin as që krahasohet me dashurinë që ndien teksa martesa forcohet me kalimin e kohës.»

Semi, i martuar prej më se 12 vjetësh, u shpreh: «Unë dhe gruaja gjithmonë jemi kënaqur, madje jemi habitur, kur kemi parë sa ndikojnë e sa të thjeshta janë këshillat e Biblës. Po i zbatove, gjërat shkojnë vaj. Edhe pse do të më pëlqente të thosha se i kam zbatuar gjithnjë, me raste nuk i kam zbatuar. Kjo ndodhte kur isha tepër i ndjeshëm, pak egoist ose i lodhur. Në raste të tilla i kërkoj ndihmë Jehovait që të më fashiten ndjenjat negative. Pastaj e përqafoj gruan dhe, sakaq, duket sikur s’ka ndodhur asgjë e pakëndshme.»

«Mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta»

Jezu Krishti tha se «mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta». (Mateu 11:19) Prandaj, Bibla është provë e mençurisë më të lartë. Mësimet dhe vlerat e saj morale bëjnë punë. Ato nuk njohin kohë. Kapërcejnë çdo kulturë e kombësi. Gjithashtu, pasqyrojnë një kuptueshmëri kaq të thellë të natyrës njerëzore, sa flasin për një Burim më të lartë, Krijuesin tonë, Perëndinë Jehova. S’diskutohet që këtë e provon kur i zbaton. Ndaj, Bibla na fton ‘të provojmë e të shijojmë se sa i mirë është Jehovai’. (Psalmi 34:8) A do ta pranosh këtë ftesë?