NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE
Kur fëmija yt pyet për vdekjen
VËSHTIRËSIA
Fëmija yt gjashtëvjeçar të pyet: «Po ti, do të vdesësh?» I shtangur nga kjo pyetje, mendon: «A është mjaft i rritur fëmija im që ta kuptojë përgjigjen? Si të flas me të për vdekjen?» *
Ç’DUHET TË DISH
S’diskutohet që fëmijët mendojnë për vdekjen. Disa bëjnë lojëra ku dikush gjoja vdes. Ndaj, vdekja nuk duhet konsideruar tabu, dhe duhet t’i vini veshin çdo pyetjeje që bën fëmija për të. Bisedat e herëpashershme e të hapura për vdekjen e ndihmojnë fëmijën të dijë si ta përballojë humbjen e një njeriu të dashur.
Tema e vdekjes nuk do t’i ngjallë fëmijës mendime të zymta. Përkundrazi, do ta ndihmojë t’i fashitet frika. Sidoqoftë, ndoshta duhet t’i shpjegosh disa keqkuptime. Për shembull, disa specialistë thonë se shumë fëmijë nën moshën gjashtë vjeç nuk e shohin vdekjen si fundin e gjithçkaje. Në lojërat e tyre, një fëmijë një herë «vdes» e një herë tjetër është prapë «gjallë».
Megjithatë, kur rriten edhe ca, fëmijët nisin të kuptojnë sa serioze është vdekja
Nuk ka pse të shqetësohesh tepër për atë që duhet të thuash. Sipas një studimi, fëmija thjesht do që «të dëgjojë të vërtetën, të shprehur me fjalë të ngrohta». Ji i sigurt se fëmija zakonisht nuk bën pyetje pa qenë gati të dëgjojë përgjigjen.
Ç’MUND TË BËSH
Shfrytëzo mundësitë për të folur për vdekjen. Nëse fëmija sheh një zog të ngordhur buzë rrugës ose nëse ngordh një kafshë e dashur shtëpiake, bëj pyetje të thjeshta që ta nxitësh të flasë. Për shembull, mund ta pyesësh: «A vuan kafsha e ngordhur? A ka ftohtë ose uri? Nga e kupton që një kafshë ose një njeri ka vdekur?»
Mos e fshih të vërtetën. Kur vdes një i njohur a i afërm, mos përdor shprehje të tilla, si «ka ikur». Fëmija mund të mendojë gabimisht se i vdekuri së shpejti do të kthehet në shtëpi. Në vend të kësaj, përdor fjalë të thjeshta e të drejtpërdrejta. Për shembull, mund të thuash: «Kur vdiq gjyshja, nuk i punonte më asnjë pjesë e trupit. Nuk flasim dot me të, por nuk do ta harrojmë kurrë.»
Meqë një fëmijë i vogël mund të mendojë se vdekja është ngjitëse, siguroje se nuk do t’i ndodhë gjë
Siguroje fëmijën. Ndoshta ai mendon se vdekjen e dikujt e shkaktuan veprimet dhe mendimet e tij. Në vend që thjesht t’i thuash se nuk e ka ai fajin për atë që ndodhi, mund ta pyesësh: «Pse mendon se e ke ti fajin?» Dëgjoje me kujdes, pa ia shpërfillur ndjenjat. Gjithashtu, meqë një fëmijë i vogël mund të mendojë se vdekja është ngjitëse, siguroje se nuk do t’i ndodhë gjë.
Nxite fëmijën të shprehet. Fol lirisht për njerëzit e dashur që kanë vdekur, përfshirë të afërm që fëmija s’i ka takuar kurrë. Mund të përmendësh kujtime të bukura të hallave, tezeve, xhaxhallarëve, dajave a gjyshërve dhe të tregosh shaka që lidhen me ta. Kur flet hapur për këta njerëz, e ndihmon fëmijën të kuptojë se mund të flasë apo të mendojë për ta pa frikë. Por mos e detyro të flasë. Mund ta hapësh këtë argument më vonë kur ta shohësh se është momenti i duhur.
Kapitujt 34 dhe 35 të librit Të mësojmë nga Mësuesi i Madh mund ta ndihmojnë fëmijën të mësojë ç’thotë Bibla për të vdekurit. Shih te BOTIME > LIBRA DHE BROSHURA
^ par. 4 Edhe pse në këtë artikull flasim për fëmijën si të ishte djalë, parimet që trajtohen, vlejnë njësoj edhe për vajzat.