A ËSHTË PROJEKTUAR?
Funksioni i mustaqeve të maces
MACET shtëpiake zakonisht lëvizin natën. Siç duket, mustaqet i ndihmojnë të pikasin objektet përreth dhe të zënë prenë, sidomos pas muzgut.
Shqyrto faktet: Mustaqet e maces përbëhen nga inde plot funde nervore. Këta nerva janë të ndjeshëm edhe ndaj lëvizjes më të lehtë të ajrit. Prandaj, macet i dallojnë objektet përqark pa i parë, një avantazh i madh në errësirë.
Meqë mustaqet janë të ndjeshme ndaj presionit, me anë të tyre macet përcaktojnë pozicionin dhe lëvizjen e një objekti ose një preje. Gjithashtu, mustaqet ndihmojnë për të dalluar përmasat e një vrime para se macja të vërsulet drejt saj. Encyclopædia Britannica pranon se «funksionet e mustaqeve (vibrissae) kuptohen vetëm pjesërisht; sidoqoftë dihet se, po të priten, macja e humbet përkohësisht aftësinë që ka falë tyre».
Shkencëtarët po projektojnë robotë të pajisur me sensorë që ngjajnë me mustaqet e maces, që robotët të lëvizin lehtësisht përreth pengesave. Sipas Ali Javit, shkencëtar në Universitetin e Kalifornisë, Berkli, këta sensorë të quajtur mustaqe elektronike, «duhet të përdoren gjerësisht në robotikën e avancuar, në fushën e biologjisë dhe si sensorë në hapësirën e mirëfilltë mes njeriut dhe një pajisjeje teknologjike».
Si mendon? A erdhën me evolucion mustaqet e maces? Apo janë projektuar?