PORTRETE NGA E KALUARA
Galileo
Mënyra si filluan ta konceptonin universin shkencëtarët dhe filozofët evropianë midis shekullit të 14-të dhe të 16-të binte ndesh me mësimet e Kishës Katolike. Një prej atyre që i studioi nga e para trupat qiellorë ishte Galileo Galilei.
PARA kohës së Galileos shumë njerëz besonin se dielli, planetët dhe yjet rrotulloheshin rreth tokës. Kjo ishte pjesë e dogmave të pranuara nga Kisha Katolike.
Mirëpo, ajo që pa Galileo me teleskop nuk përputhej me mësimet shkencore të pranuara gjerësisht. Për shembull, ndërsa shihte njollat diellore që lëviznin, dalloi se dielli rrotullohet rreth boshtit të vet. Këto lloj vrojtimesh i pasuruan gjithnjë e më shumë njohuritë e njeriut mbi universin, por nga ana tjetër e vunë Galileon kundër Kishës Katolike.
SHKENCA DHE FEJA
Disa dekada më parë astronomi polak Nikolla Koperniku kishte nxjerrë teorinë se toka rrotullohet rreth diellit. Galileo shqyrtoi studimet e Kopernikut për lëvizjen e trupave qiellorë dhe grumbulloi prova që e vërtetonin këtë teori. Në fillim Galileo ngurronte t’i bënte publike zbulimet e tij nga frika se mos e tallnin dhe e përbuznin. Por ishte kaq entuziast për ato që kishte parë me teleskop, sa pas njëfarë kohe
i bëri publike zbulimet e tij. Disa shkencëtarë mendonin se argumentimet e tij ishin provokuese dhe klerikët reaguan menjëherë duke e diskredituar Galileon nga katedrat e tyre.Në 1616-n kardinali Belarmino, «një ndër teologët kryesorë të asaj kohe», e informoi Galileon se sapo kishte dalë një dekret katolik kundër ideve të Kopernikut. Ai e nxiti me forcë Galileon t’i bindej atij dekreti dhe për vite me radhë Galileo nuk foli më publikisht për rrotullimin e tokës rreth diellit.
Në vitin 1623 papë u bë Urbano VIII, mik i Galileos. Prandaj në vitin 1624 Galileo i kërkoi papës të anulonte dekretin e vitit 1616. Në vend të kësaj, Urbano e nxiti Galileon të shpjegonte me paanësi teoritë e Kopernikut dhe të Aristotelit, që binin ndesh me njëra-tjetrën.
Galileo shkroi librin me titull Dialogue on the Great World Systems. Megjithëse papa i kishte dhënë urdhër të ishte asnjanës, libri mbante anën e Kopernikut. Pa humbur kohë armiqtë e Galileos filluan të thoshin se libri i tij tallte papën. Pasi e akuzuan për herezi dhe e kërcënuan se do ta torturonin, e detyruan t’i mohonte mësimet e Kopernikut. Më 1633 Inkuizicioni Romak e dënoi me arrest shtëpie të përjetshëm dhe ndaloi qarkullimin e shkrimeve të tij. Galileo vdiq më 8 janar 1642 në shtëpinë e tij në Arçetri, afër Firences.
Papa Gjon Pali II pranoi se Kisha Katolike e kishte dënuar padrejtësisht Galileon
Disa nga veprat e Galileos mbetën për qindra vjet në listën e librave të ndaluar për katolikët. Por më 1979 kisha rishqyrtoi vendimin që kishte marrë Inkuizicioni Romak 300 vjet më parë. Më në fund, në vitin 1992, papa Gjon Pali II pranoi se Kisha Katolike e kishte dënuar padrejtësisht Galileon.