Ç’duhet të dish për malarien
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më 2013 u infektuan me malarie mbi 198 milionë njerëz dhe si pasojë vdiqën rreth 584.000 veta. Afro 83 për qind e tyre ishin fëmijë nën pesë vjeç. Ajo kërcënon gati njëqind vende dhe zona të botës, duke rrezikuar rreth 3,2 miliardë njerëz.
1 ÇFARË ËSHTË MALARIA?
Malaria është sëmundje që shkaktohet nga parazitë. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, të dridhura, djersitje, dhembje koke e muskujsh, të përziera dhe të vjella. Ndonjëherë simptomat mund të përsëriten çdo 48 deri në 72 orë, në varësi të llojit të parazitit dhe të periudhës së infektimit.
2 SI PËRHAPET?
-
Parazitët e malaries—protozoarë që quhen Plasmodia—futen në qarkullimin e gjakut me anë të pickimit mushkonjës femër Anopheles.
-
Parazitët hyjnë te qelizat e mëlçisë, ku shumohen.
-
Kur çahet një qelizë mëlçie, parazitët dalin dhe pushtojnë rruazat e kuqe të gjakut. Aty vazhdojnë të shumohen.
-
Kur çahet një rruazë e kuqe gjaku, parazitët dalin dhe bëjnë namin duke infektuar edhe më shumë rruaza të kuqe gjaku.
-
Ky cikël vazhdon e vazhdon. I infektuari shfaq simptoma tipike të malaries sa herë çahen rruazat e kuqe të gjakut.
3 SI TË MBROHESH?
Nëse jeton në një vend ku është përhapur malaria . . .
-
Përdor rrjetë krevati ose rrjetë mushkonjash. Rrjeta duhet
-
të spërkatet me insekticid.
-
të mos ketë vrima a të grisura.
-
të futet komplet poshtë dyshekut.
-
-
Dezinfekto ambientin brenda shtëpisë që të heqësh çdo gjurmë insektesh.
-
Nëse ke mundësi, vër rrjeta në dyer e dritare dhe përdor kondicioner e ventilator, pasi ata nuk i lejojnë mushkonjat të zënë vend.
-
Vish rroba me ngjyra të hapura që jua mbulojnë plotësisht trupin.
-
Nëse është e mundur, mos iu afro shkurrnajave ku mblidhen mushkonjat e as ujërave të ndenjura ku shumohen.
-
Nëse je infektuar, fillo menjëherë mjekimin.
Nëse po planifikon të vizitosh një vend ku është përhapur malaria . . .
-
Para se të nisesh, merr informacionet më të fundit për malarien. Lloji i parazitit të malaries që është i zakonshëm në një vend mund të jetë i ndryshëm në një tjetër, dhe lloji përcakton mjekimin më të mirë. Gjithashtu, e mira është të flasësh me mjekun tënd për gjërat që duhet të kesh parasysh për ecurinë e shëndetit tënd.
-
Kur të shkosh atje, ndiq udhëzimet në këtë artikull për ata që jetojnë në një vend ku malaria është e përhapur.
-
Po të infektohesh, mjekohu menjëherë. Mbaj parasysh se simptomat mund të shfaqen një deri në katër javë pas infektimit.