PIKËPAMJA E BIBLËS
Toleranca
Miratimi, falja dhe toleranca nxitin marrëdhënie paqësore. Por a duhet të ketë një cak toleranca?
Cili është sekreti për të qenë më tolerant?
REALITETI SOT:
Mbarë botën e kanë përpirë flakët e fanatizmit, që ndizen edhe më shumë nga paragjykimet racore dhe etnike, nacionalizmi, krenaria fisnore dhe ekstremizmi fetar.
ÇFARË THOTË BIBLA:
Gjatë predikimit, Jezu Krishti shihte kudo mungesë tolerance. Sidomos judenjtë dhe samaritanët e urrenin njëri-tjetrin. (Gjoni 4:9) Gratë i trajtonin si më të ulëta se burrat. Udhëheqësit fetarë judenj i përbuznin njerëzit e thjeshtë. (Gjoni 7:49) Por Jezu Krishti ndryshonte me ta si dita me natën. Kundërshtarët e tij thanë: «Ky njeri i mirëpret mëkatarët dhe ha me ta.» (Luka 15:2) Jezui ishte i mirë, i durueshëm dhe tolerant sepse erdhi për t’i ndihmuar njerëzit të njihnin Zotin, jo për t’i gjykuar. Motivi i tij kryesor ishte dashuria.
Dashuria, sekreti për të qenë më tolerantë, na bën shpirtgjerë ndaj të tjerëve, pavarësisht nga të metat dhe huqet e tyre. Kolosianëve 3:13 thotë: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.»
«Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.»
—1 Pjetrit 4:8.
Pse duhet të ketë një cak toleranca?
REALITETI:
Në shumicën e kulturave njerëzit përpiqen të zbatojnë ligjet dhe të ruajnë rendin. Prandaj zakonisht vendosin kufij të arsyeshëm për sjelljen.
ÇFARË THOTË BIBLA:
«[Dashuria] nuk sillet në mënyrë të pahijshme.» (1 Korintasve 13:5) Ndonëse Jezui ishte shembull për sa i përket tolerancës, nuk toleroi paturpësinë, hipokrizinë dhe forma të tjera të ligësisë. Përkundrazi, i dënoi haptazi. (Mateu 23:13) Madje tha: «Ai që praktikon gjëra të poshtra, e urren dritën [e së vërtetës].»
Apostulli i krishterë Pavël shkroi: «Urreni thellësisht atë që është e ligë, kapuni fort pas asaj që është e mirë.» (Romakëve 12:9) Ai jetoi në harmoni me këto fjalë. Për shembull, kur disa të krishterë judenj u ndanë nga besimtarët jojudenj, Pavli, që edhe vetë ishte jude, foli troç, por me dashamirësi. (Galatasve 2:11-14) Ai e dinte se Zoti, i cili «nuk është i anshëm», nuk i toleron paragjykimet racore mes popullit të tij.
Si të krishterë, Dëshmitarët e Jehovait udhëhiqen nga Bibla kur vjen puna te normat morale. (Isaia 33:22) Prandaj nuk e tolerojnë ligësinë mes tyre. Kongregacioni i pastër i krishterë nuk duhet të ndotet nga njerëz që i shpërfillin parimet e Perëndisë. Ja pse Dëshmitarët i binden urdhrit të qartë biblik: «Hiqeni të ligun nga mesi juaj.»
«Ju që doni Jehovain, urreni të keqen.»
—Psalmi 97:10.
A do ta tolerojë përgjithmonë Zoti ligësinë?
ÇFARË BESOJNË SHUMË NJERËZ:
Për shkak të natyrës sonë të papërsosur, ligësia do të ekzistojë gjithnjë.
ÇFARË THOTË BIBLA:
Profeti Habakuk iu lut Perëndisë Jehova: «Përse . . . vazhdon [ta tolerosh] ligësinë? Përse para meje ka grabitje dhe dhunë, pse ka grindje dhe zënka?» (Habakuku 1:3, NWT, botimi 2013) Zoti ia hoqi dyshimet profetit të tij duke e siguruar se do t’i kërkonte llogari të ligut. Ai tha për këtë premtim: «Pa dyshim do të dalë i vërtetë. Nuk do të vonojë.»
Ndërkohë, keqbërësit kanë mundësi të kthejnë rrugë. «Mos vallë kënaqem me vdekjen e të ligut?
«Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. . . . Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»
—Psalmi 37:10, 11.