Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

INTERVISTË | DR. XHIN HUANG

Një matematikan flet për besimin e tij

Një matematikan flet për besimin e tij

Dr. Xhin Huangu lindi më 1950 në Tainan të Taivanit, ku ka punuar si profesor matematike në Universitetin Kombëtar të Xhong-Xhengut. Ai mban edhe titullin profesor i merituar në Universitetin «Kornell», SHBA, ku ka dhënë mësim e ka bërë kërkime në statistikë e në probabilitet. Për vite ka qenë një nga shkencëtarët që ka botuar më shumë studime në fushën e statistikës, të cilën e eksploron ende. Në moshë të re besonte se jeta filloi nga proceset e evolucionit. Por më vonë ndryshoi mendim. Revista Zgjohuni! i bëri disa pyetje për punën dhe për bindjet e tij fetare.

Çfarë të mësuan në rini?

Në shkollë mësova teorinë e evolucionit, por askush nuk e shpjegonte dot zanafillën e vetë jetës. Kur prindërit e mi u bën taoistë, dëgjoja mësuesit e fesë së tyre dhe u bëja goxha pyetje. Por, përgjigjet e tyre nuk ishin mjaft bindëse.

Pse u bëre matematikan?

Matematika më ka mrekulluar si në fillore, edhe në fakultet, ku më tërhiqnin sidomos orët e matematikës e të probabilitetit. Për mua një provë e saktë matematikore është sa e bukur, aq edhe e qartë.

Si të lindi interesi për Biblën?

Më 1978 ime shoqe, Xhinguei, nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, e ndonjëherë merrja pjesë edhe unë gjatë bisedave të tyre. Në atë kohë jetonim në Shtetet e Bashkuara. Xhinguei sapo kishte marrë doktoraturën në fizikë, kurse unë studioja statistikë në Universitetin Përdu në Indiana.

Si të dukej Bibla?

Më bënte përshtypje kur Bibla tregonte se si toka u përgatit për jetën njerëzore. Gjashtë periudhat e krijimit të përshkruara te Zanafilla, ndonëse me gjuhë të thjeshtë, dukeshin në harmoni me faktet, ndryshe nga mitologjia e lashtë.  * Megjithatë m’u deshën shumë vjet para se të besoja te një Krijues.

Pse e kishe problem këtë?

Të besoja te një krijues do të thoshte të mohoja fenë e fëmijërisë

Këtu futeshin ndjenjat e mia. Të besoja te një krijues do të thoshte të mohoja fenë e fëmijërisë, sepse taoizmi tradicional nuk mëson se ka një Perëndi konkret ose një Krijues.

Por më vonë ndryshove pikëpamje. Pse?

Sa më shumë mendoja për origjinën e jetës, aq më shumë bindesha se gjallesa e parë duhet të ketë qenë shumë komplekse. Për shembull, duhej të riprodhohej, dhe kjo kërkonte informacion gjenetik e një mekanizëm për ta kopjuar me saktësi këtë informacion. Gjithashtu, edhe gjallesa më e thjeshtë ka nevojë për mekanizma molekularë që të ndërtojë të gjitha pjesët e një qelize të re, si edhe për mjete që kontrollojnë e drejtojnë energjinë. Si mund të jenë bashkuar rastësisht këta mekanizma kompleksë nga materia e pajetë? Si matematikan nuk e pranoja dot këtë supozim. Kjo do të kërkonte shumë procese të rastësishme.

Po çfarë të shtyu t’i shqyrtoje më nga afër mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait?

Kisha studiuar herë pas here me Dëshmitarët. Më vonë, kur shkova për pak kohë në Tajvan në vitin 1995, u sëmura dhe kisha nevojë për ndihmë. Gruaja kontaktoi që nga Shtetet e Bashkuara me Dëshmitarët e Jehovait në Tajvan. Ata më gjetën të rraskapitur jashtë një spitali ku nuk kishte shtretër të lirë. Një prej Dëshmitarëve më çoi në një hotel që të pushoja. Ai vinte herë pas here të më shikonte, e më pas më çoi në një klinikë që të kurohesha.

Ky merak i sinqertë më preku thellë dhe mendova se si Dëshmitarët e Jehovait ishin treguar mirëdashës me familjen time në sa e sa raste të tjera. Besimi i dallonte Dëshmitarët nga të tjerët. Kështu e rifillova studimin e Biblës me ta. Një vit më vonë u pagëzova.

A bie ndesh besimi yt me kërkimet e tua shkencore?

Aspak! Vitet e fundit u kam dhënë fakte matematikore shkencëtarëve që studiojnë funksionin e gjeneve. Studimi i gjenetikës të jep kuptueshmëri të thellë për mekanizmat e jetës, një kuptueshmëri që më mbush me nderim për mençurinë e Krijuesit.

Na trego ndonjë shembull të kësaj mençurie.

Një rast është riprodhimi. Disa organizma, si ameba, nuk kanë ndarje në gjini. Këto mikrobe njëqelizore thjesht kopjojnë materialin e tyre gjenetik dhe ndahen. Ky proces quhet riprodhim joseksual. Por shumica e bimëve dhe e kafshëve riprodhohen seksualisht duke kombinuar informacionin gjenetik të prindërve mashkull e femër. Çfarë ka të jashtëzakonshme riprodhimi seksual?

Si ka mundësi që një sistem riprodhimi ku një organizëm thjesht ndahet në dy—dhe e ka bërë këtë për bukuri kushedi për sa kohë—të shndërrohet në një sistem ku dy organizma kombinohen për të formuar një të vetëm? Mekanizmat e nevojshëm për të marrë gjysmën e informacionit gjenetik nga mashkulli dhe gjysmën nga femra e për t’i kombinuar bashkë, janë tejet të ndërlikuara, diçka që paraqet një problem madhor për biologët që përkrahin evolucionin. Sipas meje, riprodhimi seksual tregon në mënyrë të padiskutueshme se është fryt i mendjes së Perëndisë.

^ par. 11 Për të ditur më shumë rreth periudhave të krijimit, shih broshurën A u krijua jeta?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Disponohet online në www.mt1130.com.