TEMA KRYESORE | SI TË BËSH PAQE NË SHTËPI?
Si të nxitësh paqen në familje?
A MENDON se Bibla mund të të ndihmojë të nxitësh paqen në shtëpi? Të lutemi, krahaso ato që thotë Bibla me ato që të intervistuarit e mëposhtëm i kanë parë të dobishme. Shqyrto cilat pika mund të të ndihmojnë të shmangësh grindjet, të ruash paqen dhe t’i forcosh e t’i bësh të qëndrueshme lidhjet.
PARIME BIBLIKE QË NXITIN PAQEN
ZHVILLONI PIKËPAMJE POZITIVE PËR NJËRI-TJETRIN.
‘Mos bëj asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, duke i parë të tjerët si më të lartë se veten, duke parë me interes jo vetëm çështjet e tua, por edhe ato të të tjerëve.’
—Filipianëve 2:3, 4.
«Kemi kuptuar se është mirë ta shohësh bashkëshortin si më të rëndësishëm se veten ose se të tjerët.»
—Ç. P., e martuar prej 19 vjetësh.
DËGJO ME VËMENDJE DHE ME MENDJE TË HAPUR.
«Vazhdo t’u kujtosh atyre . . . të mos kenë një qëndrim luftarak, të jenë të arsyeshëm e të tregojnë tërë butësinë me të gjithë njerëzit.»
—Titit 3:1, 2.
«Mund të shmangësh goxha tension nëse nuk i përgjigjesh bashkëshortit me ton luftarak. Është e rëndësishme të dëgjosh pa paragjykuar, si edhe t’i respektosh pikëpamjet e tij ose të saj edhe kur nuk je dakord.»
—P. P., e martuar prej 20 vjetësh.
ZHVILLO DURIM E BUTËSI.
«Me durim i mbushet mendja një komandanti, dhe gjuha e butë mund të thyejë kocka.»
—Proverbat 25:15.
«Grindje do të ketë se s’bën, por përfundimi varet nga fryma që shfaqim. Nevojitet vërtet durim. Gjërat zgjidhen vetë kur jemi të duruar.»
—G. A., e martuar prej 27 vjetësh.
KURRË MOS USHTRO DHUNË VERBALE OSE FIZIKE.
«Flakini larg jush të gjitha këto: furinë, zemërimin, të keqen, sharjen dhe në gojën tuaj të mos ketë të folur të ndyrë.»
—Kolosianëve 3:8.
«E admiroj vetëkontrollin e burrit. Ai e ruan gjithnjë qetësinë dhe kurrë nuk më bërtet dhe as më fyen.»
—B. D., e martuar prej 20 vjetësh.
JI I GATSHËM PËR TË FALUR DHE PËR T’I SHESHUAR MENJËHERË MOSPËRPUTHJET.
«Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.»
—Kolosianëve 3:13.
«Nuk është gjithnjë kollaj të ruash qetësinë nën stres dhe fare lehtë mund të thuash a të bësh gjëra që e lëndojnë partnerin. Në momente të tilla, është bukur kur fal. Në një martesë të mirë duhet të ekzistojë patjetër falja.»
—A. B., e martuar prej 34 vjetësh.
BËJE ZAKON TË JAPËSH ME ALTRUIZËM.
«Bëjeni zakon të jepni, dhe do t’ju japin. . . . Sepse do t’ju matin me po atë masë që ju i matni të tjerët.»
—Luka 6:38.
«Im shoq e di se çfarë më kënaq, dhe është gjithmonë plot surpriza. Prandaj, mendoj shpesh: ‘Si mund ta bëj të lumtur?’ Si rezultat, kemi qeshur goxha, ende qeshim shumë.»
—H. K., e martuar prej 44 vjetësh.
MOS U DORËZO TEKSA NXIT PAQEN NË FAMILJE
Familjarët që intervistoi Zgjohuni! janë vetëm disa nga miliona veta në mbarë botën që i kanë ndihmuar parimet biblike të zhvillojnë cilësi që i sjellin më shumë paqe familjes. * Edhe kur disa familjarë duket sikur s’po bashkëpunojnë, ata kanë kuptuar se ia vlen të jesh paqebërës, sepse Bibla premton: «Ata që këshillojnë [ose nxitin] paqe, kanë gëzim.»
^ par. 24 Për më shumë informacion se si të kesh jetë të lumtur familjare, shih kapitullin 14 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe që disponohet në www.mt1130.com. Shih edhe te MËSIME BIBLIKE > NDIHMË PËR FAMILJEN.