4 | Këshillat praktike të Biblës
BIBLA THOTË: «I gjithë Shkrimi është . . . i dobishëm.»—2 TIMOTEUT 3:16.
Ç’do të thotë ky shkrim
Ndonëse nuk është libër mjekësor, Bibla ka këshilla praktike e të dobishme për këdo që lufton me vështirësitë e shëndetit mendor. Ja disa shembuj.
Si na ndihmon
«Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po.»—MATEU 9:12.
Bibla e pranon se mund të kemi nevojë të marrim trajtim mjekësor. Shumë veta kanë gjetur lehtësim kur janë informuar për sëmundjen e tyre mendore nga burime të besueshme dhe kur kanë marrë ndihmën e specialistit.
«Fizkultura është e dobishme.»—1 TIMOTEUT 4:8, shënimi.
Kur bën aktivitete që ta përmirësojnë shëndetin fizik, mund të përmirësosh edhe atë mendor. Këto aktivitete mund të përfshijnë të bësh fizkulturë rregullisht, të ndjekësh një dietë të shëndetshme dhe të flesh mjaftueshëm.
«Një zemër e gëzuar është ilaç i mirë, por një shpirt i dërrmuar t’i shteron forcat.»—PROVERBAT 17:22.
Leximi i fragmenteve inkurajuese nga Bibla dhe objektivat e arsyeshëm e të arritshëm mund të të ndihmojnë të ndihesh i lumtur. Qëndrimi pozitiv dhe plot shpresë mund të
të ndihmojë të ruash ekuilibrin emocional teksa përballon sfidat e shëndetit mendor.«Mençuria është me modestët.»—PROVERBAT 11:2.
Mund të kuptosh se nuk ia del dot të bësh vetë gjithçka që do të doje, prandaj ji i gatshëm të pranosh ndihmën e të tjerëve. Ka shumë të ngjarë që miqtë dhe familja duan të të ndihmojnë, por mbase nuk e dinë si. Thuaju çfarë do të ishte vërtet ndihmë për ty. Ji i arsyeshëm nga ajo që pret dhe ji gjithmonë mirënjohës për ndihmën që të japin.
Si po i ndihmojnë këshillat praktike të Biblës ata që vuajnë
«Kuptova që diçka nuk po shkonte tek unë, ndaj u konsultova me një mjeke, që arriti të përcaktonte diagnozën time. Kjo më ndihmoi të kuptoja cili ishte problemi im dhe të informohesha për alternativat mjekësore në dispozicion, që të merrja trajtimin më të mirë të mundshëm.»—Nikola, a e cila vuan nga çrregullimi bipolar.
«Kam kuptuar se kur e lexoj rregullisht Biblën me bashkëshorten, më ndihmon ta nis çdo ditë me mendime pozitive dhe inkurajuese. Dhe shpesh, në ditët më të vështira, gjej ndonjë varg që më prek zemrën.»—Piteri, i cili vuan nga depresioni.
«E kisha të vështirë t’u tregoja të tjerëve për sëmundjen time, sepse më vinte shumë turp. Por një shoqe e ngushtë ishte mjaft mirëkuptuese dhe empatike. Ajo më ndihmoi që të ndihesha më mirë dhe aspak vetëm.»—Xhi Ju, e cila vuan nga një çrregullim në të ngrënë.
«Bibla më ka ndihmuar të jem i ekuilibruar dhe i arsyeshëm për sa i përket punës dhe pushimit. Gjithashtu, mençuria e saj më ka ndihmuar t’u bëj ballë problemeve emocionale që më torturojnë.»—Timothi, i cili vuan nga çrregullimi obsesivo-kompulsiv.
a Disa emra janë ndryshuar.