Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 7

KËNGA 15 Nderoni të parëlindurin e Jehovait!

Falja e Jehovait—Si ndikon te ti?

Falja e Jehovait—Si ndikon te ti?

«Ti fal me të vërtetë.»PSAL. 130:4.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Ndërsa shqyrtojmë disa shprehje të figurshme e ilustrime nga Bibla, do të na thellohet çmueshmëria për faljen e vërtetë—për mënyrën unike si e fal Jehovai secilin nga ne.

1. Pse mund të jetë e vështirë të kuptojmë ç’do të thotë dikush me fjalët «të kam falur»?

 «TË KAM FALUR.» Sa ta lehtësojnë zemrën këto fjalë, sidomos kur e di se e ke lënduar dikë me një fjalë a një veprim! Por çfarë nënkupton në të vërtetë shprehja «të kam falur»? A po thotë personi që e lëndove se miqësia mes jush është fiks si më parë? Apo thjesht po thotë se nuk do që t’i kthehet më atij muhabeti? Pra, kur njerëzit falin, mund të jetë e komplikuar të kuptojmë ç’duan të thonë.

2. Si është përshkruar në Shkrime falja e Jehovait? (Shihni edhe shënimin.)

2 Mënyra si na fal Jehovai ne njerëzit e papërsosur ndryshon shumë nga mënyra si e falim njëri-tjetrin. Falja e Jehovait është unike. Psalmisti tha për Jehovain: «Ti fal me të vërtetë, ja pse njerëzit të nderojnë thellësisht.» a (Psal. 130:4) Po, kur na fal, Jehovai na fal «me të vërtetë». Ai ka vendosur standardin e përkryer për faljen. Kur folën për faljen, shkrimtarët e Biblës përdorën në disa raste një fjalë hebraike që nuk përdoret kurrë për të përshkruar faljen e njerëzve ndaj njëri-tjetrit.

3. Si ndryshon mënyra si fal Jehovai nga mënyra si falim ne? (Isaia 55:6, 7)

3 Kur Jehovai e fal dikë, ia fshin krejtësisht mëkatin. Marrëdhënia e dëmtuar kthehet fiks si më parë. Sa prekëse është që Jehovai na fal plotësisht e bujarisht!—Lexo Isainë 55:6, 7.

4. Si na ndihmon Jehovai ta kuptojmë ç’është falja e vërtetë?

4 Përderisa falja e Jehovait ndryshon nga jona, si mund ta kuptojmë ne si njerëz të papërsosur ç’është falja e vërtetë? Jehovai na ndihmon me anë të përshkrimeve të gjalla. Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa nga këto ilustrime. Prej tyre do të kuptojmë se kur pendohemi, Jehovai na e heq mëkatin dhe njëkohësisht e kthen siç ishte marrëdhënien e dëmtuar nga mëkati. Ndërsa i shqyrtojmë këto ilustrime, do të na thellohet mirënjohja për Atin tonë zemërdhembshur, që na e shpreh në kaq shumë mënyra se na ka falur.

JEHOVAI NA I HEQ MËKATET

5. Ç’ndodh kur Jehovai na i fal mëkatet?

5 Në Bibël, mëkatet shpesh krahasohen me një barrë të rëndë. Ja si i përshkroi mbreti David mëkatet e veta: «Fajet si re të zeza mbi kokë më janë grumbulluar, si një barrë e rëndë, e tepërt për ta përballuar.» (Psal. 38:4) Por Jehovai ua fal mëkatet atyre që pendohen. (Psal. 25:18; 32:5) Fjala hebraike e përkthyer «fal», në thelb ka kuptimin «ngre» ose «mbart». Mund ta përfytyrojmë Jehovain si një burrë të fuqishëm që na heq nga supet barrën e mëkateve dhe e çon tutje.

«M’i fale fajin e mëkatet» (Psal. 32:5)


6. Sa larg i çon Jehovai mëkatet tona?

6 Një ilustrim tjetër tregon sa larg i çon Jehovai mëkatet tona. Psalmi 103:12 thotë: «Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë i ka larguar nga ne fajet tona.» Lindja është skaji më i largët nga perëndimi. Janë dy pika që nuk bashkohen kurrë. Me fjalë të tjera, Jehovai i shpie aq larg nesh mëkatet tona, sa s’mund ta imagjinojmë. Sa na ngrohet zemra që Perëndia ynë na fal plotësisht!

«Sa larg është lindja nga perëndimi» (Psal. 103:12)


7. Sipas Shkrimeve, çfarë bën Jehovai me mëkatet tona? (Mikea 7:18, 19)

7 Vërtet, Jehovai i çon larg nesh mëkatet tona. Por mos ndoshta vazhdon t’i mbajë në mendje? Jo. Mbreti Hezekia shkroi për Jehovain: «Ti i ke hedhur pas shpine të gjitha mëkatet e mia.» Ose, siç thotë shënimi, «i ke hequr nga prania jote». (Isa. 38:9, 17; shën.) Ky ilustrim tregon se Jehovai i heq nga sytë mëkatet e të penduarve duke i flakur ato tej. Kjo shprehje mund të përkthehet edhe: «I ke bërë [mëkatet e mia] sikur të mos kishin ndodhur.» Shkrimet e theksojnë këtë pikë edhe me një ilustrim tjetër, që e gjejmë te Mikea 7:18, 19. (Lexoje.) Këto vargje thonë se Jehovai i hedh mëkatet tona në thellësi të detit. Në kohët e lashta ishte e pamundur ta merrje prapë diçka që ishte hedhur në thellësi të detit.

«Ti i ke hedhur pas shpine të gjitha mëkatet e mia» (Isa. 38:17)

«Të gjitha mëkatet tona do t’i hedhësh në thellësi të detit» (Mik. 7:19)


8. Çfarë kemi mësuar deri tani?

8 Nga këto përshkrime të gjalla kemi mësuar se kur na fal, Jehovai na e heq krejt barrën e mëkatit. Vërtet, siç tha Davidi, «lum ata që u janë falur veprat e liga dhe u janë fshirë mëkatet! Lum njeriu që Jehovai nuk do t’ia llogaritë kurrsesi mëkatin!» (Rom. 4:6-8) Kjo është falje e vërtetë!

JEHOVAI NA I FSHIN MËKATET

9. Si na ndihmon Jehovai ta kuptojmë se na fal plotësisht?

9 Jehovai përdor edhe ilustrime të tjera për të na ndihmuar të kuptojmë se nëpërmjet flijimit shpërblyes, ai i fshin mëkatet e të penduarve. Në Shkrime, Jehovai portretizohet sikur i lan dhe i shpëlan këto mëkate. Si rezultat, mëkatari bëhet i pastër. (Psal. 51:7; Isa. 4:4; Jer. 33:8) Vetë Jehovai i përshkruan kështu dobitë e këtij procesi: «Edhe pse mëkatet tuaja janë të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora; edhe pse janë të kuqe si gjaku, do të bëhen si leshi i bardhë.» (Isa. 1:18) Është tepër e vështirë të heqësh nga një rrobë një njollë të kuqe flakë si gjaku. Por me këtë ilustrim, Jehovai na siguron se mëkatet tona mund të lahen plotësisht, aq sa të mos ngelet asnjë gjurmë.

«Edhe pse mëkatet tuaja janë të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora» (Isa. 1:18)


10. Çfarë ilustrimi tjetër përdor Jehovai për të treguar sa bujarisht na fal?

10 Siç u përmend në artikullin e kaluar, mëkatet janë krahasuar edhe me borxhet. (Mat. 6:12; Luka 11:4) Pra, sa herë mëkatojmë kundër Jehovait, zhytemi thellë e më thellë në borxh me të. Çfarë borxhi marramendës i kemi Jehovait! Ama kur Jehovai na fal, është sikur e anulon atë borxh që duhej ta paguanim një më një. Ai nuk kërkon shpagim për mëkatet që i ka falur. Çfarë ilustrimi i goditur për të përshkruar lehtësimin që ndiejmë kur Jehovai na fal!

«Na i fal borxhet» (Mat. 6:12, shën.)


11. Ç’do të thotë që Jehovai na ‘i fshin’ mëkatet? (Veprat 3:19)

11 Jehovai jo vetëm i anulon borxhet ose mëkatet tona; ai i fshin fare. (Lexo Veprat 3:19.) Kur një borxh anulohet, është sikur vihet një kryq i madh sipër tij. Prapëseprapë, numrat poshtë atij kryqi mund të lexohen. Ndërsa ta fshish diçka, është tjetër gjë. Për ta kuptuar këtë ilustrim, duhet të mbajmë parasysh se boja që përdorej në kohët e lashta ishte një përzierje karboni, rrëshire dhe uji. Dikush mund ta fshinte me një sfungjer të lagur atë që ishte shkruar. Kështu kur një borxh ‘fshihej’, zhdukej fare. Nuk dallohej më asnjë gjurmë e asaj që ishte shkruar. Ishte sikur ai borxh të mos kishte ekzistuar kurrë. Sa na ngrohet zemra që Jehovai jo vetëm i anulon borxhet ose mëkatet tona, por edhe i fshin krejt!—Psal. 51:9.

«Që t’ju fshihen mëkatet» (Vep. 3:19)


12. Çfarë na mëson ilustrimi me renë e dendur?

12 Jehovai përdor një ilustrim të ngjashëm për të përshkruar si i fshin mëkatet. Ai thotë: «Unë do t’i zhduk shkeljet e tua si të ishin fshehur pas një reje dhe mëkatet e tua si të ishin fshehur pas një reje të dendur.» (Isa. 44:22) Kur Jehovai na fal, është sikur i fsheh shkeljet tona pas një reje të dendur, që të mos i shohim më as ne, as ai.

«Do t’i zhduk shkeljet e tua si të ishin fshehur pas një reje» (Isa. 44:22)


13. Si ndihemi kur Jehovai na fal?

13 Çfarë na mësojnë këto ilustrime? Kur Jehovai na i fal mëkatet, nuk duhet të ndihemi sikur njolla e tyre do të na ngelet për tërë jetën. Gjaku i Krishtit i ka shlyer plotësisht mëkatet tona. Është sikur ato të mos kishin ndodhur kurrë. Pra, kur pendohemi për mëkatet tona, Jehovai na fal me të vërtetë.

JEHOVAI RIKTHEN MARRËDHËNIEN E MIRË

Ngaqë Ati ynë qiellor na fal, kemi mundësi të gëzojmë një marrëdhënie të mirë me të (Shih paragrafin 14)


14. Pse mund të kemi besim se Jehovai na fal plotësisht? (Shihni edhe figurat.)

14 Ngaqë Jehovai na fal, kemi mundësi të gëzojmë një marrëdhënie të mirë me të. E përderisa ai na fal plotësisht, s’ka pse të na mbytin ndjenjat e fajit. Nuk duhet të kemi frikë se mos Jehovai është ende i mërzitur me ne dhe po kërkon ndonjë mënyrë për të na ndëshkuar. Nuk ekziston asnjë rrezik i tillë! Pse mund t’i besojmë Jehovait kur thotë se na ka falur? Ja çfarë i tha ai vetë profetit Jeremia: «Unë do t’ua fal fajin e nuk do t’ua kujtoj më mëkatin.» (Jer. 31:34) Kur citoi këto fjalë, apostulli Pavël përdori një shprehje të ngjashme: «Nuk do t’i sjell më ndër mend mëkatet e tyre.» (Hebr. 8:12) Por ç’do të thotë kjo?

«Nuk do t’ua kujtoj më mëkatin» (Jer. 31:34)


15. Në ç’kuptim nuk i kujton më Jehovai mëkatet tona?

15 Në Bibël, fjala «kujtoj» nuk nënkupton gjithmonë se dikush sjell ndër mend diçka nga e kaluara. Ajo mund të përcjellë idenë se dikush ndërmerr një veprim. Krimineli që e kishin varur në shtyllë përkrah Jezuit, tha: «Jezu, më kujto kur të hysh në Mbretërinë tënde.» (Luka 23:42, 43) Ai s’po i kërkonte Jezuit thjesht të mendonte për të kur të vinte ajo ditë, por të bënte diçka. E në fakt, përgjigjja që i dha Jezui tregoi se do të bënte diçka për të: do ta ringjallte. Ndaj kur Jehovai thotë se nuk i kujton më mëkatet tona, po thotë se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim kundër nesh. Ai nuk do të na ndëshkojë në të ardhmen për ato mëkate që i ka falur.

16. Si e përshkruan Bibla lirinë që sjell falja e vërtetë?

16 Bibla përdor një ilustrim tjetër për të na ndihmuar të kuptojmë çfarë lirie sjell falja e vërtetë. Për shkak të natyrës sonë mëkatare, Shkrimet thonë se jemi «skllevër të mëkatit». Ama kur Jehovai na fal, jemi si skllevër që ‘çlirohen nga skllavëria e mëkatit’. (Rom. 6:17, 18; Zbul. 1:5) Vërtet, kur e dimë se Jehovai na ka falur, bëhemi me flatra si një skllav që fiton lirinë.

«U çliruat nga skllavëria e mëkatit» (Rom. 6:18)


17. Në ç’kuptim shërohemi kur Jehovai na fal? (Isaia 53:5)

17 Lexo Isainë 53:5. Në ilustrimin e fundit që do të shqyrtojmë, krahasohemi me njerëz që kanë një sëmundje vdekjeprurëse. Falë flijimit shpërblyes që siguroi Jehovai nëpërmjet Birit të tij, jemi shëruar. (1 Pjet. 2:24) Shpërblesa bën të mundur të ndreqet plotësisht marrëdhënia jonë me Jehovain, të cilën e dëmton «sëmundja» e mëkatit. Ashtu siç fluturon nga gëzimi dikush që shërohet nga një sëmundje e rëndë, edhe ne mbushemi me gëzim kur marrëdhënia jonë me Jehovain ripërtërihet dhe kemi sërish miratimin e tij.

«Falë plagëve të tij u shëruam» (Isa. 53:5)


SI NDIKON NË JETËN TONË FALJA E JEHOVAIT

18. Çfarë kemi mësuar nga ilustrimet e larmishme të Biblës për faljen e Jehovait? (Shihni edhe kutinë «Si na fal Jehovai».)

18 Çfarë kemi mësuar nga ilustrimet e Biblës për faljen e Jehovait? Kur na fal, Jehovai e bën këtë plotësisht dhe një herë e përgjithmonë. Si rezultat, mund të kemi një marrëdhënie të mirë me Atin tonë qiellor. Njëkohësisht nuk harrojmë se falja e Jehovait është një dhuratë. Me këtë dhuratë Jehovai shpreh dashuri dhe mirësi të pamerituar ndaj njerëzve mëkatarë. Falja e Jehovait nuk është një e drejtë që mund të pretendojmë se na takon.—Rom. 3:24.

19. (a) Për çfarë duhet të jemi mirënjohës? (Romakëve 4:8) (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

19 Lexo Romakëve 4:8. Secilit prej nesh i vërshon në zemër mirënjohja ndaj Jehovait që na «fal me të vërtetë». (Psal. 130:4) Ama duhet të bëjmë diçka të rëndësishme nëse duam që Jehovai të na falë. Ja çfarë tha Jezui: «Po të mos ua falni njerëzve shkeljet, as Ati juaj qiellor nuk do t’i falë shkeljet tuaja.» (Mat. 6:14, 15) Pra është jetësore të imitojmë Jehovain e t’i falim të tjerët. Në artikullin vijues do të shohim si mund ta bëjmë këtë.

KËNGA 46 Të falënderoj, Jehova!

a Teksti origjinal hebraik përdor fjalën «falja», duke lënë të kuptohet se kjo është e vetmja falje e vërtetë, ndonëse ka edhe forma të tjera faljeje. Shumë përkthime të Biblës nuk e nxjerrin në pah këtë dallim të rëndësishëm. Por Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re e tregojnë qartë dallimin, duke e përkthyer në mënyrë unike Psalmin 130:4.