Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE

Kur të vdes një njeri i dashur

Kur të vdes një njeri i dashur

«Zemër, këto janë punët e Zotit. . . . Mos . . . qaj!»

Këto fjalë ia pëshpëritën në vesh një gruaje me emrin Bibi. Ajo ndodhej në varrimin e të atit, i cili kishte vdekur në një aksident me makinë.

Bibi kishte qenë shumë e lidhur me të atin. Fjalët e mësipërme ia tha një mike e familjes, edhe pse me motive të mira, por Bibit më tepër iu dukën therëse, sesa ngushëlluese. Ajo vazhdonte t’i thoshte vetes: «Pse duhej të merrej Zoti me babanë?» Kur Bibi e përshkroi këtë ndodhi në një libër vite më vonë, dukej qartë se ishte ende e pikëlluar.

Siç e kuptoi Bibi, dikujt mund t’i duhet mjaft kohë për ta kapërcyer pikëllimin, sidomos nëse ishte shumë i lidhur me të ndjerin. Në Bibël, vdekja quhet me vend «armiku i fundit». (1 Korintasve 15:26) Ajo futet në jetën tonë me një forcë të parezistueshme, shpesh kur jemi krejt të papërgatitur, dhe na rrëmben njerëzit që janë të çmuar për ne. Askush nuk është i imunizuar nga shkatërrimi që sjell ajo. Prandaj nuk është për t’u habitur nëse nuk dimë si ta përballojmë vdekjen dhe pasojat e saj.

Mbase ke pyetur veten: «Sa kohë duhet për ta kaluar pikëllimin? Si mund të përballohet pikëllimi? Si mund të ngushëlloj të pikëlluarit? A ka ndonjë shpresë për njerëzit e dashur që na kanë vdekur?»