IMITONI BESIMIN E TYRE | REBEKA
«Po, dua»
REBEKA vështroi peizazhin e thyer teksa errësira po shtrinte velin e saj. Pas javësh të tëra mbi deve, më në fund po mësohej me tundjen e saj teksa ecte. Shtëpinë në Haran e kishte lënë pas me kohë, qindra kilometra në verilindje. Mbase nuk do ta shihte më kurrë familjen. Sigurisht, në mendje i lindnin pa fund pyetje për të ardhmen, sidomos tani që udhëtimi po mbaronte.
Karvani kishte përshkuar një pjesë të mirë të Kanaanit dhe po kalonte nëpër një terren më të vështirë, në Negeb. (Zanafilla 24:62) Ka të ngjarë që Rebeka të ketë parë edhe dele. Vendi mund të ketë qenë tepër i egër dhe i thatë për ta shfrytëzuar plotësisht për bujqësi, megjithatë siguronte kullota të bollshme. Ishte tokë e njohur për udhërrëfyesin e saj të moshuar. Ai mezi po priste t’ia jepte lajmin e mirë zotërisë: Rebeka do të bëhej gruaja e Isakut. Prapëseprapë, Rebeka mund të ketë pyetur veten se ç’lloj jete e priste atje. Si do të ishte i shoqi, Isaku? Ata nuk ishin takuar kurrë. A do t’i pëlqente Isakut kur ta takonte? Po ajo, si do të ndihej për të?
Sot martesat me mblesëri mund të duken të çuditshme në shumë vende të botës. Në vende të tjera, lidhje të tilla janë të zakonshme. Pavarësisht nga prejardhja jote, mbase edhe ti mendon se Rebeka po shkonte drejt diçkaje të panjohur. Në fakt, ajo ishte një grua me besim dhe guxim të jashtëzakonshëm. Kur përballemi me ndryshime në jetë, na duhen të dyja këto cilësi. Por, përveç besimit, Rebeka kishte edhe cilësi të tjera të bukura e të rralla.
«DO TË MBUSH UJË EDHE PËR DEVETË E TUA»
Ndryshimi i madh në jetën e Rebekës nisi në një mënyrë që asaj mund t’i jetë dukur disi e zakonshme. Ajo u rrit në Haran ose pranë tij, qytet në Mesopotami. Prindërit e saj ishin ndryshe nga shumica e njerëzve në Haran. Ata nuk adhuronin perëndinë-hënë Sin. Perëndia i tyre ishte Jehovai.—Zanafilla 24:50.
Kur u rrit, Rebeka u bë një vajzë shumë e bukur, por aspak moskokëçarëse e me bukuri sipërfaqësore. Kishte karakter dhe qëndroi e dëlirë moralisht. Familja e saj ishte aq në gjendje sa të kishte shërbëtorë. Por, Rebekën nuk e përkëdhelnin dhe as e trajtonin si princeshë; e mësuan të punonte fort. Ashtu si shumë gra të asaj kohe, Rebeka duhej të bënte disa punë të rënda, si për shembull të mbushte ujë për familjen. Në të ngrysur, vinte në sup një enë dhe shkonte te burimi.—Zanafilla 24:11, 15, 16.
Një mbrëmje, pasi kishte mbushur shtambën, një burrë i moshuar vrapoi ta takonte. Ai i tha: «Të lutem, më jep të pi një gllënjkë ujë nga shtamba jote.» Sa kërkesë modeste dhe me mirësjellje! Rebeka s’e kishte të vështirë ta kuptonte se ai kishte bërë udhë të gjatë. Prandaj e uli vrik shtambën dhe e la të pinte, jo thjesht një gllënjkë, por ta shuante mirë etjen me ujë të freskët burimi. Pa se burri kishte një karvan me dhjetë deve që ishin ulur aty pranë, dhe lugu nuk ishte mbushur ende me ujë për to. Mund ta dallonte se ai po e shihte me dashamirësi e vëmendje, kështu që donte të tregohej sa më bujare. Prandaj i tha: «Do të mbush ujë edhe për devetë e tua, derisa të ngopen.»—Zanafilla 24:17-19.
Vër re se Rebeka nuk u ofrua t’u jepte ujë deveve sa për të lagur fytin, por të pinin derisa të ngopeshin. Nëse një deve është shumë e etur, mund të pijë më tepër se 95 litra ujë. Sikur të dhjeta devetë të ishin kaq të etura, Rebeka duhej të punonte fort për orë të tëra. Siç rrodhën gjërat, vështirë * Por, a e dinte Rebeka këtë kur u ofrua të mbushte ujë? Jo. Ajo ishte e gatshme, tepër e gatshme, të punonte aq fort sa të ishte e nevojshme për t’i treguar mikpritje këtij të huaji të moshuar. Ai e pranoi ndihmën e saj. Më pas, e shihte gjithë vëmendje teksa ajo vraponte andej-këtej, tek mbushte dhe zbrazte herë pas here shtambën në lugun e ujit.—Zanafilla 24:20, 21.
që devetë të ishin tepër të etura.Shembulli i Rebekës jehon sot. Jetojmë në një epokë në të cilën duket se mbizotëron egoizmi. Ashtu siç ishte parathënë, njerëzit janë «të dashuruar me veten», nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë për të tjerët. (2 Timoteut 3:1-5) Të krishterët që përpiqen fort të mos ndikohen nga kjo prirje, bëjnë mirë të meditojnë për përshkrimin që gjejmë në Bibël të kësaj vajze të kohëve të hershme, e cila shkoi kushedi sa herë me vrap te pusi.
Sigurisht, Rebeka e pikasi shikimin plot admirim të shërbëtorit të moshuar. Nuk kishte asgjë të pavend në atë shikim; ai thjesht tregonte se ishte i mahnitur, i mrekulluar dhe i gëzuar. Kur Rebeka mbaroi punë, ai i dha dhurata—bizhuteri të çmuara. Më pas, e pyeti: «Bijë e kujt je? Ma thuaj, të lutem. A ka vend në shtëpinë e atit tënd që të kalojmë natën?» Kur i tregoi për familjen e saj, atij iu bë zemra mal. Ndoshta Rebeka u rrëmbye nga entuziazmi kur shtoi: «Kemi shumë kashtë dhe tagji, e po kështu edhe vend për të kaluar natën.» Kjo ishte goxha ofertë, pasi me të moshuarin udhëtonin edhe të tjerë. Pastaj, ajo vrapoi përpara tij për t’i treguar mamasë ç’kishte ndodhur.—Zanafilla 24:22-28, 32.
Qartë, Rebekën e kishin mësuar të tregonte mikpritje. Kjo është një vlerë tjetër që duket se sot po venitet dhe një arsye më shumë për ta imituar besimin e kësaj vajze zemërmirë. Besimi te Perëndia duhet të na shtyjë të jemi mikpritës. Jehovai është mikpritës, pasi është bujar me të gjithë, dhe dëshiron që shërbëtorët e tij të bëjnë po njësoj. Kur tregohemi mikpritës edhe me ata që mund të mos na e kthejnë kurrë mikpritjen, kënaqim Atin tonë qiellor.—Mateu 5:44-46; 1 Pjetrit 4:9.
«MERR NJË GRUA PËR TIM BIR»
Kush ishte i moshuari te pusi? Ishte shërbëtor i Abrahamit, vëllait të gjyshit të Rebekës. Prandaj, ai ishte i mirëpritur në shtëpinë e Betuelit, babait të Rebekës. Ka shumë mundësi që ky shërbëtor të quhej Eliezer. * Mikpritësit i ofruan të hante diçka, por ai nuk pranoi të hante derisa të tregonte arsyen e vizitës. (Zanafilla 24:31-33) Mbase arrijmë ta përfytyrojmë zellin me të cilin fliste, ngaqë sapo kishte parë dëshminë e fuqishme se Perëndia i tij, Jehovai, po e bekonte në këtë mision tepër të rëndësishëm. Në ç’mënyrë?
Imagjino pak Eliezerin teksa tregon historinë e vet ndërsa babai i Rebekës, Betueli, bashkë me vëllanë e saj, Labanin, dëgjonin gjithë sy e veshë. U tha se Jehovai e kishte bekuar jashtë mase Abrahamin në Kanaan dhe se Abrahami e Sara kishin një djalë, Isakun, i cili do të trashëgonte gjithçka. Abrahami i kishte caktuar këtij shërbëtori një detyrë tepër të rëndësishme: t’i gjente Isakut një grua te të afërmit e Abrahamit në Haran.—Zanafilla 24:34-38.
Abrahami i kërkoi Eliezerit t’i betohej se nuk do të merrte për Isakun një grua kananite. Pse? Sepse kananitët as e nderonin dhe as e adhuronin Perëndinë Jehova. Abrahami e dinte se Jehovai kishte ndër mend t’i ndëshkonte në kohën e duhur këta njerëz, për shkak të praktikave të liga. Nuk donte që djali i tij i shtrenjtë, Isaku, të kishte lidhje me ata njerëz dhe me udhët e tyre imorale. Gjithashtu, e dinte se i biri kishte rol kyç në përmbushjen e premtimeve të Perëndisë.—Zanafilla 15:16; 17:19; 24:2-4.
Eliezeri vazhdoi t’u tregonte mikpritësve të tij se, kur mbërriti te pusi pranë Haranit, iu lut Perëndisë Jehova. Me fjalë të tjera, i kërkoi Jehovait të zgjidhte vajzën që do të bëhej bashkëshortja e Isakut. Si? Eliezeri i kërkoi Perëndisë që kjo vajzë të vinte te pusi. Kur t’i kërkonte ujë për të pirë, ajo të ofrohej t’i jepte jo vetëm atij, por edhe deveve. (Zanafilla 24:12-14) Dhe, kush erdhi e veproi pikërisht ashtu? Rebeka. Imagjino si do të ishte ndier ajo po t’i kishte kapur veshi historinë që Eliezeri i tregoi familjes së saj!
Betueli dhe Labani u prekën nga fjalët e Eliezerit. Ata thanë: «Kjo gjë vjen nga Jehovai.» Sipas zakonit, ata bënë një besëlidhje martesore dhe ia dhanë Rebekën si nuse për Isakun. (Zanafilla 24:50-54) Megjithatë, a do të thotë kjo se Rebekën s’e pyeste njeri për këtë çështje?
Javë më përpara, Eliezeri kishte ngritur pikërisht këtë çështje me Abrahamin dhe e kishte pyetur: «Po sikur ajo të mos vijë me mua?» Abrahami i ishte përgjigjur: «Do të lirohesh nga detyrimi i betimit që më bëre.» (Zanafilla 24:39, 41) Edhe në shtëpinë e Betuelit ishte e rëndësishme ajo që donte vajza. Eliezeri ishte aq i entuziazmuar që e kishte përmbushur me sukses misionin, sa në mëngjes u kërkoi nëse mund të kthehej menjëherë në Kanaan me Rebekën. Por, familja donte që ajo të rrinte edhe për të paktën dhjetë ditë. Në fund, e zgjidhën çështjen kështu: «Le të thërrasim vajzën dhe të flasë ajo vetë me gojën e saj.»—Zanafilla 24:57.
Tani, Rebeka ndodhej në një udhëkryq të madh. Çfarë do të thoshte? A do të shfrytëzonte ndjenjat e ngrohta të babait e të vëllait që të mos e bënte këtë udhëtim drejt së panjohurës? Apo do ta konsideronte privilegj të ishte pjesë e ngjarjeve që dukej qartë se po drejtoheshin nga Jehovai? Përgjigjja e saj zbuloi si ndihej për këtë ndryshim të papritur e mbase frikësues. Ajo tha thjesht: «Po, dua.»—Zanafilla 24:58.
Ç’frymë të jashtëzakonshme që shfaqi! Ndonëse sot mund të kemi zakone krejt të ndryshme për martesën, prapëseprapë mund të mësojmë shumë nga Rebeka. Për të kishte më tepër rëndësi çfarë i pëlqente Perëndisë Jehova dhe jo preferencat e saj. Edhe sot, Fjala e Perëndisë ofron drejtimin më të mirë për martesën. Ajo na tregon si të zgjedhim bashkëshortin e duhur dhe si të bëhemi bashkëshortë e bashkëshorte të mira. (2 Korintasve 6:14, 15; Efesianëve 5:28-33) Bëjmë mirë të imitojmë shembullin e Rebekës dhe t’i bëjmë gjërat siç do Perëndia.
«KUSH ËSHTË AI BURRË?»
Familjarët i dhanë bekimin Rebekës së tyre të dashur. Më pas, ajo bashkë me tajën e saj, Deborën, dhe me disa shërbëtore u nisën me Eliezerin dhe burrat që e shoqëronin. (Zanafilla 24:59-61; 35:8) Shpejt Haranin e lanë pas krahëve, shumë larg. Udhëtimi i tyre ishte i gjatë, pak a shumë 800 kilometra, dhe mund të ketë zgjatur tri javë. Nuk dukej udhëtim i rehatshëm. Rebeka kishte parë mjaft deve, por kjo s’do të thotë se kishte shumë përvojë me to. Bibla thotë se familja e saj merrej me blegtori. Ata nuk ishin tregtarë që udhëtonin me karvanë devesh. (Zanafilla 29:10) Shpesh, ata që s’janë mësuar me devetë, ankohen për parehatinë, edhe pse bëjnë veç një copë udhë.
Sido që të ketë qenë, Rebeka e mbante shikimin vetëm përpara, pa dyshim duke u përpjekur të mësonte sa më shumë nga Eliezeri për Isakun dhe për familjen e tij. Përfytyroje pak duke folur në mbrëmje me burrin e moshuar përreth zjarrit, teksa i tregon premtimin që i ka bërë Jehovai mikut të Tij Abraham. Nga linja familjare e pasardhësve të Abrahamit, Perëndia do të zgjidhte një pasardhës që do t’i sillte bekime gjithë njerëzimit. Kushedi si do të jetë ndier Rebeka kur mësoi se premtimi i Jehovait do të plotësohej nëpërmjet bashkëshortit të saj të ardhshëm, Isakut; si rrjedhojë edhe nëpërmjet saj.—Zanafilla 22:15-18.
Më në fund erdhi dita që përshkruhet në fillim të artikullit. Teksa karvani përshkonte Negebin dhe vendin nisi ta mbulonte muzgu, Rebeka pa një burrë që po ecte në fushë. Ai dukej i menduar. Tregimi thotë se ajo «u hodh nga deveja», mbase nuk priti fare që kafsha të ulej, dhe e pyeti udhërrëfyesin: «Kush është ai burrë që po ecën në fushë dhe po na del përpara?» Kur mori vesh se ishte Isaku, mbuloi kokën me një vel. (Zanafilla 24:62-65) Pse? Me sa duket, në shenjë respekti për burrin e saj të ardhshëm. Ky lloj nënshtrimi mund t’u duket demode disave sot. Por, në të vërtetë, si burrat, edhe gratë mund të nxjerrin mësim nga përulësia e Rebekës, pasi të gjithë ne kemi nevojë për këtë cilësi tërheqëse.
Isaku, një burrë 40-vjeçar, ishte ende i pikëlluar për vdekjen e nënës, Sarës, e cila kishte vdekur rreth tre vjet më parë. Nga kjo mund të kuptojmë se Isaku ishte tip i dashur dhe me ndjenja të buta. Ç’bekim ishte për këtë burrë një grua kaq punëtore, mikpritëse dhe e përulur! Ç’lidhje krijuan me njëri-tjetrin? Bibla thotë thjesht: «Ai ra në dashuri me të.»—Zanafilla 24:67; 26:8.
As ne nuk e kemi të vështirë ta duam Rebekën, ndonëse jetojmë rreth 39 shekuj më vonë. S’kemi si të mos i admirojmë guximin, papërtueshmërinë, mikpritjen dhe përulësinë e saj. Të gjithë ne—të rinj e të moshuar, burra e gra, të martuar e beqarë—bëjmë mirë ta imitojmë besimin e saj!
^ par. 10 Tashmë kishte rënë mbrëmja. Në tregim nuk thuhet se Rebeka mbeti te pusi për orë të tëra. Nuk tregohet që familja e saj ishte në gjumë kur ajo mbaroi punë dhe as që erdhi dikush për të parë pse po vonohej kaq shumë.
^ par. 15 Emri Eliezer nuk përmendet në këtë tregim, por ka të ngjarë që ai të jetë personi në fjalë. Njëherë, Abrahami kishte ndër mend t’ia linte gjithë pasuritë Eliezerit po të mos bëhej vetë me fëmijë, prandaj s’ka dyshim se ai ishte shërbëtori më i moshuar dhe më i besuar i Abrahamit. Kështu përshkruhet ky shërbëtor edhe në këtë tregim.—Zanafilla 15:2; 24:2-4.