Si të tregojmë dashuri për të tjerët?
Si pasardhës të njeriut të parë, Adamit, jemi të gjithë një familje. Edhe pse pjesëtarët e një familjeje duhet ta duan e ta respektojnë njeri-tjetrin, sot kjo lloj dashurie mezi gjendet. Ama Perëndia nuk pret këtë prej nesh.
ÇFARË THONË SHKRIMET E SHENJTA PËR DASHURINË?
«Duaje tjetrin si veten.» —LEVITIKU 19:18.
«Vazhdoni të doni armiqtë tuaj.»—MATEU 5:44.
Ç’DO TË THOTË TA DUASH TJETRIN?
Vër re si e përshkruan Perëndia dashurinë në Fjalën e tij, te 1 Korintasve 13:4-7:
Dashuria «është e duruar dhe plot mirësi».
Mendo: Si ndihesh kur të tjerët janë të duruar e të mirë me ty dhe nuk zemërohen kur gabon?
Dashuria «nuk është xheloze».
Mendo: Si ndihesh kur të tjerët të shohin me sy dyshues e ziliqarë?
Dashuria «nuk kërkon interesin e vet».
Mendo: Si ndihesh kur të tjerët i respektojnë pikëpamjet e tua dhe nuk ngulin gjithnjë këmbë në të tyren?
Dashuria «nuk e mban llogari të keqen».
Mendo: Perëndia mezi pret t’i falë njerëzit që janë penduar për mëkatet që kanë bërë kundër tij. «Ai nuk do të gjejë të meta gjithë kohën, as do të mbajë mëri tërë jetën.» (Psalmi 103:9) Ndihemi mirënjohës kur dikush që e kemi ofenduar, na fal. Prandaj, edhe ne duhet të jemi të gatshëm t’i falim të tjerët kur na ofendojnë.—Psalmi 86:5.
Dashuria «nuk gëzon për padrejtësinë».
Mendo: Kur të ndodh diçka e keqe, nuk të pëlqen që të tjerët të fërkojnë barkun për hallin që të ka rënë. Prandaj, as ne nuk gëzojmë kur të tjerët vuajnë, edhe nëse janë sjellë keq me ne.
Që të shijojmë bekimet e Perëndisë, duhet t’i duam të tjerët, pavarësisht nga mosha, kombi dhe feja. Një mënyrë si mund ta bëjmë këtë, është duke i ndihmuar ata që janë në vështirësi.