Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | KU MUND TË GJESH NGUSHËLLIM?

Të gjithë kemi nevojë për ngushëllim

Të gjithë kemi nevojë për ngushëllim

Të kujtohet kur ishe fëmijë e rrëzoheshe, prisje gishtin a gërvishtje gjurin? E mban mend si të ngushëllonte mami? Ndoshta të pastronte plagën dhe të vinte leukoplast. Ti qaje, por sa shpejt të qetësonin fjalët dhe përqafimi i saj i ngrohtë! Në ato vite nuk të mungonte kurrë ngushëllimi.

Megjithatë, kur rritemi, jeta bëhet më e komplikuar. Problemet bëhen më të mëdha dhe ngushëllimi mezi gjendet. Është e trishtë, por problemet e të rriturve zor se zgjidhen me një leukoplast dhe me përqafimin e nënës. Për shembull, mendo për disa situata.

  • A ke provuar ndonjëherë traumën kur humb punën? Huliani thotë se gati sa s’e humbi toruan kur e pushuan nga puna. Ai mendonte: «Si do të kujdesem për familjen? Për vite me radhë dhashë shpirtin për kompaninë, e tani qenkam i padobishëm?!»

  • Ndoshta ndihesh i shkatërruar ngaqë martesa jote ka marrë fund. Rakela shpjegon: «Kur burri më la papritur para 18 muajsh, më pushtoi trishtimi. M’u duk sikur zemra m’u nda më dysh. Ndieja dhembje fizike dhe emocionale. Kisha shumë frikë.»

  • Mbase ke ndonjë problem të rëndë shëndetësor që duket se nuk po përmirësohet. Ndoshta ndonjëherë ndihesh si patriarku Job, që tha i shkurajuar: «Nuk e dua jetën. S’dua të jetoj përgjithnjë.» (Jobi 7:16) Mund të ndihesh si Luisi në të 80-at, i cili rrëfen: «Ndonjëherë më duket sikur thjesht po pres vdekjen.»

  • Ose mbase të ka vdekur një i afërm dhe ke tmerrësisht nevojë për ngushëllim. Roberti tregon: «Kur më vdiq çuni në një aksident ajror, në fillim nuk arrija ta besoja. Pastaj erdhi dhembja, ajo lloj dhembjeje që, siç thotë Bibla, ta tejshpon shpirtin si një shpatë e gjatë.»​—Luka 2:35.

Roberti, Luisi, Rakela dhe Huliani gjetën ngushëllim edhe në rrethana të vështira. Gjetën Personin më të mirë për t’u dhënë ngushëllim, askënd tjetër përveç Perëndisë së Plotfuqishëm. Si na ngushëllon ai? A do të të ngushëllojë edhe ty kur të kesh nevojë?